Çamët, përse nuk kishin besim tek qeveria shqiptare

667
Leonard VEIZI

(Vazhdon nga numri i kaluar)

ARKIVA / Detaje nga letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit, Ministrit të parë Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi
Mit’hat Frashëri, në relacionin dërguar Tiranës, del në disa konkluzione: “Padyshim gjëja më e mirë për Shqipërinë do të jetë të përzërë ata të 20.000 grekofonë që janë në Delvinë; po prapë Greqija do të na ketë hua edhe nja 40.000 frymë të tjera, me qenë se gjer më tani, janë përzërë me pahir, më tepër se 60.000 shqiptarë”
Në një informacion të vazhdueshëm mes Mit’hat Frashërit dhe Ministrisë së Jashtme, qeveria shqiptare vihet në dijeni për kushtet e rënda në të cilën ndodhej popullsia çame në kufijtë e shtetit grek:
Kundërshtimi grek 
Më 30 tetor l924, Legata shqiptare në Athinë merrte këtë Memorandum nga “banorët çamë të Margëlliçit”: 
“Shkëlqesë! E shohim tepër të nevojshme të sjellim në dijeni se veprimet dhe masat e kohës së fundit të autoritetit lokal kundra enteve të përgjithshme të popullit tonë të mjerë, kanë kalue “kufinë, sa nuk është e mundur të durohen më!” Sistemi të cilin përdor Qeveria në kurriz të popullit të mjerë çam, të m’besoni dhe të jeni të bindur, e padyshim se në kohë shumë të afërme do ta shfarosi krejt e nga themeli dhe keni për të dëgjuar vajin e fundit të mallëngjyer të krahinave të Çamërisë…”

Përgjigja e ministrit
Nga ana e tij, Mit’hat Frashëri, i tronditur nga tragjedia që po mbështillte kryesisht popullsinë myslimane çame, i drejtonte këtë thirrje dëshpëruese Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë: 

“Z. Ministër! Për fat të keq nuk u bë gjë gjer më sot. Kështu që tani, Greqia elementin shqiptar të Greqisë e pakësoi përgjysmë, ata që mbetën i mundon me çdo mënyrë, kurse elementin grekofon të Shqipërisë po e forcon indirekt dhe kërkon mbrojtjen e tij. Më duket se edhe tani s’është vonë. Grekofonët e Gjirokastrës duan ekspulsuar, atëherë edhe çamët, në qoftë se nuk rrojnë dot në vendin e tyre, do të kërkojnë të venë dhe të instalohen në Shqipëri. Në mos u marrshin këto masa, kam frikë, Zoti Ministër, se elementi shqiptar do të fiket, dhe ay që do të mbetet do të demoralizohet, pa kujtuar që edhe Greqia po përgatit sundimin e saj mbi “Epirin e Veriut”
Qëllimi i grekëve
Dhe, më 21 janar l925, Mit’hat Frashëri i shkruante përsëri Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë se: 
“Janë 38 katunde, 24 në Kostur dhe l4 në Follorinë, afro 20.000 frymë. Këta u përzunë me dru nga shtëpitë e tyre dhe sot po vdesin në Anadoll”. Tetë ditë më vonë, ai shtonte: “Që në fillim kam vrapuar të rrëfej mendimin tim, pasi e studiova punën dhe pashë realitetin lakuriq, autoritetet greke kanë qëllim që të përzënë elementin shqiptar, ta shtrëngojnë të ikin, t’i grabisin pasurinë. Përpara këtij realiteti, kam propozuar masa reciproke, raprezalje, mbi elementin grekofon të Shqipërisë.”
Qytetaria shqiptare: E kundërta ngjante në Shqipëri. 
Jo vetëm që grekofonët nuk ndiqeshin, por ata fitonin të gjitha të drejtat civile e politike të qytetarit të lirë. “Njerës të ardhur sot prej Epirit,” shkruante Mit’hat Frashëri për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, “më njoftojnë se në qarqet zyrtare të asaj prefekture greke (Janinës) mbretëron ky mendim: 
“Greqia ç’kishte për të fituar në Epir të Veriut, i fitoi. Grekofonët e Shqipërisë kanë deputetë, shkolla, kisha, funksionarë, liri të plotë, civile dhe politike. Edhe Qeveria shqiptare ka bërë premtim që të merret në kabinet edhe një Ministër grek. Pra tani më s’kemi më frikë, dhe duam që të shpëtojmë nga elementi shqiptar i Epirit, që të mos mbetet një kundërpeshë për helenizëm dhe të mundim të punojmë me shpenguar në Shqipëri të Jugës…”

Relacioni
Pesë ditë më vonë, më l7 qershor l925, po ky diplomat shqiptar në Athinë, përfundonte: 
“Qëkurse kam ardhur si ministër i Shqipërisë këtu në Athinë, jam bindur që qeveria greke ka ndjek dy qëllime: 
1-Të përzërë nga Greqia gjithë shqiptarët sa janë, duke u grabitur pasurinë. 
2-Pasi të shpëtoje nga kjo barrë, të sigurojë helenizimin dhe aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës. Gjithë punët, veprimtaritë, aktet e autoriteteve greke priren drejt këtij qëllimi. Nuk shoh as më të paktin përjashtim. Të përzënët me dru të 30.000 shqiptarëve të Kosturit dhe Follorinës; refuzimi i të njohurit të nënshtetësisë shqiptare; sjellja sistematike kundër çameve, tëra këto janë fakte të kthjellta…”

Udhëzimet
Edhe në nëntor l925, Qeveria greke, në kundërshtim me çdo marrëveshje të mëparshme, udhëzon përfaqësuesin e saj në Komisionin Mikst që të arrihet një marrëveshje me homologun e tij turk në Komision për shkëmbimin e “5.000 shqiptarëve myslimanë, një aksion që u kundërshtua nga Lidhja e Kombeve. Shkatërrimi i popullsisë shqiptare në Greqi vazhdoi i pandërprerë, dhe më 5 janar l926, Mit’hat Frashëri lajmëronte nga Athina se, “Mjerisht s’kanë besim të madh çamët te Shqipëria, edhe kjo nga shkaku se nuk kanë parë ndonjë fakt konkret për interesin dhe dhembshurinë e Shqipërisë ndaj tyre.” 
Bisedimet: Për njohjen e autoqefalisë së kishës
Duke vazhduar me problemet e tjera që dilnin mes dy shteteve, ministri fuqiplotë u relaton eprorëve të tij në Tiranë: 
“Sa për kishën, për të cilën z. Kolokotroni thoshte që është gati të verë në shërbim tonë ndërhyrjen e tij, i thashë se Shqipëria është gati të çojë një komision në Patrikanë, ku Patriku të vendosë se do ta njohë autoqefale, gjë e cila duhet t’i vijë mirë edhe Greqisë që është shtet ortodoks, dhe jo të jemi të varur nga patrikana, e cila sot është nën influencën turke me qenë se Patriku vetë dhe gjithë parësi e Fanarit janë nënshtetas turq. Si mbarova këto kuvendova, si pa dashur, e sollëm fjalën mbi situatën e Shqiptarëve në Greqi; mbi shtrëngimet që vuajnë; mbi mënyrën me të cilën qeveria greke i ndalon që të rrojnë, ose i shtrëngon që të ikin; mbi programin sistematik që ndiqet nga ana e qeverisë qendrore greke për këto sjellje, me gjithë deklaratat e bëra në Lozanë dhe në Gjenevë; mbi të përzënët e 35.000 Shqiptarëve të Kosturit dhe Follorinës; qysh tani ata të mjerë vijnë në Shqipëri”. 
Konkluzionet: Pas debateve me ministrat grekë
Mit’hat Frashëri, në relacionin e tij dërguar për në Tiranë, del dhe në disa konkluzione:
“Padyshim gjëja më e mirë për Shqipërinë do të jetë të përzërë ata të 20.000 grekofonë që janë në Delvinë; po prapë Greqia do të na ketë hua edhe nja 40.000 frymë të tjera, me qenë se gjer më tani, janë përzënë me pahir, me dru dhe të rrahur, më teëpr se 60.000 Shqiptarë. Argumentet e mia e impresionuan Z-in Kolokotroni. Po këto fjalë dua që t’ia them sot ose nesër, edhe Z-it Pangalos, edhe Z-it Kaftanxhogllu, edhe Ministrit të ri që u emërua dje. Sot ose nesër do të kem një bisedim të gjatë me gjeneral Kondulin, mbi të cilin do të bëj një raport të veçantë. Ju lutem, pasi të studiohet ky raporti im, të më rrëfehet kthjelltazi pikëpamja e Qeverisë sonë. Ju lutem prapë të mbahem në korrent të demarsheve, kërkesave dhe pretendimeve që bën Ministri grek, do verbalisht do me nota. Do të qe fort nevojë që të më komunikohen mua kopjet e notave ose teksti i bisedimeve”.
Sigal