Vlerat më kanë udhëhequr përgjatë karrierës sime

700
Sigal

Fjalimi i dorëheqjes së kryeministres britanike Theresa May

Shqipëroi Petro Luarasi

Që kur kalova të parën herë këtë derë pas meje, si kryeministre, u përpoqa ta bëj Mbretërinë e Bashkuar një vend ku punohet jo vetëm për disa të privilegjuar, por për të gjithë, si dhe ku të respektohet rezultati i referendumit të BE. Që në vitin 2016 ne i dhamë popullit britanik një zgjedhje. Kundër të gjitha parashikimeve, populli britanik votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Unë sot ndihem po aq e sigurt sa tre vite më parë se në një demokraci, kur u jepet njerëzve mundësia për zgjedhje, është detyrim për ta zbatuar atë që ata vendosin. Unë kam bërë më të mirën për ta realizuar këtë. Diskutova kushtet e largimit tonë si dhe një marrëdhënie të re me fqinjët tanë më të afërt, me të cilën mbrohen vendet e punës, siguria dhe bashkimi ynë.

Unë bëra gjithçka që munda për t’i bindur deputetët që ta mbështesnin atë marrëveshje. Mjerisht, nuk kam qenë në gjendje t’ia dal kësaj. U përpoqa tri herë. Besoj se ishte e drejtë të këmbëngulja, edhe kur shenjat për të mos pasur sukses dukeshin të larta. Por tani për mua është e qartë se është në interesin më të mirë të vendit që një kryeministër i ri të udhëheqë këtë përpjekje.

Ndaj unë po njoftoj sot se do të jap dorëheqjen si drejtuese e Partisë Konservatore të Bashkuar, të premten më 7 qershor, në mënyrë që të zgjidhet një pasardhës. Kam rënë dakord me Kryetarin e Partisë dhe me Kryetarin e Komitetit të 1922 që procesi për zgjedhjen e një drejtuesi të ri të fillojë javën e ardhshme.

Unë e kam informuar plotësisht Madhërinë e Saj, Mbretëreshën, për qëllimet e mia dhe do të vazhdoj të shërbej si kryeministre e saj derisa procesi të përfundojë. Jam dhe do të mbetem gjithmonë me ndjenjën e keqardhjes së thellë që nuk kam qenë në gjendje të realizoj Brexit (ndarjen, shën. i P.L.). Do t’i mbetet pasardhësit tim të kërkojë një rrugë të çuarjes përpara që respekton rezultatin e referendumit. Për të pasur sukses, ai ose ajo do të duhet të gjejë konsensusin në Parlament, atje ku unë nuk e kam. Një konsensus i tillë mund të arrihet vetëm nëse të gjitha palët në debat janë të gatshme të bëjnë kompromis. Për shumë vite, humanisti i madh Sir Nicholas Winton, i cili u shpëtoi jetën qindra fëmijëve duke realizuar evakuimin e tyre nga Çekosllovakia e pushtuar prej nazistëve, përmes Kindertransport (transportit të fëmijëve, shën. P.L.) ishte mentori im në vajzëri. Në një tjetër kohë debatesh politike, pak vite para se të ndahej nga jeta, ai më mori mënjanë gjatë një aktiviteti me karakter lokal dhe më dha një këshillë.

Ai tha: “Kurrë mos harroni se kompromisi nuk është një fjalë e ndyrë. Jeta varet nga kompromisi.”

Ai kishte të drejtë. Teksa përpiqemi të gjejmë kompromiset që na duhen në politikën tonë – si për të realizuar Brexit apo për të rivendosur qeverinë e decentralizuar në Irlandën e Veriut – duhet të kujtojmë se çfarë na solli këtu. Sepse referendumi nuk ishte thjesht një thirrje për të lënë BE por edhe për ndryshime të thella në vendin tonë. Ai qe një thirrje për ta bërë Mbretërinë e Bashkuar një vend që vërtet punon për të gjithë. Jam krenare për progresin që ne kemi bërë gjatë tre viteve të fundit. Ne përfunduam punën që filloi David Cameron dhe George Osborne: deficiti është pothuajse i eliminuar, borxhi ynë kombëtar po bie dhe po i japim fund masave shtrënguese. Synimi im ka qenë të siguroj që vendet e punës në të ardhmen të krijohen në komunitete anembanë vendit, jo vetëm në Londër dhe në zonat jug-lindore, nëpërmjet strategjisë industriale moderne. Ne kemi ndihmuar më shumë se kurrë njerëzit që të gëzojnë sigurinë e një pune. Ne po ndërtojmë më shumë shtëpi dhe po ndihmojmë pjesën shoqërore të blerësve të shtëpisë së pare, kështu të rinjtë mund të gëzojnë mundësitë që kanë pasur prindërit e tyre. Ne po mbrojmë mjedisin, duke zhdukur mbeturinat plastike, duke trajtuar ndryshimet e klimës dhe duke përmirësuar cilësinë e ajrit.

Kjo është ajo që po bën dhe mund të arrijë qeveria konservatore, e denjë, e moderuar dhe patriotike, bazuar në interesin e përbashkët të politikës britanike – madje edhe kur po luftojmë me sfidën më të madhe të paqes, me të cilën po ballafaqohet çdo qeveri.

Unë e di se Partia Konservatore mund të ripërtërihet në vitet në vijim. Kështu që ne kryejmë largimin dhe i shërbejmë popullit britanik me politika të frymëzuara nga vlerat tona: siguri, liri; mundësi. Këto vlera më kanë udhëhequr përgjatë karrierës sime. Por privilegji unikal i kësaj zyre është që ta përdorë këtë platformë për t’iu dëgjuar zëri atyre që iu mohohet, për të luftuar padrejtësitë përvëluese që ende prekin shoqërinë tonë. Kjo është arsyeja pse unë kam dhënë financimin e duhur për shëndetin mendor, në thelb të planit tonë afatgjatë të NHS-së (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, shën.P.L.) Kjo është arsyeja pse unë po i jap fund lotarisë postare për të mbijetuarit e abuzimit në familje. Kjo është arsyeja pse auditimi i pabarazisë racore dhe raportimi i pagave të gjinive po hedhin dritë mbi pabarazinë, që nuk ka ku të fshihet. Prandaj unë vendosa hetimin e pavarur publik për tragjedinë në Kullën e Grenfellit, për të kërkuar të vërtetën, kështu që asnjë gjë si ajo të mos ndodhë përsëri dhe njerëzit që humbën jetën atë natë të mos harrohen kurrë. Sepse ky vend është një Bashkim. Jo vetëm një familje prej katër kombesh, por një bashkim njerëzish – të gjithë së bashku. Cilido qoftë sfondi ynë, ngjyra e lëkurës sonë, apo kë ne duam. Ne qëndrojmë së bashku. Dhe së bashku kemi një të ardhme të madhe. Politika jonë mund të jetë e tendosur, por ka aq shumë të mira në këtë vend. Kaq shumë për t’u krenuar. Kaq shumë për të qenë optimistë. Unë së shpejti do të largohem nga posti që ka qenë nderi i jetës sime të mbaja: si kryeministrja e dytë femër por sigurisht jo e fundit. Unë këtë e bëj pa kurrfarë keqdashje, por me mirënjohje të pamasë dhe të përhershme që kam pasur mundësi t’i shërbej vendin që unë e dua.