Turqi: 34 të dënuar me burgim të përjetshëm pas akuzave për puç ndaj Erdoganit

570
Një gjykatë në Turqi dënoi sot me burgim të përjetshëm të paktën 34 të dyshuar, duke i akuzuar ndër të tjera se janë përpjekur të vrasin Presidentin Rexhep Tajip Erdogan gjatë grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar.
46 të dyshuar, 37 prej tyre ish ushtarakë, kanë qënë në proces gjyqësor që nga muaji shkurt në qytetin e Muglas të akuzuar për vrasje në tentativë, shkelje të kushtetutës dhe krime të tjera.
Të pandehurit u akuzuan se sulmuan hotelin në vendpushimin e Marmarasë, ku ndodhej presidenti Erdogan, duke vrarë dy policë. Zoti Erdogan ishte larguar nga hoteli pak përpara sulmit.
Turqia ka fajësuar për grushtin e shtetit lëvizjen e udhëhequr nga kleriku mysliman me banim në Amerikë, Fethullah Gylen. Ndjekësit e tij janë akuzuar për infiltrim në radhët e ushtrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore. Por Gyleni i ka mohuar akuzat.
Televizioni shtetëror turk tha se gjykata vendosi burgim të përjetshëm për 34 prej të pandehurve. Njëri prej tyre, ish-nënkolonel, u lirua nga akuzat. Ende nuk është njoftuar dënimi për tetë të dyshuar të tjerë.
Televizioni shtetëror njoftoi se gjyqi kundër zotit Gylen, emri i të cilit u përmend si njëri prej të pandehurve, dhe dy të tjerëve që ndodhen në arrati, do të zhvillohet veçmas.
Sigal