Thaçi betohet si president i Kosovës, protesta jashtë Parlamentit

479
Hashim Thaçi është betuar paraditen e sotme si presidenti i ri i Kosovës, duke pasuar në këtë detyrë presidenten Atifete Jahjaga. Në fjalën e tij në Parlament, pa praninë e opozitës, Thaçi ka vënë në dukje se gjatë gjithë karrierës së tij politike është angazhuar në të gjitha proceset për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Kam shërbyer me përkushtim gjatë detyrës sime si kryeministër”, ka thënë Thaçi, i cili ka premtuar se do të jetë garant i Kushtetutës. 
“Betohem se do të respektoj ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe se do të jem përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim feje dhe etnie”, ka thënë Thaçi. 
Pasi i ka drejtuar një falenderim edhe tashmë ish-presidentes Jahjaga, Thaçi e ka vënë theksin tek e ardhmja e Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë fqinje. “Kosova dhe Serbia nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë mes të tjerash Thaçi.
Ndërkohë, teksa ai u drejtohej deputetëve me fjalimin e rastit, jashtë godinës së Kuvendit policia ka sprapsur disa të rinj që hidhnin gurë ndaj mureve të Kuvendit.
Sigal