Strategjinë e SHBA-ve për Afganistanin dhe Azinë Jugore

773
Fort Myer Arlington, Virginia
Faleminderit shumë. Faleminderit! 
Zëvendëspresidenti Pence, Sekretari i Shtetit Tillerson, anëtarët e Kabinetit, Gjeneral Dunford, Zëvendës Sekretari Shanahan dhe Kolonel Duggan. Një falënderim të veçantë burrave dhe grave të Fort Myer dhe çdo pjesëtari të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara brenda dhe jashtë vendit.

Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjet e marinarëve tanë të guximshëm, të cilët u plagosën dhe humbën jetën pas një përplasje tragjike në det, si dhe atyre që kryen operacionin e kërkimit dhe shpëtimit.

Jam sonte këtu për të parashtruar rrugën tonë në Afganistan dhe Azinë Jugore. Por, para se të jap detajet e strategjisë sonë të re, unë dua të them disa fjalë për shërbëtorët e kombit tonë, që janë këtu sonte me ne, për ata që shikojnë nga vendbanimet e tyre dhe për të gjithë amerikanët që na dëgjojnë në shtëpi.

Që nga themelimi i Republikës sonë, vendi ynë ka krijuar një shtresë të veçantë të heronjve e dëshmorëve; guximi, vetëmohimi dhe sakrifica e të cilëve është e pakrahasueshme në historinë njerëzore.

Patriotët amerikanë të çdo gjenerate, kanë dhënë frymën e fundit në fushën e betejës për kombin dhe lirinë tonë. Përmes jetës së tyre, edhe pse të shkurtër, me veprat e tyre ata arritën pavdekësinë e plotë.

Duke ndjekur shembullin heroik të atyre që luftuan për të ruajtur republikën tonë, ne sot gjejmë frymëzimin e duhur që vendi ynë të qëndrojë i bashkuar, i shëndetshëm dhe të mbetet një komb nën Perëndinë. Burrat dhe gratë e ushtrisë sonë veprojnë si një ekip, me një mision dhe ndjenjë të përbashkët për arritjen e qëllimit të tyre.

Ata kalojnë çdo pengesë të racës, etnisë, besimit dhe ngjyrës, për të shërbyer së bashku dhe sakrifikojnë së bashku me një kohezion absolutisht të përsosur. Kjo për shkak se, të gjithë këta shërbëtorë të atdheut, janë vëllezër dhe motra. Të gjithë janë pjesë e së njëjtës familje që quhet familja amerikane. Ata marrin të njëjtin betim, luftojnë për të njëjtin flamur dhe jetojnë sipas të njëjtit ligj. Ata janë të lidhur së bashku me qëllimin e përbashkët, besimin e ndërsjellë dhe përkushtimin vetëmohues ndaj kombit dhe njëri-tjetrit.

Ushtarët e kuptojnë atë që ne, si komb shpesh e harrojmë se, një plagë e shkaktuar ndaj një anëtari të vetëm të komunitetit tonë, është një plagë që na është shkaktuar të gjithëve. Kur lëndohet një pjesë e Amerikës, lëndohemi të gjithë ne. Dhe kur një qytetar vuan një padrejtësi, e vuajmë të gjithë së bashku.

Besnikëria ndaj kombit tonë kërkon besnikëri ndaj njëri-tjetrit. Dashuria për Amerikën kërkon dashuri për të gjithë njerëzit e saj. Kur i hapim zemrat tona për patriotizëm, nuk ka vend për paragjykime, nuk ka vend për fanatizëm dhe nuk ka tolerancë për urrejtje.

Të rinjtë dhe gratë që dërgojmë për të luftuar jashtë vendit, meritojnë të kthehen në një vend që nuk është në luftë me njëri-tjetrin. Ne nuk mund të mbetemi një forcë për paqen në botë, nëse nuk jemi në paqe me njëri-tjetrin.

Ndërsa mendojmë se si të mposhtim armiqtë tanë jashtë shtetit, – dhe ne gjithmonë do të fitojmë, – le të gjejmë kurajën për të shëruar ndarjet brenda nesh. Le të bëjmë një premtim të thjeshtë për burrat dhe gratë që kërkojmë për të luftuar në emrin tonë, që kur të kthehen në shtëpi nga beteja, ata do të gjejnë një vend që ka ripërtërirë lidhjet e shenjta të dashurisë dhe besnikërisë që na bashkojnë në një.

Falë vigjilencës dhe aftësisë së ushtrisë amerikane dhe aleatëve tanë të shumtë në mbarë botën, tmerret e përmasave të 11 shtatorit, nuk janë përsëritur më në brigjet tona. Askush nuk mund ta harrojë kurrë këtë ngjarje. Por, gjithashtu duhet të pranojmë realitetin e ri, për të cilin do flas sonte këtu. Gati 16 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, pas sakrificës së jashtëzakonshme të gjakut dhe thesarit, populli amerikan është i lodhur nga lufta pa fitore. Askund nuk është më evidente se sa me luftën në Afganistan, lufta më e gjatë në historinë amerikane, plot 17 vjet.

Unë ndaj frustrimin me popullit amerikan. Gjithashtu ndaj zhgënjimin e tyre ndaj një politike të jashtme që ka shpenzuar shumë kohë, energji, para dhe më së shumti,- jetë, duke u përpjekur për ti rindërtuar këto vende me imazhin tonë, në vend që të ndjekim interesat tona të sigurisë mbi të gjitha konsideratat e tjera.

Kjo është arsyeja pse, menjëherë pas inaugurimit tim, unë ju drejtova Sekretarit të Mbrojtjes Mattis dhe ekipin tim të Sigurisë Kombëtare, për të ndërmarrë një rishikim gjithëpërfshirës të të gjitha opsioneve strategjike në Afganistan dhe Azinë Jugore.

Instinkti im i parë ishte të tërhiqesha – dhe, historikisht, më pëlqen ndjekja e instinkteve të mia. Por gjatë gjithë jetës time, kam dëgjuar se, vendimet janë shumë të ndryshme kur ulesh prapa tavolinës në Zyrën Ovale. Me fjalë të tjera, kur je President i Shteteve të Bashkuara dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Kështu që unë studiova me hollësi e nga çdo këndvështrim situatën në Afganistan. Pas shumë takimesh disa mujore me kabinetin tim dhe gjeneralët, të premten e kaluar mbajtëm në Kampin David mbledhjen tonë përfundimtare, për të përfunduar strategjinë tonë. Kam arritur në tri përfundime themelore, rreth interesave thelbësore të Amerikës në Afganistan.

Së pari, kombi ynë duhet të kërkojë një rezultat të ndershëm e të qëndrueshëm, të denjë për sakrificat e mëdha që janë bërë, veçanërisht ato jetësore. Burrat dhe gratë që i shërbejnë kombit tonë në luftë, meritojnë një plan final për fitoren. Ata meritojnë mjetet që u nevojiten, dhe besimin që kanë për të luftuar dhe për të fituar.

Së dyti, pasojat e një dalje të shpejtë nga Afganistani janë të parashikueshme dhe të papranueshme. 11 shtatori, sulmi më i keq terrorist në historinë tonë, ishte planifikuar dhe drejtuar nga Afganistani, sepse ai vend qeverisej nga një qeveri që i krijoi kushte dhe strehim terroristëve. Një tërheqje e nxituar do të krijonte një boshllëk të tillë, që terroristët, duke përfshirë ISIS dhe Al Qaeda, do ta mbushnin menjëherë, ashtu siç ndodhi para 11 shtatorit.

Siç e dimë, në vitin 2011, Amerika me ngut dhe gabim u tërhoq nga Iraku. Si rezultat, zonat e çliruara, të fituara me vështirësi, ranë përsëri në duart e armiqve terroristë. Ushtarët tanë panë se si qytetet për të cilat kishin luftuar u pushtuan nga grupi terrorist i quajtur ISIS , dhe gjaku i derdhur për lirinë e popullit irakian u shpërdorua. Boshllëku që krijuam, duke i lënë shumë shpejt zonat e lira u bë strehë e sigurt për ISIS-in, që ky të përhapet, të rritet, të rekrutojë ekstremistë dhe të nisë sulme. Ne nuk mund të përsërisim në Afganistan, gabimin që liderët tanë bënë në Irak.

Së treti dhe më në fund, unë arrita në përfundimin se kërcënimet e sigurisë, me të cilat përballemi në Afganistan dhe në rajonin e gjerë janë të pafundme. Sot, 20 organizata të huaja terroriste të regjistruar në SHBA janë aktive në Afganistan dhe Pakistan, – përqendrimi më i lartë se në çdo rajon tjetër të botës.

Nga ana e tij, Pakistani shpesh i jep strehë të sigurt agjentëve të kaosit, dhunës dhe terrorit. Kërcënimi është më i rrezikshëm, sepse Pakistani dhe India janë dy shtete të armatosura bërthamore, marrëdhëniet e tensionuara të të cilëve kërcënojnë të spiralizohen në konflikt. Dhe kjo mund të ndodhë.

Askush nuk e mohon se ne kemi trashëguar një situatë sfiduese dhe shqetësuese në Afganistan dhe Azinë Jugore, por nuk kemi luksin e kthimit në kohë dhe marrjen e vendimeve të ndryshme më të mira. Kur u bëra President, mu dha në dorë një situatë e keqe dhe shumë komplekse, por e dija plotësisht se çfarë do bëja para këtyre problemeve të mëdha dhe të ndërlikuara. Në një mënyrë ose në tjetrën, këto probleme do të zgjidhen, sepse unë jam një zgjidhës i problemit dhe në fund, ne do të fitojmë.

Ne duhet të shohim realitetin e botës, ashtu siç ekziston tani, me kërcënimet me të cilat ndeshemi si dhe përballimin e të gjitha problemeve të sotme, bashkë me pasojat jashtëzakonisht të parashikueshme të një tërheqjeje të nxituar.

Ne duhet të shohim përtej sulmit të egër javës së kaluar në Barcelonë, për të kuptuar se grupet terroriste nuk do të ndalen në asgjë për të kryer vrasjen masive të burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm. E patë atë si për veten tuaj. E tmerrshme!

Siç theksova në fjalimin tim në Arabinë Saudite tre muaj më parë, Amerika dhe partnerët tanë janë të angazhuar për zhdukjen e terroristëve në territorin e tyre, duke shkurtuar financimet dhe duke demaskuar joshjen e rreme të ideologjisë së tyre të keqe.

Terroristët që vrasin njerëz të pafajshëm nuk do të gjejnë paqe në këtë jetë apo në tjetrën. Ata nuk janë asgjë, përveç bandave, kriminelëve dhe grabitësve, kjo është e drejtë, ata janë të humbur. Duke punuar së bashku me aleatët tanë, ne do të thyejmë vullnetin e tyre, do të thyejmë rekrutimin e tyre, do t’i mbajmë ata larg kufijve tanë. Po, do t’i mposhtim ata dhe do t’i kemi në dorë.

Në Afganistan dhe Pakistan, interesat e Amerikës janë të qarta: Ne duhet të ndalojmë rilindjen e strehëve të sigurta që u mundësojnë terroristëve të kërcënojnë Amerikën. Ne duhet të parandalojmë që armët bërthamore dhe materialet eksplozive të bien në duart e terroristëve dhe të përdoren kundër nesh ose kudo në botë për akte të tilla.

Por, për të ndjekur këtë luftë, ne duhet të mësojmë nga historia. Si rezultat i rishikimit tonë gjithëpërfshirës, strategjia amerikane në Afganistan dhe Azinë Jugore do të ndryshojë në mënyrë dramatike në këto mënyra:

Një shtyllë kryesore e strategjisë sonë të re është vlerësimi i faktorit kohë dhe kushteve të krijuara aktualisht. E kam thënë shumë herë se, sa joefektive është që Shtetet e Bashkuara, të njoftojnë paraprakisht datat që planëzojnë për të filluar ose përfunduar operacionet ushtarake. Ne nuk do të flasim për numrin e trupave apo planet tona për aktivitetet e mëtejshme ushtarake. Kushtet në terren, jo oraret arbitrare, do të udhëheqin strategjinë tonë nga tani e në vazhdim. Armiqtë e Amerikës, nuk duhet t’i dinë kurrë planet tona që ata të mund të na presin. Unë nuk do të them kur do të sulmojmë, por ne do të sulmojmë. Një shtyllë tjetër themelore e strategjisë sonë të re është integrimi i të gjitha instrumenteve të fuqisë amerikane, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, drejt një rezultati të suksesshëm. Një ditë, pas një përpjekjeje efektive ushtarake, ndoshta do të jetë e mundur që të ketë një zgjidhje politike që përfshin elementë të talebanëve në Afganistan, por askush nuk e di, nëse apo kur do të ndodhë kjo. Amerika do të vazhdojë mbështetjen e saj për qeverinë afgane dhe ushtrinë afgane, teksa përballen me talebanët në këtë fushë. Në fund të fundit, është mirë për banorët e Afganistanit që të marrin në dorë të ardhmen e tyre, për të qeverisur shoqërinë e tyre dhe për të arritur një paqe të përjetshme. Ne jemi një partner dhe një mik, por nuk do t’i diktojmë banorëve afganë se si të jetojnë, ose se si të qeverisin shoqërinë e tyre komplekse. Ne nuk jemi për ndërtimin e kombit të tyre. Ne po vrasim terroristët. 

Shtylla tjetër e strategjisë sonë të re është të ndryshojmë qasjen dhe mënyrën se si të merremi me Pakistanin. Nuk mund të heshtim më shumë për strehët e sigurta të Pakistanit për organizatat terroriste, talebanët dhe grupet e tjera që paraqesin kërcënim për rajonin dhe më gjerë. Pakistani ka shumë për të fituar nga partneriteti me përpjekjet tona në Afganistan. Por, ai do humbasë shumë duke vazhduar të strehojë kriminelët dhe terroristët.

Në të kaluarën, Pakistani ka qenë një partner i vlefshëm. Ushtarakët tanë kanë punuar së bashku kundër armiqve të përbashkët. Populli pakistanez ka vuajtur shumë nga terrorizmi dhe ekstremizmi. Ne i njohim ato kontribute dhe ato sakrifica.

Por, Pakistani ka strehuar gjithashtu të njëjtat organizata që përpiqen çdo ditë për të vrarë popullin tonë. Ne kemi paguar miliarda e miliarda dollarë, në të njëjtën kohë ata strehojnë terroristët që po luftojmë ne. Kjo situatë duhet të ndryshojë, dhe kjo do të ndryshojë menjëherë. Asnjë partneritet nuk mund të mbijetojë me një vend që strehon militantët dhe terroristët që sulmojnë ushtarakët dhe zyrtarët e Uashingtonit. Është koha që Pakistani të demonstrojë përkushtimin e tij ndaj civilizimit, rendit dhe paqes.

Një tjetër pjesë kritike e strategjisë së Amerikës për Azinë Jugore është zhvillimi i partneritetit strategjik me Indinë, një nga demokracitë më të mëdha në botë, një partner kyç dhe partner ekonomik i Shteteve të Bashkuara. Ne vlerësojmë kontributin e rëndësishëm të Indisë për stabilitetin në Afganistan, por India fiton miliarda dollarë nga tregtia me Shtetet e Bashkuara, dhe ne duam që ata të na ndihmojnë më shumë me Afganistanin, veçanërisht me ndihma ekonomike dhe projekte zhvillimore. Ne jemi të përkushtuar për të ndjekur objektivat tona të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Azinë Jugore dhe rajonin më të gjerë Indo-Paqësor.

Së fundmi, administrata ime do të sigurojë që ju, mbrojtësit e guximshëm të popullit amerikan, të keni mjetet dhe rregullat e angazhimit për ta bërë këtë strategji efektive dhe të shpejtë në misionin dhe detyrat tuaja. Unë i kam hequr tashmë kufizimet e administratës së mëparshme, që pengonin Sekretarin e Mbrojtjes, komandantët dhe luftëtarët tanë në terren, që të luftonin me shpejtësi kundër armikut. Menaxhimi i vogël nga Uashingtoni, D.C. nuk i fiton betejat. Betejat fitohen në terren, duke u bazuar në gjykimin dhe ekspertizën e komandantëve të luftës dhe ushtarëve të vijës së parë, që veprojnë në kohë reale, me autoritet të vërtetë dhe me një mision të qartë për të mposhtur armikun. Kjo është arsyeja pse ne po zgjerojmë autoritetin e Forcave të Armatosura Amerikane për të luftuar rrjetet terroriste dhe kriminale që mbjellin dhunën dhe kaosin në të gjithë Afganistanin. Këta vrasës duhet të dinë se nuk kanë ku të fshihen; Se asnjë vend nuk është përtej mundësive të fuqisë dhe armëve amerikane. Ndëshkimi do të jetë i shpejtë dhe i fuqishëm. Ndërsa heqim kufizimet dhe zgjerojmë autoritetet në këtë fushë, tashmë po shohim rezultate dramatike të fushatës për të mposhtur ISIS-in, duke përfshirë çlirimin e Mossulit në Irak. Që nga përurimi im, ne kemi arritur suksese rekord në këtë drejtim. Ne gjithashtu do të maksimizojmë sanksionet, veprimet e tjera financiare dhe ligjzbatuese kundër këtyre rrjeteve për të eliminuar aftësinë e tyre në eksportimin e terrorit. Kur Amerika angazhon luftëtarët e saj për të luftuar, ne duhet të sigurohemi që ata kanë çdo armë për të vepruar me forcë të shpejtë, vendimtare dhe dërrmuese. Trupat tanë do të luftojnë për të fituar. Ne do të luftojmë për të fituar. Nga tani e tutje, fitorja do të ketë një përkufizim të qartë: duke sulmuar armiqtë tanë, duke zhdukur ISIS-in, duke shtypur Al Kaedën, duke parandaluar talebanët nga marrja e Afganistanit dhe ndalimi i sulmeve terroriste kundër Amerikës që në fillim. Ne do tu kërkojmë aleatëve tanë të NATO-s dhe partnerëve globalë që të mbështesin strategjinë tonë të re me shtim të trupave dhe financimeve në përputhje me këtë. Ne jemi të sigurt se ata do ta mbështesin. Që nga marrja e detyrës, kam bërë të qartë se, aleatët dhe partnerët tanë duhet të kontribuojnë me më shumë para për mbrojtjen tonë kolektive dhe ata e kanë bërë këtë. Në këtë luftë, barra më e rëndë do të vazhdojë të përballohet nga banorët e mirë të Afganistanit dhe forcat e tyre të guximshme të armatosura. Siç premtoi kryeministri i Afganistanit, ne do të marrim pjesë në zhvillimin ekonomik ,për të ndihmuar në mbulimin e kostos së kësaj lufte për ne. Afganistani po lufton për të mbrojtur dhe siguruar vendin e tij kundër armiqve të njëjtë që na kërcënojnë. Sa më i fortë të bëhet forca afgane e sigurisë, aq më pak do të duhet të bëjmë ne. Afganët do të sigurojnë dhe ndërtojnë kombin e tyre. Ata vetë do të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Ne duam që ata të kenë sukses. Por ne, nuk do të përdorim më fuqinë ushtarake amerikane për të ndërtuar demokraci në vendet e largëta, ose të përpiqemi të rindërtojmë vendet e tjera sipas imazhit tonë. Ato ditë kanë mbaruar. Në vend të kësaj, ne do të punojmë me aleatët dhe partnerët për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta. Ne nuk u kërkojmë të tjerëve të ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës, por të ndjekin qëllimet e përbashkëta, që u lejojnë fëmijëve tanë të jetojnë jetë më të mira dhe më të sigurta. Ky vështrim realist do të udhëheqë vendimet tona duke ecur përpara. Vetëm fuqia ushtarake nuk do të sjellë paqe në Afganistan, ose të ndalojë kërcënimin terrorist që buron në atë vend. Forca e zbatuar në mënyrë strategjike synon të krijojë kushtet për një proces politik që siguron paqe të qëndrueshme. Amerika do të punojë me qeverinë afgane për aq kohë sa ne shohim vendosmërinë dhe përparimin. Megjithatë, angazhimi ynë nuk është i pakufizuar, dhe mbështetja jonë nuk është thjesht një kontroll bosh. Qeveria e Afganistanit duhet të mbajë pjesën e saj të peshës ushtarake, politike dhe ekonomike. Qytetarët amerikanë presin të shohin reforma reale, përparim të vërtetë dhe rezultate konkrete. Durimi ynë nuk është i pakufizuar. Do t’i mbajmë sytë hapur. Duke iu bindur betimit që mora më 20 janar, unë do të mbetem i patundur në mbrojtjen e jetës amerikane dhe interesave amerikane. Në këtë përpjekje, ne do të bëjmë aleat të përbashkët çdo komb që zgjedh të qëndrojë dhe të luftojë së bashku me ne kundër këtij kërcënimi global. Terroristët ta marrin vesh: Amerika nuk do të lëshojë kurrë, derisa ju të pësoni një humbje të përhershme. Nën administrimin tim, po shpenzohen miliarda dollarë më shumë për ushtrinë tonë. Kjo përfshin shuma të mëdha që shpenzohen për arsenalin tonë bërthamor dhe mbrojtjen raketore. Në çdo brez, ne jemi përballur me të keqen dhe gjithmonë kemi mbizotëruar. Ne mbizotërojmë, sepse e dimë se kush jemi dhe për çfarë po luftojmë. Jo shumë larg nga vendi ku jemi mbledhur sonte, qindra mijëra patriotë më të mëdhenj të Amerikës, prehen me pushim të përjetshëm në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Ka më shumë guxim, sakrificë dhe dashuri në ato vende të shenjtëruara ,sesa në ndonjë vend tjetër të rruzullit Tokësor. Shumica e atyre që kanë luftuar dhe kanë vdekur në Afganistan u shpallën heronj pas 11 shtatorit 2001. Ata dolën vullnetarë për një arsye të thjeshtë: Ata e donin Amerikën dhe ishin të vendosur ta mbronin. Tani ne duhet ta sigurojmë çështjen për të cilën ata kanë dhënë jetën. Ne duhet të bashkohen për të mbrojtur Amerikën nga armiqtë e saj jashtë vendit. Ne duhet të rivendosim lidhjet e besnikërisë mes qytetarëve tanë në shtëpi dhe të arrijmë një rezultat të ndershëm e të qëndrueshëm për çmimin të madh që kanë paguar dëshmorët tanë. Dhe në muajt që vijojnë, me veprimet tona, të gjithë do nderojmë sakrificën e çdo heroi të rënë, çdo familjeje që humbi një të dashur dhe çdo luftëtari të plagosur që derdhi gjakun e tij në mbrojtje të kombit tonë të madh. Me vendosmërinë tonë, ne do të sigurojmë që sakrifica juaj dhe i familjeve tuaja do sjellin humbjen e armiqve tanë dhe ardhjen e paqes. Ne do t’ju shtyjmë përpara për fitore, me forcën e zemrave tona, me guximin e shpirtrave tanë dhe krenarinë e përjetshme të secilit prej jush.

Faleminderit! Perëndia e bekoftë ushtrinë tonë! Perëndia i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Faleminderit shumë. Faleminderit!
Përktheu Shefqet&Herion Kërcelli
Sigal