Spanja në prag të falimentimit

50

Rinisin protestat: Të papunët, në marrshim të “pushtojnë” Madridin. Barcelona ka nevojë për 6 miliardë Euro!

 Kriza nuk ka ndalesë. Fantazma e kapitalit informal, mbërthen prej fyti tashmë jo vetëm bankat dhe shtetet, që në të vërtetë e ndien siç ndjejnë minjtë tërmetet, katastrofën, por dhe rajonet. Dhe kur zbret tek rajonet, fantazma, ka mbërthyer njeriun. Qeveritë me burokracinë, e ndjenë të parët tërmetin. Dhe nisën lëvizjet, daljen-mosdaljen e të vërtetave gjersa vetënisën grindjet. Padyshim dhe nga grindjet e tyre dhe nëpërmjet tyre, u pa “rezultantja” e sotme, krizë, që nuk do t’i prekë kurrsesi ata, personalisht, por njerëzit e thjeshtë, qytetarët, ndërmarrjet e tyre të punës, aktivitetet e prodhimit, të konsumit dhe shitjes. Drejtuesit, punëtorët, shtetasit e shumtë.

Mes dhimbjesh, pluhurosjes së shtetarëve, Spanja këto ditë e zbriti fantazmën e zezë të mungesës së financave, në rajonet e saj: shumica me tendencë të njohur seperatizmi. Ankthi është zëvendësuar me trishtimin, indinjatën. Efekti “domino”, shkruan gazeta “El Pais”, është në zhvillim të shpejtë dhe nga kjo, tronditja merr përmasa të mëdha. Gjashtë rajone deklarohen në falimentim, ndaj urgjenca e ndihmës europiane i përngjet asaj makine të ndihmës së shpejtë që duhet të çajë trafiqet e rrugëve të bllokuara, me shpejtësi. E katërta herë që shkojmë në Spanjë për të parë protestat, reagimin e qeverisë dhe pasqyruar nga vendngjarjet. Huerrera, gazetari vendas që punon për agjencinë tonë të shtypit, na ka siguruar një vend normal në situatën jo normale. Valencia, sipas Huerrerës, është e para provincë që ka lëshuar “sos” të enjten e kaluar, një ditë më pas rajoni i Sicilisë, në Itali që zyrtarisht njoftoi gjithashtu qeverinë për falimentin provincial. Pothuaj njëherësh pas Valencias kanë njoftuar për mospasje parash në banka, pesë rajone të tjera. Gazetari ynë na tregon se edhe Katalonja, Kastilia -La Mancia, Balearet, Murcia, Kanariet dhe Andaluzia, kanë njoftuar falimentin dhe nuk mundet më të përballojnë skadimin e afateve të borxheve të marra, nga kushtet e forta të vendosura prej tregut. Katalonja, sipas shtypit dhe analistëve vendas, është në situatën më të vështirë. Barcelona ka nevojë për 6 miliardë euro vetëm për të paguar borxhet e marra. Ndërsa pesë rajonet e tjera duhet të financojnë borxhin, për një totale prej 6-7 miliardë, brenda javës që vjen. Nga kjo emergjencë lind nevoja urgjente e qeverisë në Madrid, ku efekti “domino” kushtëzon kryeministrin Rajoy, të kërkojë “shoqërim” për në reanimacionin qeveritar dhe “rescate”, për Spanjën. “Duhet ndërhyrje direkte e Brukselit dhe BQE, sepse po ndodh ajo që tashmë ndodhi për Greqinë dhe Portugalinë, për të frenuar default dhe daljen nga euro”, vë në dukje, duke folur gjerësisht për Spanjën, italiania e njohur “La Repubblica”, e cila pasi i kushton analiza faqesh të tëra “fantazmës” krizë që po “ha” Italinë, ndalet në rajonet spanjolle, që tronditën sërish fundjavën europiane të bursës.

Në të vërtetë ky është një ndër skenarët më të këqij të fantazmës krize, edhe pse, për momentin, qeveria spanjolle ka krijuar një fond special, për rajonet në vështirësi që shkon në 18 miliardë, për vitin 2012. Është ministri i jashtëm spanjoll, Garcia – Margallo që ka lëshuar një apel tronditës Europës. Të shtunën, në rrjedhën e një takimi në Palma de Majorka, ku morën pjesë edhe ministri italian Giulio Terzi, ai gjerman Guido Westerwelle, spanjolli Garcia-Margallo akuzoi BQE (Bankën Qendrore Europiane) drejtuar nga italiani Mario Draghi, se: “Nuk po bën asgjë për të fikur zjarrin e borxhit publik”. Për ministrin spanjoll të irrituar dhe nën depresion shifrash, BQE, po sillet si një: “bankë klandestine”, ndërsa “duhet të reagojë për të ndaluar spekulatorët”. “Ne duhet të lëvizim drejt një Europe më të besueshme dhe më solidare”, ka përfunduar Garcia-Margallo.

Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për qeverinë e djathtë spanjolle, kjo sepse sipas të dhënave tona nga organizatorë protestash, vendi do të përfshihet sërish nga greva dhe protesta, gjer dhe marshime si ai i minatorëve, pasqyruar nga “Telegraf”, nga të papunët e gjithë Spanjës që marshuan dhe “pushtuan”, të shtunën e kaluar, në Madridin. Jo vetëm këto, do të jenë deçizive, javët që vijnë, edhe për të ardhmen e shtetit federal të shtetit spanjoll, dalë dyzet vjet më parë nga diktatura fashiste e Frankos. Është evidente, shkruan shtypi, vëmendja e qeverisë së Rajoy, të vendosë në qendër, në Madrid, administratën shtetërore, duke hequr kompetencat e autonomive rajonale në vështirësi. Një tendencë e vjetër e së djathtës kjo, që kërkon të largojë me ndalim dhe mërzi, tendencat autonome të rajoneve. Në një intervistë të dhënë shtypit italian (La Repubblica, e diel 22 korrik), ministri i ekonomisë, Andreu Mas-Colell, 68 vjeç, një ndër spanjollet e shquar, docent në Berkeley dhe Harvard ka theksuar se: “Autonomitë do të rezistojnë”, dhe se te gjithë: “prej muajsh kërkojmë ndihmë!”

Një pyetje se “është e vërtet që këtë muaj nuk paguani dot spitalet, shkollat, nëpunësit”, ai i përgjigjet se edhe këtë muaj “do paguajmë nëpunësit, ndërsa spitalet, shërbimin sanitar dhe shkollat do t’i njoftojmë se pagesat mujore shtyhen dhe se do të reduktohen”. Mas-Kolell tregon se, borxhi katalanas ka mbërritur në 20.7 për qind të GDP-së. Javët që vijnë shtojnë a largojnë protestat e mëdha të spanjollëve nga Madridi. Gjithçka varet nga goditjet që do të marrë fantazma krizë, e cila ka “ngrënë” edhe mish njeriu, në këtë Europë me busull të humbur! Huerrera, gazetari spanjoll që orienton trupën tonë, është më tej i tronditur, pas fjalëve që ka lexuar në të përditshmet, protestës së parë nga afër të të papunëve, fjalëve të qeveritareve dhe mundësive që jep duke zvarritur BE. “Të besosh tek mrekullitë është një e drejtë njerëzore”, thotë një protestues i papunë, “por mrekullitë rrallë ndodhin! Spanja jonë po rrëzohet dhe ne nuk mund ta mbajmë dot! Jemi vetëm të indinjuar dhe pothuaj me barkun bosh! Një barkbosh duhet të ndryshojë gjithçka, duke u bashkuar! Ne, të papunët e pushtuam Madridin, por ende kemi qeverinë pa pushtuar!… Nëse nuk ka ndryshime, do t’i përzëmë, javët që vijnë! Kjo është në dorën tonë!… “Quhet Carlos Sancez, 24 vjeç, prej Andaluzisë. Ka marshuar në këmbë drejt Madridit me 700 të tjerë të rinj, për t’i shprehur kryeministrit dhe qeverisë indinjatën e të riut të papunë, që di të luftojë për vetveten, Andaluzinë, Spanjën! Ka veshur flamurin spanjoll, atë që “e ngrita lartë kur fituam botërorin, kur fituam javë më parë europianin! Është po ai flamur dhe ai njeri që sot proteston i indinjuar për ekonominë, jam po unë!” Madridi zien. Do të riziejë nga rinia, të pashpresët, minatorët, nëpunësit, pensionistët, të indinjuarit. Edhe më fortë, sikur të mos ketë ndryshime. Kjo është e sigurt. Dhe nga kjo pasiguri e sigurt, Spanja do të ndryshojë!…