SHBA, Obama autorizon sulmet në Irak kundër militantëve islamikë

438
Sigal

SHBA – Presidenti amerikan Barack Obama ka autorizuar sulmet ajrore kundër militantëve islamikë në Irak për të mbrojtur personelin amerikan si dhe për t’iu ardhur në ndihmë pakicave krishtere të larguar me dhunë nga Iraku. “Ne synojmë që të qëndrojmë vigjilentë dhe të marrim masa nëse kërcënohet personeli jonë apo objekte të tjera në Irak. Unë mendoj së nuk mund të qëndrojmë indiferentë kur bëhet fjalë për të shmangur një genocid.” Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Obama tha se avionët ushtarakë amerikanë u kanë hedhur nga ajri ushqime dhe ujë banorëve të izoluar, të kërcënuar nga ekstremistët. Presidenti shtoi se operacionet e SHBA në Irak do të jenë të kufizuara duke premtuar se qeveria e Uashingtonit nuk ka ndërmend të tërhiqet drejt një tjetër lufte. “Edhe ne i mbështesim irakenët në luftën e tyre kundër terroristëve, por nuk do të dërgohen më trupa amerikane në Irak. E vetmja zgjidhje është pajtimi mes komuniteteve irakiane dhe forcave të sigurisë së Irakut.” Obama ka bërë të ditur gjithashtu se nuk do të ketë shtim të trupave amerikane në Irak. Megjithatë, vendimi i tij i fundit përfaqëson përdorimin më të madh të forcës ushtarake në Irak, që kur u tërhoqën trupat amerikane në vitin 2011, pasi qëndruan atje për një dekadë. Ndërkaq, sot ka patur nota proteste pranë Shtëpisë së Bardhë, ku dhjetëra persona me flamuj amerikanë dhe pankarta në duar kanë dënuar atë që është quajtur “holokaust i komuniteteve të krishtera” në Irak dhe Siri. Ekstremistët islamikë, që deri më tani kanë vrarë me mijëra persona dhe kanë deklaruar një kalifat në zonën e Irakut, tani po kërcënojnë Kurdistanin, një rajon që konsiderohej bastion i stabilitetit, në një vend të shkatërruar nga konfliktet.