SHBA/ Fjalimi i rrallë i Melanias: Trump do ta bëjë më të drejtë Amerikën

438
Sigal

Në prezantimin e Melania Trumpit përpara njerëzve të
mbledhur në tubimin elektoral në Filadelfia, Karen Pence, bashkëshortja e
kandidatit republikan për zëvendëspresident Mike Pence, u tregua e përmbledhur
dhe e drejtpërdrejtë.

“Unë
e di që Amerika do ta dojë po aq shumë sa ç’e do ajo popullin amerikan”, tha
ajo. E shoqja e manjatit, që kërkon çelësat e Shtëpisë së Bardhë si i nominuari
i Partisë Republikane, premtoi të përmirësojë kulturën e medias sociale, nëse
do të jetë Zonjë e Parë e vendit, sepse sipas saj është bërë tejet e ashpër dhe
e ligë, sidomos me fëmijët e adoleshentët.

“Gjërat
nuk janë asnjëherë mirë kur një vajzë apo një djalë 12-vjeçar përqeshet,
tallet, sulmohet. Është e tmerrshme, kur ndodh në sheshin e tyre të lojërave.
Është totalisht e papranueshme, kur bëhet nga dikush pa emër që fshihet pas
internetit. Duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë për të komunikuar me
njëri-tjetrin”, tha Melania Trump.

Dialogun
dhe respektin për tjetrin, Melania premton ta ketë në fokus.

“Unë
vet jam emigrante dhe lejomëni t’iu them se, askush nuk i vlerëson më shumë se
unë vlerat e lirisë e të mundësive të barabarta që të jep Amerika. Dashuria për
këtë vend ishte ajo që ndava me Donaldin në momentin e takimit tonë. Ai e do
Amerikën dhe e di sesi duhet vepruar drejt këtu, nuk merret thjesht me fjalë.
Ai di si t’i shkundë gjërat”, tha Melania.

Në e
muajin shtator, gjatë debatit të tyre të parë televiziv, Hillary Clinton i
përmendi Donald Trumpit komentet fyese ndaj Miss Universit 1996, Alicia
Machado, të cilën e quante “Miss derrkucja”.

Përgjigjja
e tij ishte një tjetër sulm: pretendimet e një videoje kompromentuese të
Machados…që në fakt nuk ekziston. Për Melania Trump, ky ishte i pari fjalim i
rëndësishëm që prej atij të mbajtur në konventën kombëtare të Partisë
Republikane, për të cilin u akuzua se kishte kopjuar një fjalim të Michelle
Obamës.