Qeveria e Kosovës vendos për rritje të pensioneve

59
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të premten ka marrë vendim për rritjen e pensioneve kontributdhënës, në pajtim me ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Këtë vendim e arsyetoi ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili tha se ka pasur shumë ankesa nga këta pensionistë të cilët kanë thënë se kanë humbur disa nga dokumentet që dëshmojnë këtë.
Sipas tij, të gjithë ata që kanë përvojë mbi 15 vjet para vitit 1999, do t’u njihet automatikisht përvoja si 25- vjeçare.
Ai kërkoi nga gjithë kontributdhënësit që të sjellin dëshmi për kualifikimin e tyre. Abrashi deklaroi se pensioni bazë do të jetë 158 euro dhe me të hyrë në fuqi ky vendim, pensionistët do të marrin pensionet e tyre në mënyrë retroaktive nga janari 2016.
Ndërsa, ministrja për Dialog, Edita Tahiri kërkoi nga Abrashi të sqaroi se çfarë do të ndodh me punëtoret e institucioneve, atyre të arsimit, shëndetësisë të cilët kanë punuar gjatë kohës së okupimit në vitet e 90-ta.
Kurse, përgjigja e Abrashit ishte se ende është duke u punuar për ketë kategori. Këtë vendim e ka përshëndetur kryeministri Isa Mustafa i cili e vlerësoi si vendim shumë të rëndësishëm.