Plumb në kraharor të dashurit për t’u bërë e famshme

239
Një vajzë amerikane është dënuar me 6 muaj burg për vrasjen e të dashurit të saj në një “lojë” që shpresonin se do të bëhej virale në YouTube.
Petro Ruiz, 22-vjeç i kërkoi të dashurës së tij Monalisa Perez, sot 20 vjeç, që ta qëllonte me armë nga një distancë prej 30 centimetrash, duke besuar se libri i trashë që mbante përpara kraharorit të tij do ta mbronte.
Por plumbi e përshkoi tej për tej librin dhe i mori jetën Ruiz, Qershorin e shkuar. Perez, nënë e dy fëmijëve, u shpall fajtore për vrasje të shkallës së dytë.
Çfarë donte të arrinte dyshja?
Sipas asaj që shkruan BBC, Perez dhe Ruiz po dokumentonin jetën e tyre të përditshme në Halstad, Minesota, duke postuar video të cilat tregonin rrengjet që i bënin njëri-tjetrit në YouTube, në përpjekje për t’u bërë të famshëm në internet.
Ata kishin filmuar rrengje të vogla, që dukeshin të padëmshme dhe kishte pak të dhëna që mund të tregonte se sa larg ishin të gatshëm të shkonin për t’u bërë të famshëm, deri më 26 Qershor të 2017-s.
Atë ditë, Perez hapi zjarr me një armë Desert Eagle, ndërkohë që Ruiz mbante një libër enciklopedie në kraharor.
Ai kishte bërë eksperimente më herët dhe mendonte se një libër i trashë mund ta mbronte, por djali 3-vjeç i çiftit dhe rreth 30 persona të tjerë që ishin online, panë sesi u qëllua për vdekje.
Ruiz u shpall i vdekur në vendngjarje. Perez ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë në kohën kur ndodhi ngjarja.