Peter Tase: NATO pranon Malin e Zi si anëtar me të drejta të plota, edhe pse kufijtë e këtij shteti nuk janë caktuar ende

120

Peter Tase është një kontribues,
gazetar i pavarur dhe një studiues i Studimeve Paragujane dhe Çështjeve të
Amerikës Latine në Shtetet e Bashkuara; ai është themeluesi i Forumit Ekonomik
të Paraguajit në Milwaukee, Shtetet e Bashkuara. Në këtë intervistë Peter Tase
flet për pranimin e Malit të Zi nga Nato si anëtar me të drejta të plota,
dhe në krahun tjetër Kosovës
i kërkohet pranimi, finalizimi i negociatave
gjysmake të mëparshme për të arritur liberalizimin e vizave për qytetarët
e saj; kjo sjellje është e pandershme dhe dëmton rëndë imazhin e NATO-s dhe BE-së.

Profesor, Ballkani Perëndimor
vazhdon të kalojë sfida ndërmjet mbetjeve të konflikteve nga e kaluara dhe të
tashmes. Ballkani sot po kalon një fazë ku NATO ka mbyllur vijën bregdetare të
Adriatikut për Rusinë me aleatë dhe anëtarë si Mali i Zi, ndërsa Rusia po
mundohet të shpëtojë çfarë ka mbetur për t’u shpëtuar me Serbinë. Çështjet më të
nxehta mbesin; Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia. Cilat janë
synimet reale të Serbisë dhe Rusisë për Kosovën dhe Bosnjën, ndërsa Maqedonia a
mund të ketë të ardhme apo nga po shkon ky vend?


Evropa Juglindore është duke përjetuar transformime të rëndësishme në
fushën e integrimit ekonomik dhe infrastrukturor rajonal dhe më gjerë, ndonëse
progresi është shumë i ngadaltë. Këtë vit, Mali i Zi u pranua në gjirin e
Aleancës së NATO-s, anëtarësimi i Podgoricës u përshpejtua për faktin se,
influenca gjeostrategjike e Rusisë në Adriatik sa po vjen edhe po rritet.
Pranimi i Malit të Zi në NATO ishte një veprim i nxituar për faktin se, kufiri
ndërshtetëror midis Malit të Zi dhe Kosovës është ende i pa caktuar plotësisht
dhe meriton një vëmendje të veçantë nga struktura të posaçme në Evropë dhe më
gjerë.  Është e vërtetë që NATO ka
konsoliduar sferën e saj të influencës në Evropën Lindore dhe Ballkan, por çështje
kryesore që prekin financimin e projekteve të mbrojtjes brenda aleancës, aktualisht,
mbeten: niveli i lartë i korrupsionit, papunësia, evazioni fiskal dhe ekonomia
informale në vende të Bashkimit Evropian si Rumania, Bullgaria dhe më gjerë. Në
vitin 2010, ekonomia e Rumanisë ka qenë informale në nivelin e 30.2 për qind. 
Bullgaria, vend anëtar i NATO dhe i Bashkimit Evropian (që nga viti 2007) ka problem kryesor luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në
Shtator 2015 Ministri i drejtësisë së
Bullgarisë, Z. Hristo Ivanov dha menjëherë dorëheqjen pasi Parlamenti Bullgar refuzoi të adoptonte masa legjislative që forcojnë
sistemin gjyqësor në Sofie. Platforma e Ministrit Hristo Ivanov
(2015), kishte për qellim emërimin nga Parlamenti Bullgar dhe nga Shërbimi i Prokurorisë e të njejtit numër anëtarësh
në Këshillin
e Lartë të
Drejtësisë,
institucion që ka si përgjegjësi
emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.  Njëkohësisht Z. Ivanov ka dashur të reduktoj pushtetin suprem të Prokurorit të
Përgjithshëm.  Parlamenti Bullgar miratoi ndarjen e Këshillit të
Lartë të
Drejtësisë
në dy struktura, njera për të
inspektuar gjyqtarët dhe tjetra për prokurorët.
Perceptimi i korrupsionit në Bullgari, shteti më
i varfër në BE, është më i larti në Bashkimin Evropian ndërsa Danimarka
konsiderohet si vendi më transparent dhe me politika publike eficiente dhe të
mirë administruara.  Sipas disa studimeve
në vitet e fundit, perceptimi mbi korrupsionin është duke ardhur në rritje në
vende si Spanja, Maqedonia, Portugalia, ndonëse në këto shtete shoqëria civile
dhe demokracia po tkurren gjithmonë e më shumë. Në lidhje me Rusinë, aleanca e
saj strategjike me Serbinë mbetet e palëkundur dhe Moska vazhdon të jetë një
faktor vendimtar në stabilitetin e Evropës Lindore, Shtetet Baltike, në Detin e
Zi dhe Ballkan. Lufta në fushën e propagandistikes, diplomacia ekonomike,
aktiviteti dinamik në organizata multilaterale, iniciativa në fushën e kundërinteligjencës
në Ballkan dhe ndërhyrja në proceset politike aktuale, veçanërisht në Evropën
Juglindore, kanë nxjerr në pah strukturën e Federatës Ruse, si një mekanizëm dinamik,
pragmatik dhe koherent, që për gjatë një dekade po sfidon me sukses prezencën e
NATO-s dhe BE në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Ballkan. Situata
aktuale në Bullgari është shumë e ngjashme me zhvillimet në Shqipëri, Maqedoni,
Bosnjë – Herzegovinë, Kosovë, pse jo edhe në Greqi.  Në përfundim: Serbia aspiron të realizojë
pavarësinë e plotë të Republikës Srpska (e cila nuk njihet nga asnjë vend anëtar
i OKB-së), të evitojë futjen e Kosovës në UNESCO dhe OKB, si dhe do të vazhdojë
të jetë një urë e ndërthurjeve gjeostrategjike të Bashkimit Evropian dhe atyre
të Federatës Ruse, ndonëse Beogradi është natyrshëm dhe historikisht i prirur të
anojë drejt Moskës. Në lidhje me Maqedoninë: Konfliktet ndër-etnike në këtë shtet
dhe kriza institucionale e agravuar nga presidenti Gjorge Ivanov, e kanë kthyer
Shkupin në vitet e fundit të Luftës së Ftohtë.


Ballkani Perëndimor ka tendenca
serioze për rrezik nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, nga na vijnë këto
elemente në të vërtetë dhe si mund t’i ndalim?


Ekstremizmi i
dhunshëm favorizohet dhe ushqehet nga
disa faktorë:

Shtetformimi i dobët,

  • Mungesa e bashkëpunimit
    rajonal;
  • Mefshtësia në implementimin e reformave ekonomike që sjellin ngritje në mikro-ekonomi dhe jo një
    rritje artificiale që nuk jep rezultate
    të prekshme;
  • Niveli i lartë i
    korrupsionit;
  • Tranzicioni demokratik i kthyer në
    sistem dhe riciklimi i figurave politike në
    të gjithë Evropën Juglindore;
  • Kriza e emigracionit që ka prekur Evropën;
  • Për sa kohë; Kosovës
    i duhen tre muaj për të formuar qeverinë;
  • Maqedonia ka një kryetar
    shteti që përbuz komunitetin Shqiptar;
  • Mali i Zi nuk i ka kufijtë ndërkombëtarë të
    finalizuar;
  • Bosnja Herzegovina vazhdon te jetë
    shtet i dobët,

besoj se rreziku i
ekstremizmit do te jetë në mes të
Evropës për
një kohe relativisht të gjatë.   


Ka një proces në Serbi ku presidenti Aleksandër Vuçiç, ka
filluar një fushatë për dialog të brendshëm për  Kosovën, ndërsa në Kosovë, presidenti Hashim
Thaçi po kërkon krijimin e një grupi uniteti për dialog me Serbinë. Pse këto dy
fushata filluan pothuajse në të njëjtën kohë, cili është qëllimi, dhe a ka
indikatorë nga jashtë për këto procese?


Roli i Gjermanisë dhe SHBA në
arritjen e këtij dialogu t
ë brendshëm
në Kosovë
dhe Serbi, është i pashmangshëm,
si rezultat ushqimi i dialogut të brendshëm në të dy vendet
është
koherent, i dobishëm dhe ndihmon për një të ardhme më
të mirë.

Kosova po has në shumë vështirësi, kemi një qeveri ku
Lista Serbe i bindet Serbisë dhe lobon bashkë me Serbinë dhe Rusinë kundër
Kosovës, kundrejt qeverisë së Kosovës. Çfarë duhet të bëjë qeveria e Kosovës me
këtë rast?


Anëtarët e Qeverisë
së Kosovës,
duhet t’i tregojnë komunitetit ndërkombëtar
se të bërit
diplomaci nëpër korridoret e hoteleve të
New Yorkut nje herë në vit, ka marrë
fund. Udhëtimet turistike të motivuara si vizita pune nëpër botë duhet të
japin rezultate konkrete. Është e
pabesueshme se si riciklohen figurat e qeverisë
së Isa Mustafës në qeverinë aktuale të Ramush Haradinajt, për shembull Z. Enver
Hoxhaj, i dalluar për apatinë e tij si Ministër i Jashtëm (2011-2014 | 2016-2017) është
promovuar aktualisht si Zv. Kryeministër.
Në radhë
të parë
klasa politike e Kosovës, duhet të konstatoj dhe korrigjoj gabimet e saj përpara se të
kërkoj mbështetjen
nga grupet politike të minoritetit serb në
vend, ndonëse lista e Ministrave serbë në Qeverinë
e Kosovës dëmton
thellësisht politikën e jashtme të
këtij shteti që ende nuk është
pranuar në OKB.

 Ka një projekt të
propozuar nga Serbia dhe të përkrahur nga BE-ja, për krijimin e një hapësire ekonomike
apo “mini-Jugosllavi”. Çfarë paraqet kjo nismë për shqiptarët në Shqipëri,
Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit?

 

Këto janë lojëra
anarkiste të Bashkimit Evropian, duke
dashur të përjashtoj rajonin e Ballkanit
nga lista e prioriteteve që fatkeqësisht realizimi i tyre ka munguar dhe
aspiratat për integrim drejt BE-së po veniten gjithmonë e më shumë; Brukseli harron se fakti gjeografik është kokëfortë.
Konsolidimi i pavarësisë së institucioneve në Prishtinë është
integrimi më i mirë që do të
ndodhte ndonjë herë për Kosovën.


Serbia vazhdon ta bllokojë Kosovën për anëtarësim në
organizata ndërkombëtare si OKB dhe UNESCO, madje duke përdorur edhe propagand
ë
kinematografike dhe krahasime të Kosovës me ISIS-in. Si duhet të veproj Kosova
në këtë situatë dhe pse po lejohet Serbia të bëj veprime të tilla nga
ndërkombëtarët?


Me anëtaret e kabinetit aktual qeveritar qe sapo kanë
marrë detyrën, vështirë është që të kemi rezultate konkrete nga një përballje e mundshme nëpërmjet medieve të komunikimit ose qartësimit të pozicionit të Prishtinës
në sferën
e diplomacisë publike dhe atë multilaterale.  Gjatë këtyre dhjet vjetëve
Kosova ka treguar që është një
shtet shume i dobët, me lider të pa-afte për
të qeverisur dhe me një imazh jo të
mirë në
arenën ndërkombëtare.


Kosova ka edhe një problem – qeveria e tanishme e
kundërshton ndarjen e vijës kufitare me Malin e Zi që është bërë nga qeveria e
kaluar, në anën tjetër Mali i Zi tani deklarohet se kjo është një çështje e
kryer për ta, edhe pse marrëveshja thotë se, hyn në fuqi pas ratifikimit nga dy
kuvendet. Si mund të zgjidhet kjo çështje, pasi për Kosovën është kusht
demarkacioni me Malin e Zi për liberalizim vizash. A mund të gjendet një
zgjidhje e shpejtë apo ndonjë zgjidhje kalimtare apo a ka mundësi të ndryshimit
të marrëveshjes kur jemi para një presioni ndërkombëtar që e përkrah këtë
version dhe me një Mal të Zi në NATO?


Së pari, pranimi i Malit të Zi në NATO, në një
moment kur konturet gjeografike të këtij
shteti të porsalindur nuk janë përcaktuar
ende, është
e pandershme, dhe një gabim që rëndon
vetëm mbi vendet anëtare të
NATO-s, përfshi Shqipërinë, ky
vendim cenon fare hapur imazhin e kësaj
aleance mbrojtjeje që është më e
vjetra dhe më gjithëpërfshirësja në botë


Së dyti, vendimi i marrë nga qeveria e
Kryeministrit Ramush Haradinaj në Kosovë, është një
veprim më se i duhur, vlen për tu përshëndetur
hapi i menjëhershëm i zotit Haradinaj në
lidhje me këtë çështje. Mungesa e
Liberalizimit të Vizave nga Bashkimi
Evropian për qytetarët Kosovarë, si pasoj
e pezullimit të vijës së
demarkacionit midis Kosovës dhe Malit të Zi, është një qëndrim refraktar i
Brukselit, i cili nuk i shërben
integrimit ekonomik rajonal dhe shkakton skepticizëm
të thellë
nga vendet Ballkanike në lidhje me këto
standarde të aplikuara nga Brukseli, që nuk janë aspak të arsyeshme dhe aq më
pak të njëtrajtshme. Si është e mundur që NATO pranon Malin e Zi si anëtar
me të drejta të plota, megjithëse kufijtë
e këtij shteti të ri, nuk janë caktuar ende
dhe në krahun tjetër Kosovës i kërkohet pranimi, finalizimi i negociatave
gjysmake të mëparshme për të arritur liberalizimin e vizave për qytetarët
e saj; kjo sjellje është e pandershme dhe dëmton rëndë imazhin e NATO-s dhe BE-së. Podgorica dhe
Kosova, duhet të rifillojnë edhe një herë
negociatat nga fillimi, çdo veprim të bëhet i kujdesshëm,
transparent në mediet e informacionit dhe
të caktohet kufiri aty ku bien dakord të dyja palët
pa cenuar sovranitetin e askujt. Ambiguiteti,
lënia në
harresë e këtyre
sfidave do t’i shërbente vetëm kaosit, konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në
rajon dhe Evropë. Brukseli nuk duhet të ripërsëritë të njëjtat
gabime të periudhës së pas Luftës së Parë Botërore. 

 

Intervistoi: Gurakuq Kuçi (Kosovë)