Meta takon Ivanov: Projekte në infrastrukturë, rrisim shkëmbimet

400
Sigal

SHKUP – Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit sot në Shkup nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta dhe Presidenti i Maqedonisë, Ivanov biseduan mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe vunë në dukje se rritja e shkëmbimeve dhe forcimi i bashkëpunimit cilësor mes dy vendeve fqinje i shërben avancimit të projekteve konkrete të përbashkëta me interes të madh reciprok.

Presidenti Ivanov nënvizoi rëndësinë e afrimit mes dy vendeve dhe dy popujve përmes forcimit të lidhjeve infrastrukturore.

Në këtë drejtim, duke vënë në dukje rëndësinë e avancimit me projektin strategjik hekurudhor mes dy vendeve, Kryetari Meta dhe Presidenti Ivanov ndanë bindjen e përbashkët se përforcimi i ndërlidhjeve infrastrukturore dhe energjetike në të dy anët e kufirit do t’i shërbejë rritjes së shkëmbimeve tregtare e kulturore mes dy vendeve dhe dy popujve.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Presidenti Ivanov theksuan se në emër të së ardhmes së përbashkët evropiane dhe duke vlerësuar rëndësinë e harmonisë ndëretnike dhe ndërfetare në rajon, dy vendet duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në avancimin e procesit të integrimit evropian, duke e ngritur bashkëpunimin dypalësh dhe atë rajonal në një nivel edhe më të lartë.

Në përfundim, Meta shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe nënvizoi se e ardhmja e të gjitha vendeve të rajonit gjendet në integrimin e plotë brenda strukturave euro-atlantike.