Maqedonia voton për pushtetin komunal

87
Sot në Maqedoni po mbahen zgjedhjet vendore. Gara në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit si njësi e veçantë administrative pritet të jetë e vështirë, ndërsa mendohet se pak garues mund të fitojnë që në raundin e parë.
Gjithsej janë 260 kandidatë për kryetarë komunash dhe shumë më tepër kandidatë për anëtarë të këshillave komunalë.
Zgjedhjet vendore në Maqedoni priten me interes edhe nga vëzhguesit vendas dhe të huaj. Zgjedhjet po ndiqen nga mbi pesë mijë përfaqësues të organizatave joqeveritare të Maqedonisë dhe 373 vëzhgues të huaj, nga misioni ODIHR i OSBE-së, vëzhgues nga disa prej komisioneve qendrore të vendeve fqinje dhe nga ambasadat e huaja në Shkup.
Ajo që prej vitesh ka qenë çështje debati është numri i madh votuesve të regjistruar. Maqedonia ka 1 milionë e 814 mijë e 644 votues. Nuk ka apsur një regjistrim të popullsisë që nga viti 2002 kur kishte pak mbi dy milionë banorë.
Fushata që u parariu zgjedhjeve të së dielës rrodhi kryesisht e qetë, por e përshkuar nga një retorikë e ashpër e herë – herë denigruese.
Në garën për kreun e Shkupit si favorit shihen Petre Shilegov i Lidhjes Social Demokrate dhe Koce Trajanovski i VMRO-DPMNE-së, i cili garon për një mandat të dytë. Por, fitoren e njërit ose të tjetrit pritet ta përcaktojnë votuesit shqiptarë në balotazh.
Shqiptarët pritet ta drejtojnë komunën e Tetovës, të Gostivarit, Çairit në Shkup, Strugën, eventualisht dhe Kërçovën si dhe Dibrën e Madhe dhe disa komuna rurale në veri-perëndim të vendit.
Zgjedhjet vendore në Maqedoni priten me po aq interes sa edhe zgjedhjet e përgjithshme.
Komuniteti ndërkombëtar haptazi ka lënë të kuptohet se pjekuria demokratike, përkatësisht procesi i zgjedhjeve do të diktojë rrugën dhe avancimin e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.