Maqedoni, 4 akuza ndaj ish-kryeministrit Gruevski

616
Ish-kryeministri dhe kreu aktual i VMRO-DPMNE-së është akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale Publike për 4 çështje të ndryshme, përfshi këtu rastin “Titanik” për shpërdorime zgjedhore; rastin “TNT” për rrënimin e objektit të “Fiat Canovskit-Kosomos”; rastin “Trajektorja” për ndërtimin e autostradave; si dhe rastin “Tanku”, për furnizimin e Mercedesit me 580 mijë euro.
Nëse ai do të gjykohej dhe do të shpallej fajtor për këto 4 akuza, nga përllogaritjet e medieve maqedonase thuhet se ai rrezikon deri në 22 vite burg.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i vet udhëheqësit të VMRO-së, i cili ka dalë në një konferencë për shtyp. Sipas tij, VMRO-ja po sulmohet si asnjëherë më parë me synimin për t’u thyer si parti, e për t’u dobësuar Maqedonia.
“Si asnjëherë më parë në historinë e Republikës së Maqedonisë, por jo edhe të tërë Europës, nuk ka ndodhur një ndjekje e tillë klasike politike ndaj kundërshtarëve politikë. Qindra persona, të cilët janë pjesë e organeve, ose mbështetës të VMRO-DPMNE-së, ndiqen me qëllim që partia të shkatërrohet ose të heshtë”, theksoi Gruevski.
Ai mendon se Prokuroria Speciale Publike është një instrument për ndjekje politike dhe, ndaj dhe të gjitha proceset janë kundër kësaj partisë së tij.
“Nuk ekziston asnjë shembull historik për diçka të tillë. Atë që kemi thënë, ajo edhe ka ndodhur. Bëhet fjalë për një proces politik e joligjor. PSP-ja moti e ka humbur paanshmërinë dhe kredibilitetin në punën e tij dhe u bë instrument për ndjekje politike. PSP nuk është prokurori, PSP është zyra e LSDM-së. Treguesi më i madh se është proces politik, i cili ka qëllim politik, është ajo që bart vendime pa kurrfarë dëshmish ligjore. Procesi është politik e joligjor. E një proces i tillë politik duhet të përfundojë me politikë, e jo me vendime ligjore. Synimi është VMRO-ja, qëllimi është thyerja e saj, eliminimi politik dhe vendosja nën kontroll për qëllime më të mëdha, të cilat janë të nevojshme për atë që e krijuar tërë këtë proces”, theksoi kreu i VMRO-DPMNE-së.
Sigal