Gazeta Telegraf/
Liderët në Shtetet e Bashkuara, nga radhët e të dy
partive politike, kanë shprehur zemërimin e tyre, mbi komentet e kandidatit
republikan për president, Donald Trump, i cili ka refuzuar të thotë ‘nëse do ta
pranojë rezultatin zgjedhor në rast të humbjes në zgjedhjet presidenciale të 8
nëntorit’.
Presidenti Barack Obama e quajti të “rrezikshëm” pohimin
e Trumpit se zgjedhjet janë “të manipuluara” dhe kjo, me sa duket, ‘për shkak
se sondazhet tregojnë se kundërkandidatja e tij demokrate, Hillary Clinton
është shumë më përpara tij’.
“Kur ju përpiqeni të mbillni dyshim në mendjen e njerëzve
lidhur me legjimitetin e zgjedhjeve tona, kjo gjë dëmton demokracinë tonë”, ka
thënë Obama.
“Kur ju sugjeroni se ka manipulim apo mashtrim pa ofruar
asnjë provë …Trump bëhet i nominuari i parë i një partie të madhe në
historinë e Amerikës që sugjeron se ai nuk do të pranojë rezultatin pavarësisht
humbjes … kjo çështje nuk është shaka”, ka thënë presidenti Obama.
Kryetari i dhomës së përfaqësuesve të SHBA-së, Paul Ryan,
përmes zëdhënësit të tij ka thënë se “demokracia jonë varet në besimin në
rezultatet zgjedhore dhe zoti Ryan është i sigurt se shtetet do t’i organizojnë
këto zgjedhje me integritet”.
Senatori republikan John McCain, i cili në zgjedhjet
presidenciale të vitit 2008, u mposht nga Obama ka thënë se “mua nuk më pëlqeu
rezultati i zgjedhjeve të vitit 2008. Por e kam pasur për obligim që ta pranojë
atë dhe e kam bërë pa ngurrim. Koncesioni është akt i respektit për të mirën e
amerikanëve, një respekt që është përgjegjësia e parë e çdo lideri amerikan”,
ka thënë McCain.