Kur mendjet e vogla hipin në karriget e mëdha

663
Bardhyl Berberi
Befas duke ecur rrugës më ndaloi një plak i moshuar dhe shumë i mençur nga Mokra. Pasi shkëmbyem përshëndetjet e çastit më thotë: – A e di ti, o gazetar, sepse punët po na shkojnë çorap në këto vite 27 demokracie… Ja po ta them unë . Unë jam 88 vjeç dhe kam punuar në punë të ndryshme, në atë kohën para se të vinte demokracia dhe po ta them sinqerisht; Ashtu si dje në diktaturë ngriheshin në pozitë ata çyrykët që bënin një shkollë partie edhe sot në demokraci ka dy dekada e ca që vëzhgoj e çuditërisht ato mendjet më të vogla dhe më pavlerë hipin në karriget më të mëdha që ka shteti…Është fatkeqësi, kur në një shoqëri, njerëz jo të zakonshëm, që kanë vetëm një fasadë, jetojnë si shushunja me mosbesimin dhe pasigurinë në vetvete, si pasojë e kompleksit të inferioritetit dhe vlerës së ulët që ata kanë si kapacitete. Ata janë të vetëdijshëm se janë mediokër dhe dështakë falë mungesës së aftësitë dhe kapacitetit të tyre real. Por ata shndërrohen në servilë, karakterlëkundur, materialistë të pashpirt, të manipulueshëm dhe hileqarë, që do të bënin gjithçka, duke u hequr si të zgjuar, vetëm e vetëm për të qenë në “trend” me situatat e çastit, qoftë edhe nëse trendi është negativ. Në raste të këtilla, kur persona të tillë janë me ndikim në shoqëri herët apo vonë, do ti kaplojnë kriza shumëdimensionale. Për të ardhur keq është kur e mendon se njerëz të tillë mëndje vegjël ka në çdo strukturë dhe në çdo segment të shoqërisë tonë. Ky fenomen është i shtrirë egërsisht në çdo qelizë të jetës dhe ,duke pasur parasysh këtë, sot Shqipëria ndodhet në këtë situatë krize morale. Krizë që për hir të së vërtetës nuk po i shihet fundi dhe që e gjitha e krijuar nga mendësia e shumë faktorëve, që padrejtësisht po i imponohen shoqërisë sonë E gjithë situata në Shqipëri nxori në pah perversitetin intelektual dhe moral të shumë ashtuquajtur intelektualë duke dalë para ekraneve të televizionit, në çdo emision dhe në çdo dalje publike të tyre, duke shfryrë vrer dhe duke deformuar të vërtetat, me qëllimin që të çorientojnë masën e gjerë popullore. Kur them korruptive, dua të them se gjithçka, u bashkuan keqbërës dhe dashakeqës së shqiptarëve, të paguar e stërpaguar, u vendosën në shërbim të zhbërjes së një demokracie të brishtë . Si hiena u vërsulën për të goditur dhe hedhur baltë mbi gjithçka që është arritur deri më sot . Pamë , dëgjuam e përjetuam atë që mund ta “pjellë “vetëm mendja e vogël. Shpifje, akuza, shpikje dhe shantazhe të paskrupullta në adresë të faktorit ndërkombëtar. Agresion i paparë djallëzor! Dhe e gjitha për hir të së vërtetës ne po godasim emblemat e kulturës sonë kombëtare hedhin në tregun mediatik lloj-lloj çorbash të prishura. Doli në dritë fytyrën e vërtetë të “papagajve” të korruptuar shqiptarë e të tjerë, që vjellin çdo ditë sharje dhe akuza të ndërsjella. Kjo periudhë gjithashtu nxori në pah misionin e dështuar të shumë faktorëve vendorë, që përmes dëmtimit të demokracisë në Shqipëri e në emër të stabilitetit po dëmtojnë demokracinë e brishtë. Dhe më e keqja është se tek ne nuk ka opozitë. A mund të ndodhë kjo në një vend normal? Kurrë! E pra kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Por duket se brenda PD-së ka intelektualë të mirëfilltë, të vendosur dhe nuk kanë pse të kthehen në vegla të Lul Bashës dhe të bëjnë estradë me humbësin duke e lënë PD-në si shoqatë! Në pamje të parë, kjo duket se nuk ka ndonjë të keqe, por këtu qëndron e keqja më e madhe, se tek ne nuk ka opozitë të vërtetë. Opozita është e kapur…

Duke dashur të përfundoj, dua të kthehem në atë që thashë në fillim të këtij komenti se, njerëz mendjevegjël, të paaftë, servile, mediokër që kanë hipur në karrige të mëdha (kupto të rëndësishme) mbijetojnë në çdo qelizë të shoqërisë sonë duke e dëmtuar atë në mënyrë katastrofike. Kjo racë e re servilësh që ka bërë një korrupsion galopant me tenderë dhe karrigen zyrtare është një e keqe e madhe, e cila po përhapet si një epidemi dhe po asfikson krejt shoqërinë shqiptare…
Sigal