Kriza politike në Kosovë, Berisha: Opozita të shkojë tek Jahjaga

527
Deputeti i NISMA për Kosovën, Zafir Berisha i ka dhënë një këshillë liderëve politike të opozitës, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn e Visar Ymerin që të marrin pjesë në takimin me presidenten Atifete Jahjaga për të zgjedhur një zgjidhje mbi krizën politike në Kosovë.
Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” Berisha deklaroi se liderët e opozitës duhet ta bindin Presidenten Atifete Jahjaga që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ai theksoi se kjo do të ishte e vetmja mënyrë që ‘mafiozët qeveritarë shkojnë në shtëpi.’
“Opozita ka më shumë arsye që të shkojë se sa të mos shkojë në takim me presidenten. Kosova gjendet në krizë të thellë politike dhe institucionale si rezultat i koalicionit të papërgjegjshëm PDK/LDK/SRPSKA, dhe për këtë ka muaj që opozita është duke reaguar me të gjitha metodat e mundshme demokratike dhe ligjore. Duke qenë në rrugën e zotit dhe shtetndërtimit, opozita ka arritur të marrë mbështetjen e madhe qytetare në kauzen e vet dhe me këtë ka paralizuar funksionimin e kësaj qeverie të dëmshme për interesat e vendit.
Ne rrugëtimin e vet të drejtë për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe sovranitetit të vendit, opozita disa herë i është drejtuar Presidentes, dhe hera e fundit që i është drejtu ka qenë pikërisht në funksion të përpjekjeve për dalje nga kriza duke kërku çuarjen e vendit në zgjedhje. Në funksion të këtyre përpjekjeve, opozita nuk duhet të humb në hapat vendimtarë për me nxjerrë vendin nga kriza, përballë një garniture të papërgjegjshme politike siç është blloku qeveritar.
Opozita duhet të shkojë në takim me presidenten dhe me gjuhën e fakteve dhe të argumenteve në prezencë të Isës dhe Hashimit duhet ta bindë presidenten ashtu siç e ka bindë qytetarin e vendit se pse është jetike me shkuar vendi në zgjedhje, sepse në të kundërtën mund të humben hapat drejt realizmit të nevojës që ka vendi për ta çuar në shtëpi këtë bandë mafioze qeveritare!”, citohet në mesazhin e tij në FB.
Sigal