Kriza e emigrantëve, Italia paralajmëron mbylljen e porteve për anijet

659
Sistemi i mikpritjes dhe i strehimit të emigrantëve në Itali gjendet aktualisht në një situatë mjaft të vështirë.

Vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë rreth 12 mijë emigrantë në bordin e 22 anijeve që priten të zbarkojnë në portet italiane.

Qeveria italiane po vlerëson hipotezën e mbylljes së porteve. Gjatë orëve të fundit qeveria e Gentilonit me anë të Ambasadorit të saj në BE, Maurizio Massari, i ka prezantuar Komisionerit europian për emigracionin Dimitris Avramopoulos situatën mjaft të vëshitrë me të cilën po përballet Italia.

“Është e papranueshme që të gjitha anijet që shpëtojnë emigrantë në Mesdhe të zbarkojnë në Itali”, thuhet në letrën që Italia i ka drejtuar BE.

“Europa nuk mund të na lërë vetëm e të na kthej kurrizin. Ndryshe ne jemi të detyruar të mos lejojmë hyrjen në portet tona të anijeve që nuk kanë flamur italian.”

Italia prej vitesh bashkëpunon në operacionet e shpëtimit të jetës së mijërave emigrantëve në det, por sipas qeverisë italiane “përballë një situate të tillë është e prapranueshme që të gjitha anijet me emigrantë të zbarkojnë në brigjet italiane.”

Hipoteza e mbylljes së porteve ka të bëjë jo vetëm ndaj anijeve të organizatave jo qeveritare që operojnë me operacionet e shpëtimit në Mesdhe, por dhe ndaj flotës detare të operacioneve europiane Frontex e Eunavformed.

Nga Kanadaja ku ndodhet për një vizitë zyrtare pune, Presidenti i Republikës italiane, Sergio Mattarella, ka deklaruar se “se nëse fenomeni i fluksit të emigrantëve do të vazhdojë të jetë kaq i lartë, nuk mund të përballohet dot as nga një vend i madh e zemërgjerë siç është Italia.”

“Gjatë këtyre orëve jemi në vështirësi të mëdha për të administruar fluksin e emigrantëve”, është shprehur kryeministri Gentiloni, e i kërkojmë Europës e disa vendeve të BE të mos të na lejnë vetëm.”

“Nga Italia vjen një thirrje alarmi, një sos e jo një kërkesë parash”, ka deklaruar kryetari i PE Antonio Tajani. “Italia nuk duhet lënë vetëm”.
Sigal