Zgjedhjet lokale, pas gjashtë vitesh Kavaja i rikthehet demokratëve

565
Me një diferencë të ngushtë votash, posti i Kryetarit të Bashkisë Kavajë, u fitua nga kandidati demokrat Isa Sakja, njëherësh kreu i kësaj partie në këtë qytet
Rreth orës 04:00 të mëngjesit të së mërkurës, pas një beteje të fortë mes dy rivalëve për postin e Kryetarit të Bashkisë, Kavaja u njoh me fituesin. Diferenca në vota ishte tepër e ngushtë, por fitorja në fund i kaloi kandidatit të Partisë Demokratike, Isa Sakja, njëherësh kryetari i degës së kësaj partie në Kavajë. Në këtë betejë ai mundi kandidatin e Partisë Socialiste, Dorjan Murati me një diferencë prej 28 votash. Demokratët në këtë mënyrë rimarrin bastionin e tyre historik, pas dy humbje radhazi në 2011 dhe në 2015. Pas mbylljes së numërimit të votave të fundit dhe rezultatit me fitoren e PD, Kavaja dha edhe mesazh të madh qytetarie. Shpallja e fituesit u shoqëruar me një përqafim mes dy rivalëve të fortë, kandidatëve në garë, Isa Sakja dhe Dorjan Muratit. Ndërkohë fituesi ka dhënë një mesazh për të gjithë votuesit dhe qytetarët e tij duke i falënderuar dhe duke deklaruar se bashkia do të jetë në shërbim të tyre. “Faleminderit të dashur bashkëqytetarë. Faleminderit që qëndruat, luftuat dhe më besuat. Ju jam pafundësisht mirënjohës për gjithë angazhimin tuaj në këtë fushatë qytetarie që zhvilluam së bashku për një Kavajë për qytetarët e saj, për një bashki në shërbim të qytetarëve, pa i ndarë ata në të djathtë e të majtë. Mirënjohje”, tha ai. Procesi i numërimit të votave për kreun e Bashkisë Kavajë, zgjati më shumë se 16 orë. Nuk pati asnjë incident apo parregullsi. Kavaja njihet si bastion i të djathtëve. Zgjedhjet për kryetar bashkie erdhën pas largimit të ish-kryetarit të zgjedhur nga e majta Elvis Rroshi. Ky i fundit u shkarkua pas verifikimit të dokumentacionit në zbatim të ligjit për dekriminalizimin. Rroshi pati një betejë të gjatë me drejtësinë. Ai u akuzua nuk kishte pasqyruar në formularin e dekriminalizimit një dënim të marrë në Itali vite më parë. Avokati i Rroshit, Theodhori Sollaku gjatë mbrojtës së ushtruar, pati deklaruar se Rroshi nuk kishte dijeni për vendimin e dhënë nga autoritetet Italiane, të cilat e akuzonin atë kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitur. 

Rezultati final në Kavajë
Isa Sakja në përfundim të procesit të numërimit mori 11.155 vota, ndërsa Dorjan Murati, 11.127 vota dhe Maksim Kona i LSI-së1969 vota. Ndërkaq komisionerët kanë gjetur 80 vota të hedhura në kutinë e gabuar, atë të kandidatëve për deputetë, për të cilat do të vendosë KQZ. Megjithatë sipas tyre rezultati nuk ndryshon. Një tjetër fakt i rëndësishëm është dhe numri i madh i votave të pavlefshme, plot 698 të tilla.
Sigal