Kreu i bandës së Urës Vajgurore kërkon lirinë nga Kanadaja/ Vrau katër policë, dy prej tyre i dogji brenda tankut

448
Sigal

Edhe pse është në kërkim për një nga masakrat më të tmerrshme në Shqipëri, Musa Protoduari ka kërkuar rishikimin e masës së sigurisë ndaj tij, pasi akuzohet për vrasjen e katër policëve në Urën Vajgurore.

Protoduari ndodhet në Kanada prej shumë vitesh, ndërkohë që kërkesën për rihapjen e çështjes e ka bërë përmes avokatëve të tij. Gjykata ka vendosur dënim për jetë për Protoduarin.

Masakra e Urës Vajgurore ka ndodhur më datë 17 qershor 1997, në kulmin e trazirave. Nga kjo ngjarje mbetën të vrarë 5 persona dhe u plagosën 6 të tjerë, të gjithë punonjës policie.

Të vrarët:

Miltiadh Koçi, punonjës i policisë
Arjan Shemuni, punonjës policie
Asllan Selami, punonjës policie
Ilia Bano, punonjës policie

Roja i vilës së Protoduarëve, i paidentifikuar

Të plagosur:

Thimi Tanku, punonjës policie
Ylli Dhamo, punonjës policie
Neim Gjeroveni, punonjës policie
Ëngjëllush Pasha, punonjës policie
Arben Bega, punonjës policie
Shkëlqim Selfo, punonjës policie

Të dënuarit:

Musa Protoduari, i dënuar me burgim të përjetshëm
Shkëlqim Protoduari, i dënuar me burgim të përjetshëm
Fran Marashi, i dënuar me burgim të përjetshëm
Fatbardha Protoduari, dënuar me 25 vjet burg, gruaja e Musait
Sokol Ndreu
Gjovalin Ndreu
Preng Miri
Gjelosh Miri

Si ndodhi përplasja:

Përplasja e armatosur ka filluar në orën 11:55 të paradites, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike. Atë ditë, në këtë qytezë ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS , i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD-në në miting i ndjeri Azem Hajdari dhe Genc Pollo.

Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD-së është larguar dhe pas saj ka ardhur ajo Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie. Atë kohë, qytetin e kontrollonin bandat, që pas hapjes së depove të ushtrisë. Krerët e PS-së pas mitingut në Berat ishin larguar nga qyteti për të vijuar rrugën drejt Fierit.
Eskorta që shoqëroi drejtuesit e PS-së, mbërriti në Urën Vajgurore, kur një i ri qëlloi drejt rojeve të vilës së Protoduarëve, që thuhej se ishin mbështetës të Partisë Demokratike.

Të vendosur mbi tarracën e vilës, rojet e Protoduarëve vranë një 17-vjeçar. Pjesa e eskortës, që mundi të kalojë vilën shkoi në Berat dhe mori përforcime të mëdha armësh municioni dhe njerëzish.

Kurse pjesa tjetër që mbeti pas, u mblodh në sheshin përpara karburantit të Urës. Disa persona rrëmbyen një autoblindë policie, duke kërcënuar uniformat blu dhe nën urdhrat e civilëve blindi i policisë u nis për tek vila e Protoduarëve.

Rojet e vilës u detyruan të qëllojnë mbi tankun me predhë antitanku, pa e ditur se brenda tij kishte ende policë.

Dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut, dy të tjerët Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindit.

Nga ana tjetër, rojet e vilës, të ndodhur midis dy zjarreve, mundën të tërhiqen, por jo të gjithë. Njëri prej tyre u kap rob nga kundërshtarët dhe u ekzekutua. Trupi i tij u lidh pas një autoveture, me të cilën e zvarritën deri në Berat, ku e dogjën.