Irena Beqiraj: Të zhveshur, drejt tregut ekonomik Europian

400
Sigal

Të zhveshur,  drejt tregut Europian

Irena Beqiraj, ish zëvendësministre e Financave

Ngrica e tregut Europian dhe ekonomia shqiptare!

Duke folur për integrimin Europian  në një grup ekonomistësh, dëgjova një  koleg të thoshte “ me nivelin e zhvillimit teknologjik që ka ekonomia shqiptare, nuk do t’i mbijetojë dot “ngricës”  së tregut Europian.

Sipas të dhënave zyrtare të tregëtisë ndërkombëtare gjatë  vitit 2018,  në nivel global eksporti i mallrave kapi vlerën 17.3 trilion dollarë, ndërkohë që eksporti i  shërbimeve ishte në vlerën 5.1 trilion dollarë. Në nivel global eksporti i shërbimeve zë  gati 23% të tregëtisë ndërkombëtare. Eksporti i shërbimeve në pamje të parë ka këtë peshë specifike 23% , që prej 1990. Por ka një detaj tërësisht të padukshëm në debatin mbi tregëtinë, për të cilën  duhet të jemi të vëmendëshëm.

Psh. një ilaç i ri që shitet në tregjet  ndërkombëtare, edhe pse si  transaksion formalisht regjistrohet si tregti mallrash, vlera e vërtetë e tij, nuk qëndron  në procesin e prodhimit, por në vitet e kërkim zhvillimit që çuan në zbulimin dhe zhvillimin e ilaçit.

Sipas një studimi të bërë nga Instituti Global  McKinsey, shërbimet e kërkim zhvillimit, modelimi, marketingu i personalizuar dhe shpërndarja përbëjnë rreth një të tretën e vlerës së mallrave të prodhuara dhe të tregtuara. Vetëm duke rrillogaritur vlerën e shërbimeve të  kërkim zhvillimit,  modelimit dhe  të drejtave intelektuale si zë të eksportit global të shërbimeve, pesha specifike e këtij të fundit rritet nga 23% në 45% . Flukset e eksporteve të shërbimeve janë tashmë shumë të mëdha për t’u injoruar dhe  ato pritet që  rriten me shpejtësi.

Vala e inovacionit teknologjik pritet të  zgjerojë  më tej  gamën e shërbimeve që do të exportohen në të ardhmen nga gjithë ekonomitë botrore. Rrjetet ultra të shpejtë 5G, realiteti virtual, dhe robotika e përparuar do të bëjnë të mundur që më shumë shërbime të të ofrohen në distancë, duke  filluar nga mirëmbajtja e paisjeve industriale deri tek kryerja në distancë e një operacioni mjeksor.

Ekonomia e të ardhmes do të drejtohet  kryesisht nga eksporti i shërbimeve, i cili do të jetë baza e zhvillimit.  Shërbimet do të jënë  burimi  më i rëndësishëm i  punësimit dhe tregtisë dhe  automatizimi do të vazhdojë  të zëvendësojë kapitalin  njerëzor.

Zhvillimi teknologjik,  do të bëj edhe më  “të akullta” tregjet botërore  për produktet e shërbimet shqiptare, të cilat janë me vlerë të ulët, edhe  për shkak të mungesës së përdorimit të teknologjisë në prodhimin apo ofrimine tyre.

Të humbur prej kohësh në labirinthin e prioriteteve, të angazhuar e të ngazëllyer nga arritje si: marrja e Drejtimit të OSBE, arritja e marrëveshjes rajonale të Mini shengenit, apo  prezantimi i platformave online për të denoncuar raportuar dhe  qëndisur flete rrufe, kemi harruar, neglizhuar, të merremi  seriozisht me prioritetin e bazë, ekonominë digitale.

Të merresh seriozisht me ekonominë e të ardhmes nuk ka të bëjë vetëm me sfidën e hartimit të një  strategjie. Përkundrazi, ajo që kërkohet  është planifikimi edhe bashkërendimi i  ekonomisë  dixhitale në katër fusha: infrastrukturë, kapital njerëzor, financa, industri.

E nëse Minishengeni është vërtet  qëllim  e jo thjesht një fabul për konsumin politik të radhës , politikëbërësit në nivelit rajonal – le ta të fillojnë  me  ndërtimin e urave të bashkëpunimit në këtë fushë, duke krijuar  “ një antenë të përbashkët ” për të identifikuar sfidat e reja teknologjike dhe zhvillimore. Serbia, është një hap para edhe këtu. Serbia ka filluar tanimë procesin e hartimit të strategjisë së saj Kombëtare të Digitalizimit.

Bejmë mirë, një akt nobël do thoja,  që si kryesues të  OSBE, vet Kryeministri shqiptar   kujdeset  për konfliktin në Ukrahinë. Por ka disa detyra brenda vendin nuk presin, duke ja hequr luksin kujdo kryeministri shqiptar të merret me misione qëllim mira ndërkombëtare. Vala e zhvillimit teknologjik është e fortë e shpejtë. Për fatin tonë të keq nuk na le shumë kohë. Ajo kërkon  një orë e më parë qeveria së  bashku me aktorët e tjerë ekonomik  të hartojnë   politikat e duhura, të cilat do të mundësojnë  adoptimin e ekonomisë tonë në kushtet e reja. Në të kundërt, kolegu kishte të drejtë ekonomia jonë do të kishte  po aq mundësi të mbijetonte në tregun  europian, apo botëror,  sa mundësi ka të mbijetojë në Polin e Veriut një njeri i veshur vetëm me rroba banje.