Italia 2.2 milionë euro për të ‘luftuar’ drogën

497
Sigal

Qeveria italiane sapo ka aprovuar një fond prej 2.2 milionë euro për të forcuar luftën kundër trafikut të drogës e substancave të reja sintetike e psikoaktive.

Ky financim i parashikuar në marrëveshjen e nënshkruar pak orë më parë mes Departamentit Antidrogë e Departamentit të Sigurisë publike të Ministrisë së Brendshme e Ministrisë së Familjes synon të forcojë sinergjinë mes dikastereve instituticionale kundër trafikut të lëndëve narkotike.

2.2 milionë euro janë parashikuar për të fuqizuar fluksin e informacionit ndaj trafikut të lëndëve narkotike në territorin italian, shpërndarjen e informacionit ndaj substancave të reja psikoaktive që qarkullojnë tek të rinjtë e jo vetëm, gjurmëshmërinë e trafikut të drogës, si dhe për masat ereja për shpërndarjen e rezultateve të analizave laboratorike të sistemit parlajmërues kombëtar.

Gjithashtu ky fond do të shërbejë për t’i dhënë më shumë forcë shërbimeve të inteligjencës në gjurmimin e kanaleve në web që shërbejnë për prokurimin e substancave psikoaktive e drogës sintetike si dhe në aktivizimin e iniciativave të reja për parandalimin e përhapjes së tyre tek të rinjtë.

“Lufta kundër drogës, trafikantëve, përdoruesve të drogës, kundër ilegalitetit është prioriteti i punës sonë,”-komentoi ministri i brendshëm Matteo Salvini.

Ndërsa për ministrin e Familjes, Lorenzo Fontana “lufta kundër drogës tashmë do të bazohet dhe në instrumenta të rinj që do të forcojnë ato ekzistues duke identifikuar në mënyrë më të shpejtë e të detajuar rrugët e narkotrafikut në Itali si dhe shpërndarjen  e tyre përmes internetit.”

Të dhënat e fundit që disponojnë autoritetet italiane flasin për një përhapje të drogave të fuqishme sintetike tek të rinjtë  e në raste dramatike të humbjes së jetës nga to.