Greqi, bisedimet me Trojkën nisin të hënën

542
Bisedimet për programin e tretë të shpëtimit të Greqisë nuk nisën siç parashikohej, këtë të premte, dhe me shumë gjasë do të shtyhen deri të hënën, sepse pala greke dhe përfaqësuesit e Trojkës nuk kanë vendosur ende vendin e saktë se ku do të mbahet takimi.
Zëdhënësja e qeverisë helene, Olga Gerovasili, hodhi poshtë hamendësimet se ngërçi vinte për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, dhe shtoi se negociatorët e Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar mund të mbërrijnë të shtunën paradite.
Ndërsa burime nga Bashkimi Europianë thanë se nuk janë mbyllur ende disa detaje teknike për strukturën e takimit.
Por sipas britanikes “The Guardian”, ngociatorët duan të kenë akses në dosjet e Ministrive të ndryshme, njëlloj si para marrjes së pushtetit nga Syriza, çka konsiderohet si humbje nga ana e radikalëve të majtë, që u zotuan janarin e këtij viti që do të shporrnin Trojkën nga Athina.
Madje ka sugjerime se ka aq pak besim mes palëve pas muajve të lodshëm me negociata dhe kërcënime, saqë Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që Greqia të dërgojë kërkesë zyrtare ku të miratojë praninë e institucionit financiar në takim.
Pas miratimit të dy paketave të masave shtrënguese në parlament, Greqia pritet të sigurojë 86 miliardë euro nga kreditorët, për shmangur kolapsin total të shtetit dhe daljen nga Eurozona.
Pas më gati një muaji, të premten u shfuqizuan edhe kufizimet e transfertave bankare jashtë Greqisë për bizneset, duke zhbllokuar importet që kishin asfiksuar tregjet.
Sigal