Gjermania: Të mos vonohet çelja e negociatave me Shqipërinë

100

Në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, të martën në Bruksel, qeveria gjermane ka reaguar ndaj propozimit të Francës për strategjinë e zgjerimit të BE-së.

E pyetur nga DW, Ministria e Jashtme gjermane është shprehur se reforma e zgjerimit të BE-së nuk duhet të vonojë çeljen e negociatave:”I njohim sugjerimet e qeverisë franceze për reformën e zgjerimit të BE-së. Ne jemi të hapur për të diskutuar për përmirësimin e procedurave te zgjerimit për sa kohë që kjo nuk vonon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” thuhet në përgjigjen e ministrisë së Jashtme dërguar DW.

“Ministri i Jashtëm Maas e konfirmoi këtë edhe gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën e kaluar. BE tani duhet të mbajë fjalën e saj, sepse kushtet për fillimin e negociatave janë përmbushur. Vazhdimi i politikës së suksesshme të pranimit në BE dhe një zhvillim i qëndrueshëm afatgjatë i Ballkanit Perëndimor janë në interesin tonë strategjik”, përfundon deklarata.

Kritika nga ekspertët

Në dokumentin jozyrtar (nonpaper) Franca propozon që procedura e anëtarësimit të kalojë në shtatë etapa. Për të kaluar nga njëra etapë në tjetrën vendi kandidat do të duhet të plotësojë një grup kushtesh, ndër të cilat për shembull i pari është implementimi i ligjeve për ambientin dhe ndër të fundit është integrimi ekonomik.

Dusan Reljic, drejtori i zyrës së Brukselit në Fondacionin Gjerman të Shkencës dhe Politikës (SWP), beson para së gjithash se një dokument i politikës së jashtme, i lëshuar nga Pallati Elysee për zyrtarët e BE-së është një përpjekje për të minimizuar dëmet e shkaktuara nga refuzimi për të dhënë dritën e gjelbër në bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. “Natyrisht, Parisi është i befasuar nga kritikat e ashpra për frenimin e procesit të zgjerimit. Kritikat erdhën nga të gjitha anët dhe shumica e tyre e quajtën “gabim katastrofik” – tha Reljic për DW. Reljiç mendon se dokumenti heq gjënë më të rëndësishme në rastin e Ballkanit Perëndimor: zhvillimin ekonomik.

Edhe drejtuesi i Nismës Evropiane të Stabilitetit, Gerald Knaus, i cili e analizon atë në një video në Youtube, nga njëra anë, lëvdon faktin që synohet anëtarësimi i plotë i kandidatëve, por mendon se kjo procedurë do ta ulë edhe më shumë besueshmërinë e BE-së.

Knaus propozon që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, mund të fillojnë bisedimet të tëra së bashku, si bllok. Dhe pastaj, në varësi të performancës që do të arrijnë, ato mund t ë anëtarësohen në fund. Aty pastaj do të duhet të bëhet edhe një debat, se a është gati ende BE-ja për anëtarë të rinj.