Divorci i menjëhershëm, Gjykata e Lartë indiane ndalon praktikën e “talaq”

521
Gjykata e Lartë indiane ka vendosur ndalimin e praktikës së divorcit të menjëhershëm në Islam të njohur si “talaq”. Vendimi historik është pritur me entuziasëm nga aktivistët për të drejtat e grave dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt barazisë mes burrave e grave idniane.

Gjykata e Lartë e Indisë e ka shpallur jokushtetuese praktikën e divorcit të menjëhershëm në Islam, gjë që shënon një fitore të madhe për aktivistët e të drejtave të gruas. Me një vendim me shumicë 3-2, gjykata e quajti praktikën “jo-islamike”.

India është një nga shumë vendet ku një burrë musliman mund të divorcohet nga gruaja e tij vetëm brenda pak minutash, duke thënë tre herë fjalën “talaq”. Gjykata vendosi ndalimin pasi shqyrtoi rastet e 5 grave muslimane të divorcuara në këtë mënyrë dhe peticionet nga dy grupe të të drejtave.

Divorci me anë të talaq-ut të trefishtë nuk është i përmendur në ligjin Sharia ose në Kuran, edhe pse praktika ka ekzistuar për dekada të tëra. Shumica e vendeve islamike, përfshi Pakistanin dhe Bangladeshin e kanë ndaluar talaq-un, por zakoni ka vijuar në Indi, ku nuk ka një set ligjesh uniforme për martesën dhe divorcin që mund të zbatohet për çdo qytetar.

Vendimi i gjykatës konsiderohet tashmë një fitore madhore për gratë muslimane dhe të drejtat e grave në tërësi. Edhe kryeministri i vendit, Narendra Modi vlerësoi këtë vendim historik si garantues të barazisë për gratë muslimane.
Sigal