BE thirrje Turqisë të lejojë kalimin e refugjatëve sirianë

66
Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Turqisë të lejojë kalimin e mijëra refugjatëve sirianë që janë bllokuar në kufirin turk në Kilis pasi janë larguar nga zona e luftimeve.
Shefja për politikën e jashtme në BE, Federica Mogherini tha se Turqia kishte një detyrim moral, por edhe ligjor për të ofruar mbrojtje për këta persona.
Por autoritetet turke thanë se nuk kishte asnjë arsye që refugjatët të hyjnë në tokën turke pasi po u afrohej ushqim dhe strehim në Siri. Rreth 35 mijë emigrantë u larguan pas ofensivës qeveritare në zonën e Alepos e cila kontorllohej nga rebelët opozitarë.
Zonja Mogherini tha se BE i ka dhënë Turqisë fonde për tu ofruar mbështetje dhe strehë të gjithë atyre sirianëve që kërkojnë azil.
Edhe komisioneri i Zgjerimit në BE Johannes Hahn dhe ministri i Jashtëm holandez Bert Koenders, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së, i bënë thirrje Turqisë të hapë kufirin dhe të lejojë kalimin e emigrantëve që kanë nevoja humanitare.
Por guvernatori i Kilisi, Sulejman Tapsiz tha se për momentin nuk ishte e nevojshme që të lejohej kalimi i kaq shumë njerëzve bernda kufirit turk.
Në Turqi ndodhet aktualisht më shumë se 2.5 milionë refugjatë sirianë por numri i tyre pritet të shtohet pas ofensivës së qeverisë siriane që mbështet dhe sulmet ajrore të Rusisë.
Ndërkohë policia turke ka kryer një aksion blic në tre fabrika në provincën e Izmirit ku prodhoheshin gomone dhe varka të një cilësie të dobët të cilat më pas u shiteshin emigrantëve që vijonin udhëtimin në Greqi. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 49 mjete lundrimi.
Më shumë se një milion refugjatë kanë mbërritur në vendet e BE-së nga deti dhe rreth 3 600 prej tyre janë mbytur.