Tërmeti në Tajvan, shpëton foshnja 6 muajshe, 30 orë nën rrënoja

499
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur të shpëtojnë një foshnje vetëm 6 muajshe nën rrënojat e një ndërtese të shembur, pas tërmetit në jug të Tajvanit, ndërsa mbi 120 persona ende vijojnë të mbeten të bllokuar.
Vogëlushja e shpëtuar, ka mbijetuar për më shumë se 30 orë nën rrënojat e ndërtesës, e mbuluar me pluhur dhe është dërguar menjëherë në spital për trajtim të specializuar.
Autoritetet zyrtare bëjnë me dije se së paku 23 vetë kanë humbur jetën nga tërmeti, në vigjilje të festimeve të vitit të ri hënor, përfshirë 16 vetë që humbën jetën pas kolapsit të godinës “Dragoi i artë” në qytetin jugor të Tainan.
Mbi 120 vetë vazhdojnë të jenë të bllokuar nën gërmadhat e një qendrë tregtare, sipas qeverisë, mbi 460 persona janë të plagosur dhe po marrin ndihmën e duhur mjekësore ndërsa janë nxjerrë edhe trupat e dy viktimave të tjera, dy motrave 18 dhe 23 vjece.
“Tashmë kemi nisur një operacion shpëtimi, ku qindra forca të ekipeve të shpëtimit nga disa vende na kanë ardhur në ndihmë. Shpresojmë mos të kemi një përkeqësim të bilancit të viktimave” tha kryebashkiaku i qytetit Tainan, Uilliam Lai.
Shumica e ndërtesave të shkatërruara e të shembura pas tërmetit 6.4 ballë, ishin ndërtuar në vitet ’90.
Aktualisht në mbarë vendin janë pezulluar linjat e trenave me shpejtësi të lartë.
Kryeministri Li Keqiang shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave ndërsa qindra qytetarë kanë postuar në rrjetet sociale mesazhe ngushëllimi për këtë tragjedi.
Sigal