Angazhimet kryesore të Grupit të ndërmarra gjatë taklimit të G7

477
Sanksionet ndaj Rusisë dhe çështja e Ukrainës
Udhëheqësit e shtatë prej vendeve më të fuqishme të botës ranë dakord të hënën që t’i ashpërsonin sanksionet ndaj Rusisë, nëse është e nevojshme, si mënyrë për të bërë trysni për një zgjidhje politike të konfliktit në Ukrainën Lindore. Në takimin e Grupit të Shtatëshes, udhëheqësit thanë se sanksionet aktuale do të vazhdojnë të mbeten në fuqi deri kur Rusia të ndihmojë për të zbatuar plotësisht një plan paqeje për të cilin u ra dakord në shkurt në Minsk të Bjellorusisë. Kjo tregon se anëtarët evropianë të grupit do të mbështesin zgjerimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian në takimin e tyre të nivelit të lartë këtë muaj. Në komunikatën e G7-ës thuhej se “ne jemi të gatshëm që të marrim masa të tjera shtrënguese që të rritet kostoja ndaj Rusisë nëse veprimet e saj e bëjnë të detyrueshme një gjë të tillë”. Presidenti Obama përmendi pasojat ekonomike të sanksioneve ndaj ekonomisë ruse dhe tha se i takon presidentit Vladimir Putin ta ndryshojë gjendjen. Zoti Obama tha se aktualisht po zhvilliohen diskutime për hapa të mëtejshme nëse Rusia instensifikon përfshirjen në Ukrainë, por se këto diskutime janë ende në nivelin teknik. Për vazhdimësinë e sanksioneve, në varësi të zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit, Presidenti Obama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kishin rënë dakord edhe në një takim dypalësh të dielën. Kancelarja Merkel i tha televizionit gjerman ARD se Moska duhet të mbetet jashtë “komunitetit të vlerave” të G7-ës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte ftuar të merrte pjesë në takimin e nivelit të lartë për të dytin vit radhaz. Ai u përjashtua për herë të parë vitin e kaluar, pas aneksimit nga Rusia të gadishullit të Krimesë.
Kriza e Greqisë dhe skandali i FIFA-s
Në konferencën e sotme për shtyp, presidenti Obama foli edhe për ekonominë tha se G7-a kishte rënë dakord se rruga më e mirë për rimëkëmbje është rritja ekonomike dhe shtimi i vendeve të punës. Kriza e Greqisë ishte një nga temat kryesore në takimin dyditor të G7-së dhe Presidenti Obama tha se vendit do t’i duhet të marrë vendime të vështira dhe të përqafojnë reformat e vështira ekonomike për të siguruar një marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë. Ai shtoi se gjithsesi edhe huadhënësit ndërkombëtarë duhet ta pranojnë se Greqia përballet me sfida të jashtëzakonshme dhe duhet të tregojnë fleksibilitet për të arritur marrëveshjen. Obama iu përgjigj edhe një pyetjeje për FIFA-n duke thënë se nuk mund të fliste për një çështje që është ende nën hetim, por shtoi se futbolli është një lojë, një biznes masiv por edhe burim i një krenarie të jashtëzakonshme, prandaj njerëzit duan të sigurohen që të funksionojë me integritet.

Terrorizmi dhe kriza e refugjatëve
Udhëheqësit e G7-ës disktuan gjithashtu edhe për kërcënimet e grupeve ekstremiste si Shteti Islamik dhe Boko Haram, në takimet me udhëheqës nga Iraku, Tunizia dhe Nigeria. Ata u bënë gjithashtu të gjitha vendeve që të luftojnë trafikun njerëzor që po krijon një krizë refugjatësh në disa nga vendet mesdhetare të Evropës dhe për të punuar për të ngritur një qeveri kombëtare në Libi për të ndihmuar në frenimin e valës së refugjatëve.
Angazhim për zgjidhjet e sfidave afatgjata
Pjesa më e madhe e komunikatës i ishte kushtuar çështjeve si ndryshimet klimatike, shëndeti global dhe rritja ekonomike. Udhëheqësit u zotuan të punojnë drejt finalizimit të marrëveshjeve të tregëtisë që ata thonë se do të kontribuojë tek rritja e qëndrueshme. Ata u angazhuan të rrisin ndihmën për vendet në zhvillim dhe të ndjekin objektiva të rrepta për pakësimin e sasisë së gazit të çliruar për t’i plotësuar në konferencën për ndryshimet klimatike në Francë në Dhjetor. Ata duan që çdo vit të shpenzohen 100 miliardë dollarë çdo vit nga qeveritë dhe bizneset për të pakësuar çlirimin e gazeve të dëmshme. Ata kanë në plan të rrisin aftësinë e vendeve afrikane për burime energjie të ripërtëritshme. Po ashtu vendet e G7-së u angazhuan të punojnë me 60 vende për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe për të shmangur epidemi si ajo e Ebolës në Afrikën Perëndimore.
Sigal