Ahmet Saliaj/ Një  histori e dhimbshme në Mallakastër 71 vite më parë

1556
Sigal

Masakra e kobshme në Mallakastër ishte një pjesë e asaj që bëri Balli Kombëtar, mbasi ata kishin dënuar në mungesë me pushkatim njëqind e dy patriotë, midis tyre edhe disa gra e nëna aktiviste, por fatmirësisht ata nuk ranë në dorën e armikut. Vetëm në Cakran u arrestuan dhe u dërguan në kampin e përqendrimit të Prishtinës dhe më vonë në kampin e Zemunit 19 burra, nga ku nuk u kthyeasnjë i gjallë…Nga fundi i Nëntorit 1943, mbas luftimesh të përgjakshme kundër forcave të shumta gjermano-balliste, një pjesë e Brigadës I Sulmuese (dy batalione) dhe Grupi III Partizan i Mallakastrës kaluan në zonat e lira të Skraparit, Tepelenës dhe në malet e Kurveleshit. Mallakastra u okupua plotësisht.

 Komandanti i operacionit të jugut, kolonel Hysni Dema i partisë së Ballit Kombëtar, me shkresën nr. 236/1 datë 7.12.1943 urdhëronte: “Të mposhtet me çdo mjet rezistenca e Mallakastrës”.

Simpatizantët, aktivistët dhe këshilltarët në rast se nuk nënshtrohen, të pushkatohen. Për të realizuar këtë synim u krijua në Fier batalioni famëkeq i xhandarmërisë civile me forca balliste të përzgjedhura, me komandant ballistin Besim Belishova dhe kapiten Kujtim Cakrani.  Në mbështetje të tij u radhitën dhe tre batalione të ballit të Fierit me komandant Bajrush Kosovën, të Lushnjës me komandant Hamit Matjani, Isa Manastiri dhe Asim Xhindoli, ku midis tyre dhe pesë çeta famëkeqe dorëzeza, të cilat së bashku u vunë në pararojë të ushtrisë pushtuese gjermane.

Operacioni naziballist synonte të shpartallonte çdo forcë të LANÇ në Mallakastër. Ata kishin piketuar dhe familjet baza të LANÇL, aktivistët e këshilltarët. Me format më të pabesa, me premtime, kërcënime, djegje shtëpish, internime familjesh e deri tek arrestimi e torturimi i prindërve, grave dhe fëmijëve. Batalioni i xhandërmarisë civile mundi të shtinte në dorë disa nga këshilltarët e Mallakastrës. Duke filluar nga 13 dhjetori 1943, ditën kur u pushkatuan 10 këshilltarët e Hekalit e deri në fund të marsit 1944 ky batalion famëkeq pushkatoi pa asnjë motiv 41 burra, këshilltarë dhe aktivistë të Mallakastrës. Kjo masakër e kobshme ishte një pjesë e asaj që bëri Balli Kombëtar, mbasi ata kishin dënuar në mungesë me pushkatim njëqind e dy patriotë, midis tyre edhe disa gra e nëna aktiviste, por fatmirësisht ata nuk ranë në dorën e armikut. Mjafton të kujtojmë se vetëm në Cakran u arrestuan dhe u dërguan në kampin e përqëndrimit të Prishtinës dhe më vonë në kampin e Zemunit 19 burra, nga ku nuk u kthye asnjë i gjallë. Të gjithë këshilltarët e pushkatuar ishin të zgjedhur në mënyrë më demokratike nga populli. Kryenin detyrën administrative-patriotike të këshilltarit, kujdeseshin për fshatin, ndihmonin të varfërit dhe të pastrehët, pajtonin grindjet, mosmarrëveshjet, mblidhnin ndihma për LANÇL, prisnin, strehonin dhe furnizonin me ushqime çetat partizane etj.

Patriotizmi, urtësia dhe kontributi i tyre i kishte ndërgjegjësuar në shkallën më të lartë për të pasur të qarta interesat e kombit dhe atdheut. Ata e dinin fare mirë se cilët luftonin dhe e mbronin popullin dhe cilët ishin shërbëtorë dhe vegla qorre të bishës nazifashiste…Meritë të veçantë për organizimin e Lëvizjes ANÇ dhe krijimin e këshillave ANÇL në të gjithë trevën e Mallakastrës kanë bijtë e saj të talentuar, të mënçur dhe trima, si Mehmet Shehu, Bilbil Klosi, Nuredin Aliu etj, të cilët mbetën figura mbarëkombëtare që kanë zënë vend në historinë e Shqipërisë.

Ahmet Saliaj

Anëtar i Kryesisë të Komitetit të Veteranëve të LANÇ për rrethin e Tiranës