4 ditë para zgjedhjeve, Erdogan mbyll dy televizione dhe dy gazeta opozitare

62
Vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare në Turqi, policia turke ka marrë me forcë kontrollin ndaj dy televizioneve dhe dy gazetave turke në pronësi të kompanisë Koza-Ipek, kundërshtare të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Kanalet televizive Kanalturk dhe Bugun dhe gazetat Bugun dhe Millet, fillimisht dje janë uzurpuar nga forcat policore pas një vendimi të prokurorisë turke, ndërsa sot edhe kanë ndërprerë transmetimin me një urdhër të kryetarit të ri të bordit, të emëruar dhunshëm nga institucionet shtetërore.
Përpara kamerave, forcat e rendit kanë hyrë dje në selitë e dy kanaleve, pronësi e grupit “Koza-Ipek” duke shpërndarë, me gaz lotsjellës dhe uji me presion, punonjësit që përpiqeshin të mbronin selinë, sipas imazheve të transmetuara drejt për drejtë nga “Bugun TV”. Në mbështetje të mediave të mbyllura janë prononcuar të gjitha partitë opozitare të djathta dhe të majta ndërsa kanë reaguar ashpër edhe Stejt departmenti amerikan, Bashkimi Europian dhe të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare.
Megjithatë, pavarësisht reagimeve dhe kritikave të ashpra, qeveria turke ka vazhduar me ekzekutimin e vendimit të prokurorisë për marrjen nën kontroll të këtyre mediave dhe më pas edhe mbylljen e dy televizioneve përmes ndalimit të transmetimit si dhe ndalimit të shtypjes së dy gazetave.