Studentët e Mjekësisë në protestë: Diploma jonë s’ka vlerë

127

Forumi /Studentët kërkojnë zhbërjen e Universitetit Mjekësor: Duam të kalojmë në UT

Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë organizuar dje një forum të hapur për të kërkuar zhbërjen e Universitetit të Mjekësisë, krijuar në janar të këtij viti. Ata kanë firmosur një peticion, ku argumentojnë arsyet pse kërkojnë shkrirje të këtij universiteti. Me kryesorja është mosnjohja e diplomës në vendet e Bashkimit Europian, që pas kalimit nga fakultet në Universitet. “Në 23 janar të vitit 2013, falë një vendimi të Këshillit të Ministrave, Fakulteti i Mjekësisë së bashku me Fakultetin e Infermierisë u shndërruan në atë që jemi ne sot, Universiteti Mjekësor i Tiranës. Në qoftë se do të lexoni këtë vendim të Këshillit të Ministrave dhe jam e bindur që shumë prej jush e kanë lexuar, do të vini re që është një vendim i mangët, i paplotë që të bën të mendosh se është lënë i tillë qëllimisht për të lënë hapësira që të interpretohet sipas dëshirës” u shpreh një nga studentet. Problemi është ngritur tani, pas tetë muaj të krijimit  të Universitetit të Mjekësisë, ku ky i fundit sipas studentëve është një institucion që as njihet në BE, por edhe që nuk plotëson as kushtet më minimale, nuk ka një logo, infrastrukturë, kurrikula apo edhe staf pedagogjik. “Diplomat tona në BE nuk po njihen. Kur më përpara ishim pjesë e Universitetit të Tiranës na mjaftonin 3 provime për ta konvertuar këtë diplomë, sot nuk mundemi ta konvertojmë, sepse nuk na e njohin. Në rankingun botëror, si universitet i sapokrijuar, jemi në vendin e 37 mijë. Është absurde që ne duhet të jemi pjesë e një strukture, të pamenduar mirë”- tha një student. “Është ngritur një universitet fantazmë. Jemi Universiteti Mjekësor i Tiranës, po ku jemi? Çfarë bëhet me diplomat tona? Çfarë kushtesh kemi për të studiuar më tej jashtë, për të bërë specializime jashtë?”- u shpreh një tjetër student. Studentët e mjekësisë kanë qenë të mendimit për rikthimin e Fakultetit të Mjekësisë si pjesë e Universitetit të Tiranës dhe shkrirjen e Universitetit të Mjekësisë. Kërkesa e studentëve është mbështetur edhe nga një grup mjekësh dhe pedagogësh te këtij Universiteti. Një tjetër problem që ka dale pas ngritjes së Universitetit është edhe ai i specializantëve që nuk u njihen vitet e specializimit. Në janar të këtij viti, kalimi nga Fakultet në Universitet u bë me një vendim të Këshillit të Ministrave mes zërave pro dhe kundër të profesorëve të QSUT-së. Më shumë se një muaj me parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi rishikim të këtij vendimi, pas një procesi diskutimesh. Iniciativa e parë ka ardhur nga studentët të cilët paralajmëruan protesta me bojkotim mësimi, në rast se Universiteti nuk shkrihet. Ata do t’i drejtohen gjithë strukturave përkatëse me një peticion, ndërkohë që kanë paralajmëruar edhe protesta.

Jonel Xhelina, senatori i vitit të 6

Unë e kam nisur këtë gjë pa miq, pa shokë, pa mbështetjen e askujt. Prandaj dua t’ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur për një problematikë që na shqetëson të gjithëve sot. Ishim nën Universitetin e Tiranës deri pak kohësh dhe më pas kaluam në Universitetin Mjekësor. Na kanë informuar diplomantë të Universiteti Mjekësor që kanë shkuar jashtë se diplomat tona nuk njiheshin ndërkombëtarisht dhe kjo gjë na shqetësoi. Shkova vetë personalisht te zv/ ministri i Arsimit dhe i thashë se ne kemi problemin e njohjes së diplomës tonë, nën Universitetin e Mjekësisë, ju duhet të na informoni sesi qëndron e vërteta. “Ne nuk kemi se çfarë ju themi, se ne, në fund të fundit, investojmë për formimin tuaj në Shqipëri. Ne nuk na intereson që të largoheni” m’u përgjigj ai. Kjo gjë ishte shumë alarmante për mua. Është jeta jonë, janë 6 vitet tona, nuk mund të hedhim poshtë investimin, kohën, djersën, mundin tonë dhe të familjeve tona. Sot ne jemi as në qiell e as në tokë. Kjo çështje u përket dhe atyre që sot e kanë mbaruar këtë shkollë. Çfarë po ndodh me kartonat tona, a janë të njehsueshme, nuk po themi të njohura ndërkombëtarisht.

Niko Pano, mjek i sapodiplomuar

Jam një mjek i sapodiplomuar në Universitetin Mjekësor të Tiranës. Unë përfaqësoj të gjithë ata që sapo janë diplomuar në këtë universitet. Kemi marrë shkas nga shqetësimet e ngritura mga mjekë dhe studentë që punojnë jashtë shtetit, gjithashtu dhe nga një profesor i nderuar, prof. Edvin Prifti që ka ngritur shqetësimin e tij mbi ekzistencën e Universitetit Mjekësor. Kemi një problem shumë të madh, problemin e mosnjohjes së diplomave në shtetet e Bashkimit Europian. Ne vetë e kemi nisur këtë fakultet brenda Universitetit të Tiranës. Kemi ndenjur 5 vjet pjesë e saj dhe në janar të këtij viti te Universiteti Mjekësor i Tiranës. Universiteti i Tiranës ka një histori 60 vjeçare, ka standarde akademike të pamohueshme, gjithashtu ka dhe një strukturë të mirëorganizuar. Universiteti Mjekësor i Tiranës ka bërë thjesht ndarjen mekanike, ka emëruar dhe shtuar disa dekanë, zv/ dekanë të rinj na ka përvetësuar një nga sallat më të mira “Galileo Galilei”, ku sot ne nuk mund të bëjmë më mësim edhe nuk bënë asnjë përmirësim të kurrikulave, nuk ka shprehur asnjë vizion për të ardhmen e këtij institucioni akademik. Atëherë, natyrshëm na lind pyetja se pse jemi sot këtu. Diplomat tona nuk po njihen në shtetet e Bashkimit Europian. Më parë kur ishim pjesë e Universitetit të Tiranës na mjaftonin 2 a 3 provime për ta konvertuar këtë diplomë, sot nuk mundemi as ta konvertojmë. Në rankingun botëror Universiteti Mjekësor është në vendin e 37 mijë, kështu që, është absurde se pse ne duhet të jemi pjesë e një strukture të pamenduar mirë. Që të formohet një universitet duhet menduar 5 vite 10 vite para, duhet një kampus universitar dhe shumë gjëra të tjera që ne nuk i dimë po. Europa nuk na i njeh diplomat për arsyen e thjeshtë se është një universitet fantazmë, i krijuar thjesht për interesa politike. Atëherë pse duhet të bëhemi pre e këtij universiteti, pse duhet të jemi ne që ta pësojmë nga gafat apo gabimet politike? Kjo çështje prek dhe specializantët. Ata që po specializohen sot nuk mund të punojnë jashtë shtetit, nuk mund të doktorohen jashtë shtetit. Jemi këtu sot dhe i bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë, Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit Rama, prej të cilit edhe kemi marrë shkas nga premtimi i tij këtu para një muaji se do të rishikohet çështja e Universitetit të Mjekësisë, nëse do të vazhdojë të funksionojë më, apo jo. Ne jemi sot këtu për të thënë që nuk duam më të vazhdojmë me Universitetin Mjekësor, duam thjesht të rikthehemi në Universitetin e Tiranës.

Prof. Pirro Paparisto

Sot, Dekanati, Rektorati duhet të jenë të shqetësuar për problemet e studentëve. Unë mendoj, se e para punës, të bëni një tentativë të bashkuar. Nëse dot qëndroni grupe-grupe të përçarë, disa pas politikave, disa pas grupeve të interesit, kjo do të jetë një minus për ju si studentë. Ajo që unë mund t’ju sugjeroj për të arritur ato gjëra shumë të drejta që ju kërkoni, sepse informimi është e drejta më minimale, është e rëndësishme që ju të jeni së bashku. Fakti që mungojnë senatorë të viteve të caktuara, mungojnë persona që kanë krijuar kanale komunikimi me dekanatin, me rektoratin kjo nuk është e mirë dhe unë nuk arrij dot ta kuptoj se pse ata nuk marrin pjesë. Ju keni të drejtën tuaj për të qenë të përfaqësuar. Ju e dini që pritet një vendim i Këshillit të Ministrave në lidhje me të ardhmen e Universiteti të Mjekësisë. Kryeministri ka thënë se do të vlerësohet  situata dhe pastaj do të merret vendimi. Besoj se të gjitha problematikat e ngritura dhe të pasqyruara në media Kryeministri duhet t’i marrë parasysh. Ju duhet të luftoni dhe të përpiqeni që të jeni të gjithë së bashku dhe me një zë për shqetësimet tuaja.