Certifikimi i gjuhës së huaj, monopol i privatit dhe rektorëve të universiteteve shtetërore

1507
Sigal

Specializimet, mjekët e rinj në protestë: Rregullorja e MAS na përjashton nga konkursi

Kandidatët për specializantë në mjekësi protestuan gjatë paradites së djeshme para fakultetit të tyre, duke bllokuar hyrjen e shkollës. Shkak i protestës është bërë ndryshimi i kriterit të gjuhës së huaj, sipas rregullores së re të Ministrisë së Arsimit. Sipas kësaj rregulloreje është vendosur mosnjohja e dëshmive që lëshon Fakulteti i Gjuhëve të huaja, por vë si kusht të regjistrimit në konkursin e specializimit, pajisjen e dëshmisë së gjuhës së huaj mbi nivelin B2, (në nivel akademik), dëshmi kjo që ofrohet vetëm nga privati, pasi siç thuhet nga kandidatët për specializantë, sipas Rektoratit të Mjekësisë, çdo lloj note nga Fakulteti shtetëror i Gjuhëve të Huaja është i nivelit B2. Protestuesit shkuan dhe më tej duke akuzuar Ministrinë e Arsimit dhe Rektoratin e Mjekësisë se kanë ndryshuar qëllimisht rregulloren për arsye korruptive, për të favorizuar studentët që vijnë nga shkolla jo publike. Një nga kandidatet për specializantë, në prononcimin e saj për “Telegraf” tregon se bëhet fjalë për favorizim të studentëve nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, pasi “për studentët e këtij universiteti, italishtja e tyre është e nivelit mbi B2, duke plotësuar në këtë mënyrë kriterin e rregullores së re nga Ministria e Arsimit”.

Udhëzimi dhe Rregullorja e re e MAS

Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit “Për procedurat e pranimit dhe regjistrimit të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, për vitin akademik 2014-2015” në pikën 5 të tij, ku flitet për dokumentacionin që duhet të dorëzojë kandidati, ndër dokumentet e tjera përcaktohet edhe “Kopje e noterizuar në Republikën e Shqiperisë e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, sipas parashikimeve në rregulloren përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë”. Pra, mesa duket ky udhëzim nuk përcakton qartë nivelin e njohjes së gjuhës së huaj dhe se cili duhet të jetë institucioni që ka të drejtë të lëshojë certifikatën e gjuhës së huaj. Ndërsa në rregulloren e firmosur nga MAS është më e specifikuar, thotë kandidatja për specializante. “Sipas rregullores së studimeve të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë në pikën 2, neni 20, “Pranimi i studentëve në një program studimi specilizues safatfgjatë në fushën mjekësisë”, thuhet “të zotërojë të paktën një nga gjuhët e huaja; anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, në nivelin, më të lartë se B2 në anglisht dhe ekuivalentet përkatëse në gjuhët e tjera të huaja”. Protesta e mjekëve të rinj është spostuar edhe para Ministrisë së Arsimit, ku janë pritur nga drejtues dhe ekspertë të këtij institucioni. Porse burime nga kjo ministri sqarojnë se kriteri i gjuhës së huaj është propozim i bërë nga Universiteti i Mjekësisë, bazuar në ligjin e arsimit të lartë të vitit 2010, miratuar nga Senati dhe më pas është miratuar në Ministrinë e Arsimit. Ndërsa për të gjithë ata që nuk janë futur në shkollë me sistem kreditesh, do të bëhet ponderimi në bazë të orëve. Sipas rregullores së re, aplikantët kanë kohë deri të premten për tu bërë pjesë e konkursit për specializimet në mjekësi, i cili do të zhvillohet në datën 22 dhjetor. Në total janë 300 kuota për specializantë të kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Certifikimi i gjuhës së huaj nga privati, Gjuhët e Huaja në shtet dalin jashtë loje

 Që prej vitit 2011 specializimeve u kërkohet një gjuhë e huaj e certifikuar si kusht për t’u diplomuar. Duan apo s’duan, të gjithë duhet të zbatojnë udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhje Sportit. Askush nuk mund të diplomohet pa u certifikuar në një nga gjuhët e huaja europiane, në një nga programet ndërkombëtare. Duket se edhe universiteti i Mjekësisë po vijon në udhën e ndjekur nga Universiteti i Tiranës, i cili

pas një marrëveshjeje me ETS Global, ofron testimet ndërkombëtare të Gjuhës Angleze, atë të TOEFL ITP dhe TOEIC L&R. Studentët që herët e kanë kundërshtuar këtë “risi” në arsimin e lartë, e cila rëndon së tepërmi xhepat e studentëve dhe familjarëve të tyre. Ndërsa dëshmia e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja e UT njihet për gjithë jetën, një nga testimet që ofrohet nga privati, siç është psh TOEFL-i është me afat 2-vjeçar, që nënkupton paraqitjen e studentëve çdo 2 vjet për të dhënë këtë testim dhe që do të thotë më shumë para për privatët. Pse këto para mos t’i marrë Fakulteti shtetëror i Gjuhëve të Huaja? Dhe nëse do të vazhdojë kjo situatë, atëherë pse na duhet një Fakultet i Gjuhëve të Huaja?

Kostot

Mbrojtja e Anglishtes ka një kosto të lartë financiare për xhepat e studentëve. Këta janë të detyruar ta mbrojnë, përndryshe nuk vazhdojnë studimet e tyre më tej. TOEFL dhe TOEIC në kompaninë amerikane ETC, janë dy testet më të diktuara për studentët shqiptarë. TOEFL kushton 66 euro, kurse testi i TOEIC mund të merret duke paguar 135 euro. Dallim tjetër mes dy testeve është dhe kohëzgjatja e njohjes së dy certifikatave. Nëse TOEFL njihet për një periudhë dyvjeçare, për TOEIC thonë se “është për gjithë jetën”, paçka se kjo kundërshtohet. Nga ana tjetër, pedagogët e gjuhëve të huaja, i japin përparësi mbrojtjes së gjuhës së huaj në një instancë shtetërore, pasi vetëm kjo bën të mundur kualifikimin e tyre në universitete dhe në punë.

A është real testimi i tyre?

Certifikimi i gjuhës së huaj është bërë monopol i privatit dhe rektorateve të universiteteve shtetërore, ndërsa tarifat për studentët shqiptarë janë shumë të shtrenjta, duke variuar nga 60 deri në 150 euro. Thuhet se vetëm paraqitja e faturës së paguar, mjafton për të marrë këto testime, duke nënkuptuar në këtë mënyrë se kemi të bëjmë thjesht me një biznes dhe jo domosdoshmëri të njohjes së gjuhës së huaj nga studentët. Porse, është Ministria e Arsimit ajo që duhet të rishikojë këtë VKM absurde, që kanalizon fitime të mëdha te kompani të caktuara private, ndërsa, pak nga pak, po sjell falimentimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në UT.