Zef Preçi: Oligarkia, qeverisja dhe plagët e ekonomisë shqiptare

867
Eksperti dhe ish-ministri analizon sjelljen qeveritare dhe arsyet pse ato nuk “prodhojnë” punësim e nuk thithin investitorë
Qysh në fundin e viteve ’80, pikëpamja kryesore që ka dominuar mendimin ekonomik të shprehur në raportet e Bankës Botërore ka qenë se, ndërmarrja e politikave përkatëse mbetet mjeti kryesor nxitës për një performancë të mirë në rritjen ekonomike. Thelbi i kësaj pikëpamjeje mbetet fakti që, pavarësisht pozitës gjeografike që ka një vend i caktuar apo nivelit të zhvillimit ekonomik në një moment të dhënë, ndërmarrja e një pakete të përshtatshme politikash, me synim rritjen ekonomike, lidhet ngushtë me liberalizimin e tregtisë dhe konkurrencën, me privatizimin e ndërmarrjeve pronë shtetërore dhe mbajtjen e mjedisit makro-ekonomik stabël. Është interesante të vihet në dukje se prej asaj kohe, një rëndësi e veçantë u jepet çështjeve të tilla, si mbrojtja e të drejtave të pronës dhe zbatimi rigoroz i detyrimeve kontraktuale. Në rastin e ekonomisë shqiptare, përtej arritjeve të periudhës 2000-2008 në rritjen ekonomike apo në de-shtetëzimin e ekonomisë së trashëguar nga sistemi socialist, për fat të keq, edhe mbas gati tre dekadash që nga ndryshimet sistemike të vitit 1991-1992, përsëri këto premisa bazë për një rritje ekonomike të qëndrueshme mbeten problematike edhe sot e kësaj dite.

Kështu, duke gjykuar mbi politikat e qeverisë shqiptare gjatë pesë viteve të fundit në financimin e investimeve publike vihet re prirja e kundërt e periudhës së rritjes së shpejtë të ekonomisë së vendit. Dmth në vend që të përmirësohej mbikëqyrja e tregjeve dhe të konsolidohej kështu liberalizimi ekonomik, gjatë kësaj periudhe gradualisht shfaqen “monopolet që krijohen me ligj” mbi bazën e ofertave të pa-kërkuara në sektorët jetikë të shërbimeve publike, duke përfshirë infrastrukturën publike të shëndetësisë, arsimit, transportit, etj. Të tilla janë koncesionet apo të ashtuquajturit “Partneritete Publike-Private”. Gjatë së njëjtës periudhë është shfaqur edhe fenomeni i zgjerimit të pranisë së kompanive të llojit “off-shore” dhe për rrjedhojë, përveç faktit se kompani të njohura me emër ndërkombëtar (brand names) janë larguar apo i qëndrojnë larg vendit tonë, edhe përfitimet e ekonomisë sonë kombëtare nga asete publike strategjike, të tilla si nafta, mineralet (sektorë këto që po ju nënshtrohen një shfrytëzimi agresiv me pasoja ambientale dhe ekonomike, etj.) janë minimale në të ardhurat buxhetore. Kjo është aq e vërtetë, sa sot mund të pohohet se më shumë se gjysma e kompanive të huaja që operojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare janë kompani “off-shore” dhe kjo ndodh në një kohë kur BE ka amenduar kuadrin e vet ligjor dhe institucional për parandalimin e përfshirjes së tyre në veprimtarinë ekonomike të vendeve anëtare për shkak të evazionit dhe të problemeve të tjera, duke përfshirë edhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë vendimmarrës dhe përfshirjen e parave të pista me jetën politike të vendeve të veçantë. Gjatë kësaj periudhe, në ekonominë shqiptare ka ndodhur edhe fenomeni i penetrimit të shpejtë të kapitalit kinez nëpërmjet blerjes së aksioneve të kompanive të vendeve perëndimore – edhe kompanitë kineze janë kompani “off-shore” gjithashtu. Dmth disa kompani apo konsorciume me emër janë larguar tashmë nga vendi.

Një tipar tjetër i këtij lloj zhvillimi, që në fakt nuk sjell rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë makro-ekonomike të dëshiruar, është edhe fakti se përfshirja e kapitalit të huaj lidhet vetëm me shfrytëzimin e aseteve natyrore strategjike të vendit dhe fuqinë punëtore relativisht të lirë të vendit. Për rrjedhojë, ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet njëlloj ekonomie e tipit post-kolonial dhe rritja ekonomike e saj nuk krijon mundësi për të zgjeruar numrin e vendeve të reja të punës, si dhe për të rritur pjesëmarrjen në punë të fuqisë punëtore të re e të kualifikuar dhe për rritjen pagave të punës në këmbim të një rendimenti shoqëror pune më të lartë të saj. Këtu gjendet edhe shpjegimi kryesor për braktisjen e vendit nga disa qindra e mijëra vetëve gjatë 4-5 viteve të fundit. Pra ekonomia shqiptare, edhe pse është futur në një trend rritës të saj, nuk absorbon dot fuqinë punëtorë të vendit dhe se papunësia ndër të rinjtë e shkolluar është rreth dy herë më e lartë se mesatarja e vendit.

Ndërkaq largimi i një numri investitorësh potencialë nga vendi ynë, siç ishte edhe rasti fatkeq i një investitori të linçuar publikisht dhe fizikisht që pritej të investonte në Gjirin e Lalzit disa qindra miliona euro, të çon në përfundimin se gjatë dekadës së fundit në xhepat e eksponentëve të krimit të organizuar janë grumbulluar shuma të mëdha monetare, është rritur ndikimi i këtij segmenti të krimit mbi vendimmarrjen dhe ligj-bërjen e vendit dhe se oligarkia vendase është në kërkim të sferave të investimeve prej nga mund të legjitimojë burimet e veta të kapitalit, madje edhe t’i shtojë ato përmes shndërrimit në borxh publik për shkak të investimeve në infrastrukturën publike. Ndoshta kjo është edhe arsyeja kryesore për FMN në deklaratën e vet të përpara pak javëve që i kërkoi qeverisë pezullimin e partneriteteve publike-private, si dhe heqjen dorë nga pranimi i “ofertave të pa-kërkuara” (në fakt ato janë më të kërkuarat për shkak të fitimeve monopol dhe të “pushtimit” de facto të tregjeve të caktuara si burime të pasurimit afatgjatë dhe pa konkurrencë…). Personalisht e shoh të dobishëm këtë rekomandim, si dhe pezullimin për këtë shkak edhe të programit të investimeve publike me përfshirjen e kapitalit privat, të njohur si “Programi 1 Miliard Euro”, duke mbrojtur kështu interesat afatgjatë të ekonomisë sonë kombëtare nga agresioni i oligarkisë, si dhe nga rritja e pakontrolluar e borxhit publik në të ardhmen, pa folur për deformimet në tregje dhe rritjen e ndikimit në proceset demokratike të parave të pista, sidomos ato që janë akumuluar nga kultivimi, përpunimi, tregtimi dhe eksporti i canabiss sativa, posaçërisht gjatë vitit 2016 dhe drogave të forta në periudhën e mëvonshme.

Studimet dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare, si dhe analizat tona mbi problemet e klimës së biznesit dhe të investimeve në vendin tonë, tregojnë se problemet që lidhen me çështjet e pronësisë mbi tokën dhe përmbushja e detyrimeve kontraktuale janë ndër shqetësimet serioze të investimeve në vend. Në vlerësimin tim është tejet paradoksale që nga njëra anë me amendimet në ligjin për investimet strategjike zgjerohet sfera e investimeve private me lehtësira shtetërore, duke përfshirë deri edhe përpunimin e mbetjeve urbane, dhe nga ana tjetër qeveria nxitoi të pezullonte zbatimin e Ligjit 7501 “Mbi tokën” dhe procesi i legalizimit vazhdon të “prodhojë” pronarë, ndërsa pronarët e mëparshëm që ju është zënë toka kompensohen me fonde buxhetore. Kjo situatë nuk premton asgjë të mirë për investitorët dhe çfarëdo justifikimi për veprimet anti-kushtetuese të pezullimit të zbatimit të ligjit në fjalë ushqen opinionin publik me emra nëpunësish të korruptuar dhe abuzues me pushtetin, por nuk sjell dot investitorët e shumëkërkuar. Nuk përjashtohet edhe mundësia, që siç tregojnë edhe disa prej denoncimeve të kohëve të fundit në shtyp, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, duke përfshirë edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të jenë pjesë e këtij procesi të ndarjes dhe rindarjes me forcën e pushtetit të aseteve strategjike në bregdetin e vendit, gjë që komprometon edhe qëllimin e mirë të deklaruar nga qeveria për “vendosje rregulli” në këtë sektor. E nëse kjo ka ndodhur dhe po ndodh, është vështirë të mendohet se investitorët, sidomos ata që sjellin teknologji dhe menaxhim bashkëkohor, që hapin vende pune dhe kontribuojnë që ekonomia jonë kombëtare të ketë prodhim vendas dhe të bëhet më konkurruese, do të shkelin në vendin tonë.

(Titulli i autorit: “Të debatojmë mbi rritjen ekonomike dhe klimën e investimeve”)
Sigal