Vangjush Dako: Nderim dhe adhurim bijve që flijuan jetën për Atdheun

73
Me rastin e 5 Majit, ditës së nderimit për të rënët e kombit shqiptar kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili është edhe kandidati i së Majtës për kryebashkiakun e qytetit, ka kryer homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës. Në respekt të veprës heroike të këtyre dëshmorëve e heronjve, kryebashkiaku Vangjush Dako ka vendosur kurora me lule në vendin ku ndodhen pllakat përkujtimore të të rënëve për liri. Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë zhvilluar homazhe edhe qindra veteranë, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të besimeve fetare dhe shumë qytetarë durrsakë. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit. 
Të rinjtë e Durrësit, pjesëmarrës në Luftën për një Shqipëri demokratike
Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako u shpreh se të gjithë përkulen me nderim përpara aktit heroik të atyre njerëzve që dhanë jetën për lirinë e vendit: “Jemi mbledhur sot këtu për të përkujtuar si çdo vit 5 majin, ditën ku secili prej nesh përulet me respekt të thellë ndaj aktit heroik të të rënëve që dhanë jetën për clirimin e atdheut. Në çdo 5 Maj duke u përulur me respekt kemi përsëritur në heshtje të njëjtin premtim: …do të jepemi me të gjitha forcat që ta mbajmë amanetin tuaj për një Shqipëri të lirë ashtu si ju vetë e ëndërruat … Në vitet e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rinjtë e Durrësit, të inkuadruar në formacionet partizane të çetave territoriale me lirinë në zemër të përfshirë në flakën e atdhetarise, u hodhën me guxim në betejën e madhe për çlirimin e vendit. Ata kishin në zemër idealin kombëtar kundër pushtuesve dhe tradhtarëve për një Shqipëri të lirë e demokratike, zemra e tyre ishte përflakur me ideale të pastra. Ata nderuan veten e tyre, familjet, Durrësin dhe gjithë Shqipërinë; ata u përjetësuan në altarin e atdheut. Varrezat e dëshmorëve, shtëpia e tyre e përjeteshme është pa dyshim këndi më i dashur i kujtesës sonë historike. Ne vijmë me buqeta me lule në duar të heshtur e plot dhimbje, por njëkohësisht plot respekt deri në përjetesi aktin e tyre. 
Nderim dhe adhurim bijve tanë dëshmorë
Kryebashkiaku i Durrësit dhe kandidati i së Majtës, për kryebashkiak, Vangjush Dako duke përmendur heroizmin dhe sakrificën e dëshmorëve të LANÇL, tha se “vizita jonë e përvitshme çdo 5 Maj është një ritual i gjallë jetësor nderimi dhe adhurimi për bijtë qe u flijuan për vendin dhe Atdheun, për ne që gëzojmë prej kaq vitesh erën e lirisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre! Lavdi deshmoreve te atdheut!” Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit. Pas ceremonisë kryebashkiaku Vangjush Dako ka shtruar një drekë për veteranët e luftës dhe familjarët e dëshmorëve”.