USAID nis konsultimet për ligjin e ri për qeverisjen vendore

59

TIRANË – Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi dhe Përfaqësuesi i USAID-it në Shqipëri, Marcus Johnson, morën pjesë sot në tryezën e parë konsultative të organizuar për të diskutuar Ligjin e ri “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore” në Shqipëri.

Me anë të një njoftimi për shtyp, USAID thekon se, po mbështet qeverinë e Shqipërisë për hartimin e ligjit për të reflektuar ndryshimet aktuale ekonomike dhe territoriale, i cili do të mundësojë menaxhim më të mirë të strukturave, burimeve dhe ofrimin e shërbime vendore për qytetarët.

Takimi pati për qëllim mbledhjen në tryezë të palëve të interesuara për të ndarë konsiderata mbi ligjin aktual dhe për të marrë mendimet e tyre mbi vizionin dhe strukturën e ligjit të ri.

Në takim morën pjesë kryetarë të bashkive nga njësitë vendore partnere të Projektit të USAID-it për Planifikim dhe Qeverisje Vendore dhe të Projektit Zviceran për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor, si edhe përfaqësues të shoqatave të qeverisjes vendore dhe aktorë të tjerë.

Projekti i USAID-it për Planifikim dhe Qeverisje Vendore punon për forcimin e qeverisjes vendore në Shqipëri dhe zbatimin e legjislacionit dhe politikave të decentralizimit duke ofruar asistencë teknike për Qeverinë e Shqipërisë dhe njësitë e qeverisjes vendore.