Tritol biznesmenit në Shkodër, shkak borxhet e djalit futbollist

552
Zbardhen detaje nga shpërthimi i tritolit qe tronditi qytetin e Shkodrës mbrëmjen e së martës. 
Ngjarja është shënuar rreth orës 23:50, në lagjen “Tophanë”, ndërsa objektiv i këtij atentati është biznesmeni shkodran Sadetin Kiri.
Ka qenë një sasi e vogël tritoli prej rreth 100 gramë, e dyshuar e llojit C4, që është vendosur në garazhin e makinës të tij. Ngjitur me garazhin janë edhe dy dyqane, po ashtu në pronësi të biznesmenit Kiri, ndërsa mbi të ndodhet shtëpia ku banon ai.
Nga ky shpërthim i ndodhur nuk ka të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale në garazhin e makinës. Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi, në lagjen “Tophanë” nuk ka pasur lëvizje për shkak të orarit të vonë. Biznesmeni Sadetin Kiri ndodhej në banesën e tij kur ka dëgjuar shpërthimin me tritol.
Fillimisht, ai dhe komshinjtë kanë menduar se mund të jetë ndonjë kabinë elektrike që ka pësuar defekt dhe ka sjellë edhe shpërthimin, por sapo është ulur poshtë banesës, ka parë se në katin e parë, në garazhin e tij është vendosur sasia e tritolit, duke e dëmtuar atë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat të shumta policie, për shkak se rrugica ku ndodhi shpërthimi ndodhet shumë afër rrugës kryesore “Xhabiej”.
Shërbimet që kanë qenë në patrullim kanë shkuar në vendngjarje, duke bërë të mundur rrethimin e zonës. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, dyshohet se dy janë autorët që kanë vendosur sasinë e tritolit. Ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke humbur kështu gjurmët dhe duke u shpëtuar forcave të Policisë.
Një grup i forcave Shqiponja të Policisë Vendore të Shkodrës është vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar, por pa arritur që t’i ndalojë pasi ata kanë arritur që të largohen në drejtim të paditur.
Pas ngjarjes së ndodhur dhe sasisë së tritolit të vendosur në garazhin e makinës të shtetasit Sadetin Kiri, në banesën trekatëshe, Policia e Shkodrës bën me dije se nga verifikimet e para, shkak i shpërthimit me tritol mund të jenë borxhet që ka djali i biznesmenit, shtetasi Fatjon Kiri.
Ky i fundit është edhe futbollist i “Vllaznisë” dhe ka luajtur në disa ekipe të ndryshme. Sipas burimeve policore, shtetasi Fatjon Kiri ka borxhe te një numër i konsiderueshëm personash në Shkodër, gjë e cila mund të ketë sjellë edhe ngjarjen në fjalë.
Biznesmeni Sadetin Kiri është shoqëruar në Policinë e Shkodrës për të dhënë sqarimet e tij mbi atë që ka ndodhur. Sipas burimeve, ai ka pranuar në Polici se shpërthimi me tritol mund të ketë ardhur si shkak i borxheve që ka djali i tij ndaj personave të ndryshëm.
“I vetmi dyshim që unë kam, mund të jenë borxhet që djali im ka ndaj personave të ndryshëm në Shkodër. Ne s’kemi mundur që t’i shlyejmë në kohën e duhur disa prej tyre dhe në këtë mënyrë kemi marrë disa herë kërcënime, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Mendoj se nuk ka asnjë arsye tjetër. Nuk jam në gjendje të përcaktoj se kush mund të jenë ata që kanë vendosur tritolin sepse s’kemi pasur kërcënime të drejtpërdrejta, që të dyshojmë”, ka thënë biznesmeni Kiri në dëshminë e tij, sipas burimeve të Policisë.
Sigal