Trafiku dhe kontrabanda rrezikojnë portin detar

517
Sigal

Prokurorët shqiptarë bashkëpunim me Italinë, për dosjet e trafikut të drogës dhe kontrabandës

Porti më i madh i vendit, ka hyrë tashmë në axhendën e shpeshtë të hetuesve dhe prokurorëve të Antimafies dhe Antitrafikut të vendeve fqinje me Shqipërinë. Pas një vizite të shkurtër të disa hetuesve italianë, janë nisur një grup prokurorësh shqiptarë, ndër ata edhe dy nga Prokuroria e Durrësit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda drejt Italisë. Grupi i prokurorëve shqiptarë, pritet të marrë kontakte me homologët italianë dhe të ngushtojnë bashkëpunimin mes tyre lidhur me dosjet e trafikut të drogës dhe kontrabandës. Porti  i Durrësit shpesh ka qenë objektivi korrierëve të drogës dhe kontrabandës. Kapja në dy rastet e fundit e 180 kg lëndë narkotike brenda 10 ditësh dhe zbulimi i rrjetit të kontrabandës, duket se i ka vënë në mendime dhe lëvizje hetuesit dhe prokurorët shqiptarë. Porti detar i Durrësit shpesh në këto vite ka qenë përmendur si “shtegu”, nga ku mund të kalojë me lehtësi droga dhe kontrabanda e cigareve, karburantit, bananeve, kafesë etj. Rastet e bashkëpunimit të uniformave blu dhe kontrollorëve me trafikantët dhe kontrabandistët, flasin për molepsje të rrjetit me zyrtarët dhe shtetarët, të cilët të paktën deri sot janë kthyer në mburojë të tyre. Gjithmonë, pas çdo rasti, kur zbulohej dhe goditej kontrabanda, apo trafiku drogës, korrierët nxirrnin emra të njohur zyrtarësh dhe pushtetarësh, të cilët mbuloheshin me “lezet” apo me urdhër nga hetuesit dhe prokurorët, të cilët në gjykatë dërgonin dosjet e pastra, duke mbyllur çështjen. Por duke hyrë “në lojë” Antikrimi dhe Antimafia e Italisë dhe e shumë vendeve të tjera të BE-së, (të cilët fenomenin e shikonin si rrezik për sigurinë e tyre) duket se ka vënë në lëvizje edhe prokurorët tanë. Ekipi që u nis për në Itali pritet të takojë hetues në shumë qytete të vendit fqinj, duke përfshirë edhe takimet e punës në D.I.A. dhe Prokurorinë e Republikës Italiane. Zbulimi i disa rasteve rresht i kontrabandës, janë një rast i mirë për të goditur dhe shpartalluar rrjetin, i cili sipas specialistëve, “ka vite që vepron duke futur nga Porti i Durrësit maunet dhe cisternat e tyre”. Krahas sekuestrimeve, uniformat blu kanë ekzekutuar në Durrës, plot 20 urdhër-arreste, ku mes të tjerëve përfshiheshin edhe inspektorë dhe kontrollorë policie. Gjithsesi, mendimi se, “Porti i Durrësit është i rrezikuar nga trafiku dhe kontrabanda” mbetet konstant për prokurorët e huaj dhe këtë ata e shprehin sa herë që vijnë për takime pune, me duart plot me dosje, të cilat i servirin falas tek kolegëve të tyre “të përgjumur”.