Ndjekje penale për katër mësues: Prokuroria: “Kanë marrë lekë nga nxënësit në kurse private”

531
Sigal

Prokuroria e Durrësit ka nisur nga dje ndjekjen penale ndaj katër mësuesve të një shkolle të mesme (gjimnaz) në qytetin e Durrësit, të cilët janë denoncuar nga nxënësit e tyre për “mitmarrje. Sipas burimeve nga organi i akuzës mësohet se, “emrat e mësuesve po mbahen sekret për arsye të ndryshme hetimi dhe konfliktualiteti, por ndaj tyre ka nisur çështja penale, bëhet fjalë për katër mësues të dy gjimnazeve të qytetit, të cilët pas hezitimit të nxënësve për t’ u dhënë para për kurset e pasdites, ndaj tyre ka nisur persekutimi”. Sipas të njëjtit burim, sekret mbahen edhe emrat e nxënësve që kanë denoncuar, të cilët kanë paraqitur pranë Prokurorisë edhe fletoret dhe dokumente të tjera shkresore që vërtetojnë kurset e zhvilluara edhe gjatë vitit të kaluar shkollor, si dhe një kasetë ku janë zhvilluar biseda telefonike mes dy nxënësve dhe mësuesve, ku këta të fundit u kishin dhënë ultimatumin se, “ose ejani në kurse ose mbeteni në klasë”. Madje në bisedat telefonike, mësuesit u kanë kujtuar nxënësve maturantë , “paratë që prishin ata në  PUB-e dhe lokale”. Moda e kurseve dhe marrjes së parave (mitmarrja) ka hyrë gjerë e gjatë në shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm. Në Durrës ky fakt pranohet edhe nga drejtues shkollash dhe zyrtarë të Drejtorisë Arsimore, por deri sot asnjëri nuk kishte pasur guximin të denonconte qoftë edhe pa publikuar emrin e tij në organet e prokurorisë. Sipas një burimi hetimor, “bëhet fjalë për një proces verifikimi, i cili do të çojë në hetimin dhe pastaj në gjykimin e katër mësuesve të korruptuar”. Por, numri i tyre në gjimnazet dhe shkollat e sistemit 9-vjeçar në Durrës, është shumë më i madh dhe kjo mësohet në biseda me nxënës dhe prindër. Sipas njërit prej tyre, që sivjet është maturant në një nga gjimnazet e qytetit bregdetar, “kurset qysh javën e parë të shkollës janë vënë me detyrim nga mësuesit e lëndëve kryesore, pra për çdo lëndë kurs i veçantë dhe 5 mijë lekë të reja në muaj, ato zhvillohen me grupe nga e hëna deri të shtunën, dhe mjafton të mos pranosh bëhesh armik me mësuesen dhe mbetesh në vjeshtë ose në klasë duke përsëritur vitin”. Rastet e denoncimit të katër mësuesve në Durrës kanë bërë bujë dhe opinioni mësues –nxënës ka qenë kureshtar të mësojë emrat e tyre. Skandalet e mësuesve në shkolla me kurse dhe marrje parash nga nxënësit, deri sot nuk janë marrë seriozisht nga organi i akuzës, i cili i ka konsideruar ato si “inate personale”, por kur në rastin konkret nxënësit dhe prindërit e tyre kanë dorëzuar kasetat e inçizuara dhe fletoret e kurseve, duket se hetuesit u bindën duke çelur dosjen penale ndaj tyre. Sipas Kodit Penal dhe akuzave të cilat mund të ngrihen ndaj mësuesve, parashikohet gjobë nga 50 deri 100 mijë lekë ose 3 vjet heqje lirie, gjë e cila mund të kishte pasoja pozitive duke ndalur presionet dhe mitmarrjen te mësimdhënësit e korruptuar. Pavarësisht paralajmërimeve edhe nga Ministria e Arsimit zonja Nikolla, duket se, mania për para nuk po i tremb shumë ata  mësues që janë mësuar prej vitesh duke fituar para nga kurset ilegale.

 Artur  AJAZIPolicia_Durres