Totozani kundër KQZ: Mos detyroni mediat të marrin kasetat e gatshme të partive

523
Me ofrimin e fushatës zgjedhore, Avokati i Popullit Igli Totozani, i ka dërguar një rekomandim kryetarit të KQZ-së Denard Biba. Ai i kërkon që “të konstatohet absolutisht i pavlefshëm vendimi i KQZ-së nr.503 datë 3.06.2013, që detyron mediat të transmetojnë materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore.”

Sipas Avokatit të Popullit, “mënyra e formulimit sidomos të pikës “c”, të dispozitivit të vendimit në fjalë, përbën në mënyrë të qartë ndërhyrje të KQZ-së në lirinë e shprehjes që medias i garantohet me Kushtetutë, duke e kufizuar atë rast pas rasti me anë të vendimmarrjes me karakter administrativ.”

Në rekomandimin drejtuar KQZ-së thuhet se:
Një nga çështjet e rëndësishme që trajtohen nga ana e Avokatit të Popullit, në kuadër të së drejtës për mirëqeverisje, është marrja e masave përkatëse nga ana e institucioneve përgjegjëse shtetërore për mbarëvajtjen dhe ecurinë normale të proceseve zgjedhore në vend.

Duke qenë se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare po afrojnë, një nga problematikat sensitive që institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar në procese të mëparshme zgjedhore, lidhet me rregullat e vendosura nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pasqyrimin e fushatës zgjedhore prej radiotelevizioneve private dhe radiotelevizionit shtetëror. Veçojmë këtë problematikë, pasi ka të bëjë me garantimin e së drejtës për informim dhe të së drejtës për t’u informuar, si dhe prezanton një çështje themelore të lirisë dhe integritetit të mediave dhe gazetarëve në vend.

Në këtë kontekst kemi kërkuar dhënien e shpjegimeve nga ana e institucionit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, sa i takon rregullimeve normative të miratuara për këtë çështje, si dhe aktit përkatës me anë të cilit janë parashikuar ato, duke i bashkëngjitur përgjigjes suaj një kopje të këtij akti.

Në përgjigjen e dhënë nga ana juaj, ju citoni se: “Neni 84, pika 1, i ligjit nr.10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon se informacionet mbi aktivitetin e fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore duhet të identifikohen qartë në përputhje me udhëzimet e KQZ-së….

Konstatimet e sipërcituara na mundësojnë që, bazuar në procedurën e ndjekur dhe përmbajtjen e vendimit nr.503 datë 3.06.2013 të KQZ-së, të arrijmë në konkluzionin nëse ky akt administrativ është i ligjshëm, apo jo.

Mënyra e formulimit të dhënë në vendimin e KQZ-së nr.503 datë 3.06.2013, “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionin privat bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”, e kthen edhe përcaktimin e dhënë në pikën 1, të nenit 84, të Kodit Zgjedhor në përcaktimin detyrues, në kundërshtim me qëllimin dhe frymën e ligjit,”shkruan Totozani ndër të tjera.
Sigal