Testimi: Kamerat e policisë shqiptare 700% më shtrenjtë se tregu ndërkombëtar

632
Babëzi me kamerat e policisë / Tenderi 5 miliardë e 400 milionë bëhet i fshehtë për të shmangur konkurrencën e hapur dhe për të diskriminuar pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë ekonomikë në këtë prokurim. Dëmi që i është shkaktuar shtetit arrin mbi 2 miliardë lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Republikën e Shqipërisë, i cili në veprimtarinë e tij i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Objekti i KLSH është lufta kundër krimit ekonomiko-financiar, korrupsionit, vënies para drejtësisë të abuzuesve me fondet e shtetit dhe taksapaguesve si dhe mbrojtja e interesave të shtresave në nevojë nga institucionet shtetërore . Në këtë kuadër KLSH ka audituar dhe ushtruar kontroll në Drejtorinë e Policisë së Shtetit “Mbi zbatimin e përputhshmërisë dhe rregullshmërisë financiare”mbi aktivitetin e Institucionit për periudhën 01.01.2014 deri 30.8.2016. 
– Janë kryer 43 prokurime me procedurë “Me negocim pa shpallje paraprake…” dhe nga 10 prokurimet e audituara, në 3 prej tyre ose në mbi 78 për qind e vlerës së prokuruar, procedura e kryer ka qenë e gabuar. 
– Nga një testim i çmimeve ndërkombëtare të publikuara si dhe i ofertave të marra nga operatorë të njohur të tregut vendas për komponentë të caktuar të këtij sistemi, u konstatua se çmimet e përdorura nga Autoriteti Kontraktor kanë rezultuar deri 7 herë më të larta se çmimet ndërkombëtare të botuara, duke reflektuar rritje të fondit limit në shumën 189,155,670 lekë. 
– Në një prokurim të vetëm, dëmi ekonomik i shkaktuar Buxhetit të Shtetit është rreth 208 milionë lekë ose mbi 1.48 milionë euro.
– Edhe pse ndryshimet në Ligjin organik të Policisë së Shtetit, Neni 61 “Përcaktimi i Funksioneve për Gradë” kanë hyrë në fuqi në mars 2015, ende nuk kishte dalë Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e funksioneve korresponduese për çdo gradë, deri në përfundimin e auditimit datë 31.12.2016.
Në zbatim të rekomandimeve të dërguara nga KLSH me shkresën nr. 871/12 datë 10.01.2017, Drejtoria e Policisë së Shtetit me shkresë nr. 176/4, datë 31.01.2017 i ka dërguar KLSH, “Planin e veprimit” për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga KLSH. Në vijim, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 200, datë 15.3.2017 “Për trajtimin me dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Shtetit”, i dha zgjidhje vonesës së mëtejshme të zbatimit të ligjit organik. 
Gjatë auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret ishin:
1. Në prokurimin e mallrave dhe shërbimeve, KLSH konstatoi se kryesisht është prokuruar në kushte emergjence duke anashkaluar procedurat e një konkurrence të hapur për realizimin e këtyre shërbimeve/mallrave, me efektivitetin dhe ekonomicitetin e kërkuar nga legjislacioni në fuqi. Si pasojë, niveli i kursimit nga fondi i hedhur në prokurim është i papërfillshëm. Gjatë periudhës objekt auditimi janë zhvilluar 43 prokurime me procedurë “Me negocim pa shpallje paraprake …” me fond limit 848,7 milionë lekë, me një vlerë të realizuar 837.6 milionë lekë, ose me një kursim në nivelin 1% të vlerës së fondit të prokuruar. Procedura e zgjedhur nga Autoriteti Kontraktor në tre tenderë me fond limit 654,9 milionë lekë (rreth 78 për qind të vlerës së prokuruar në këtë periudhë) ishte në kundërshtim me nenin 33 të Ligjit nr. 9643 “Për Prokurimin Publik” datë 20.11.2006, i ndryshuar, pasi autoriteti kontraktor, në asnjë rast nuk gjendej në situatat e përcaktuara nga këto dispozita. Normalisht duhet të zhvillohej procedurë prokurimi “E Hapur”.
2. Në procedurën e tenderit me objekt “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit” me vlerë rreth 541 milionë lekë, u konstatua se procedura ishte klasifikuar “sekret” në nivel sigurie “I kufizuar”, në kundërshtim me kërkesat e Urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme nr.459, datë 26.8.2015 dhe Ligjin 6943, datë 20.11.2016 I ndryshuar. Arsyetimi i përdorur për këtë klasifikim, për shkak se “Materiali filmik (Audio/video) është produkt që realizohet pas përfundimit të procedurës së tenderit dhe gjykohet se ka shërbyer si një artificë për të shmangur konkurrencën e hapur dhe për të diskriminuar pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të tjerë në këtë prokurim.
3. Në realizimin e kësaj procedure u konstatuan parregullsi dhe mangësi të shoqëruara me efekte negative financiare për Buxhetin e Shtetit të cilat arrijnë minimalisht në nivelin 189 milionë lekë. Ky efekt negativ rezulton në përllogaritjen e fondit limit, nga krahasimi i çmimeve të ofruara nga operatorët ekonomikë vendas dhe të çmimeve të ofruara/kombinuara nga operatorët ekonomikë vendas me çmimet ndërkombëtarë të publikuara.
4. Grupi i punës i ngritur nga Autoriteti Kontraktor, nuk ka dokumentuar referencat që kanë shërbyer për llogaritjen e vlerës së plotë të projektit (përfshirë fondin limit), shkaqet e ndryshimit, nga vlera 838,005,339 lekë, deri në vlerën përfundimtare të projektit prej 540,533,139 lekë, në kundërshtim me nenin 59/2 “Përllogaritja e vlerës limit të kontratës” të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 914, datë 29.12.2014 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, dhe specifikisht me kërkesat dhe kriteret e përcaktuara për aplikim me projekte në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve.
Shënim 1: Me shkresën me Nr. 871/12 datë 10.01.2017, KLSH i ka përcjellë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit rekomandimet përfundimtare me Vendimin Nr. 184, datë 31.12.2016 të Kryetarit të KLSH. Ende nuk ka ardhur plani për zbatimin e tyre, në bazë të Nenit 15, germa “j” të Ligjit Nr. 154/2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, sipas të cilit subjekti i audituar duhet të informojë KLSH rreth programit të tij për të zbatuar rekomandimet e bëra , brenda 20 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. 
5. Nga një testim i çmimeve ndërkombëtare të publikuara si dhe i ofertave të marra nga operatorë të njohur të tregut vendas për komponentë të caktuar të këtij sistemi, u konstatua se çmimet e përdorura nga Autoriteti Kontraktor kanë rezultuar deri 7 herë më të larta se çmimet ndërkombëtare të botuara, duke reflektuar rritje të fondit limit në shumën 189,155,670 lekë. 
6. Autoriteti Kontraktor nuk ka reflektuar sugjerimet që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i ka dërguar zyrtarisht “Për miratim për projektin “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit”.

Ndër 25 sugjerimet e dhëna, është sugjerimi me përmbajtje “… Për UPS 30 KVA, të përgjithësohen specifikimet teknike pasi të çojnë në një produkt APC dhe të jepen specifikime minimumi për tre produkte”. KLSH konstatuam se nuk janë ndryshuar specifikimet teknike, duke e adresuar këtë produkt, në kundërshtim me sugjerimet/kushte e AKSHI dhe përcaktimet e pikës II/3 të Udhëzimit të MPB nr. 364, datë 1.7.2015, pasi në përfundim të procedurës rezulton të jetë blerë UPS, produkt i APC. 
Shënim 2: Mbasi përfundimet e raportit të auditimit u shqyrtuan nga Drejtoria Juridike e KLSH, u përcoll kallëzim penal pranë Prokurorit të Përgjithshëm me shkresën nr. 871/13 datë 10.01.2017.
7. Në preventivin e tenderit “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit” është parashikuar edhe zëri “Mirëmbajtje” me vlerë rreth 38,000 mijë lekë në vit. Ndërkohë që u konstatua se Operatori ekonomik fitues, nuk ka mundësi të kryejë zërin “Mirëmbajtje”, pasi në dokumentacionin e paraqitur prej tij, nuk ka marrëveshje bashkëpunimi, autorizim prodhuesi, ose/dhe kualifikime e trajnime me subjektin “S.. I…”, nga i cili ka blerë “Kamerat multifuksionale”. Mbështetur në këtë fakt, vlerës së lartë të shërbimit të “mirëmbajtjes”, vijimësisë së kryerjes së këtij shërbimi, faktit që Autoriteti Kontraktor ka në strukturën organike rreth 90 punonjës të TI, transferimi i shërbimit të mirëmbajtjes jashtë institucionit për tre vjet me pagesë në vlerën 114 milionë lekë reflekton inefiçiencë në përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare.
8. Lidhur me ekzekutimet e vendimeve gjyqësore, për periudhën e auditimit, janë kryer shpenzime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit, për 529 raste gjithsej, në shumën 338 milion lekë, si detyrime të trashëguara dhe të krijuar rishtazi, kryesisht për largime nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit. Këto detyrime do të rriten dhe gjatë vitit aktual, pasi janë në proces edhe rreth 37 milion lekë detyrime, për të cilat akoma nuk ka dalë vendimi i formës së prerë. Ndërkohë, kryerja e këtyre pagesave përmes shërbimeve përmbarimore ka sjellë një kosto të shtuar me rreth 18.6 milion lekë, shumë e cila përbën përdorim pa efektivitet dhe efiçiencë të fondeve buxhetore dhe që ka rënduar padrejtësisht buxhetin e institucionit dhe atë të shtetit, pasi për një pjesë të vendimeve gjyqësore, urdhrat për largimet e punonjësve nga puna janë nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore. 
9. Edhe pse ndryshimet në Ligjin organik të Policisë së Shtetit, Neni 61 “Përcaktimi i Funksioneve për Gradë” kanë hyrë në fuqi në mars 2015, ende nuk ka dalë Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e funksioneve korresponduese për çdo gradë, çka do të rregullonte edhe problematikën e trajtimit të plotë të punonjësve me vjetërsinë në punë, e cila deri tani është e pazgjidhur dhe me efekte negative për këta punonjës. Miratimi i funksioneve korresponduese për çdo gradë është kërkesë e Pikës 1 të Nenit 61 të Ligjit organik “Për Policinë e Shtetit, i ndryshuar, ku shprehet:”Tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë dhe kategorizimi i tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave” 
10. Nga auditimi u konstatuan edhe shkelje të tjera, si në procedurat për punësimin e punonjësve, në lëvizjet e personelit, në shpenzimet e konsiderueshme për udhëtime jashtë shtetit, në regjistrimet kontabël, etj.
Për parregullsitë e konstatuara në procedurën e tenderit me objekt “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit”, Kontrolli i Lartë i Shtetit me shkresën nr. 871/13 datë 10.01.2017, ka paraqitur pranë Prokurorit të Përgjithshëm kallëzim penal për 7 punonjës të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, nga të cilët 4 punonjës A. M. S. R., D. GJ. dhe F. Sh., në cilësinë e grupit për hartimin e termave të referencës, llogaritjen e fondit limit dhe njëkohësisht anëtarë të njësisë së prokurimit, kurse 3 punonjës E. D., E. K. dhe S. H., në cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, për konsumim të figurës së veprës penale “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publikë” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
B. Auditimi është realizuar sipas programit nr. 871/1 datë 10.09.2016 dhe përfshin aktivitetin e këtij institucioni nga 01.01.2014 deri në 31.08.2016. Në referencë të gjetjeve dhe problematikave të konstatuara, janë miratuar me Vendimin nr. 184, datë 31.12.2016 të Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit rekomandimet përkatëse, të cilat së bashku me Raportin Përfundimtar të Auditimit, i janë përcjellë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit me shkresën nr. 871/12 datë 10.01.2017.
C. Drejtoria e Policisë së Shtetit me shkresë nr. 176/4, datë 31.01.2017 ka dërguar në KLSH planin e veprimit për realizimin e rekomandimeve të lëna nga KLSH, sipas të cilit, nga 18 rekomandime organizative, 5 rekomandime për shpërblim dëmi gjithsej, ka vlerësuar dhe nuk ka pranuar vetëm një rekomandim për shpërblim dëmi me vlerë 38,000 mijë lekë në vit.
Lidhur me zbatimin e rekomandimeve për “masa disiplinore” ndaj personave përgjegjës, DPSH ka ngritur grup pune për shqyrtimin/vlerësimin rast pas rasti të shkeljeve administrative përsëritjes dhe rëndësisë së tyre e në varësi të këtij shqyrtimi, të japë masat disiplinore.
Këshilli i Ministrave me Vendim nr. 200, datë 15.3.2017 “Për trajtimin me dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Shtetit” ka bërë rregullimin/përmirësimin e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Shënim: Me shkresën Nr. 871/15, datë 17.1.2017 dhe 871/14, datë 17.1.2017 KLSH informoi në mënyrë të përmbledhur për gjetjet nga auditimi Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm. 
Sigal