Taksa e banesave, ja pagesa për çdo familje

624
Taksa e banesave, çmimet mesatare për çdo qytet dhe zonë
Përcaktohet metodologjia e përcaktimit të vlerës së taksueshme e bazës për kategori specifike dhe mënyrat alternative të vlerësimit
Publikohen çmimet mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllim banimi sipas qyteteve dhe ndarjes zonale për qytetin e Tiranës. Qeveria miratoi metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurive të paluajtshme “ndërtesa”, që do të nisë të paguhet nga 1 prilli 2018. Në vendimin e ekzekutivit përcaktohet edhe baza e taksës për kategori specifike, natyra e prioriteti i informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe kriteret e rregullat për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës. Gjithashtu në vendimin e qeverisë përcaktohen edhe çmimet mesatare për metër katror sipërfaqe ndërtimi për ndërtesat që nuk shërbejnë për banim. 

Çmimet mesatare për metër/katror sipërfaqe ndërtimi për ndërtesat që nuk shërbejnë për banim

a) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për veprimtari tregtimi dhe shërbimi është 1.5 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas qyteteve. Në këtë kategori do të përfshihen edhe ndërtesa tregtare, ku njëkohësisht realizohen edhe procese të përziera prodhim, tregtim ose/edhe shërbime me pakicë. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky koeficient është 2 herë më i lartë.

b) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të mbuluar dhe bodrume është 70 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

c) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të hapur është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

ç) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për veprimtari industriale, si: prodhim, përpunim ose magazinim të mallrave industriale, duke përfshirë fabrikat, depot, magazinat dhe objektet e tjera të ngjashme, është 50 për qind e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse sipas qyteteve.

d) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi që përdoren për bujqësi dhe blegtori apo veprimtari mbështetëse, si grumbullim, magazinim dhe ruajtje të produkteve bujqësore dhe blegtorale është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse, me përjashtim të përpunimit ushqimor.

dh) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për banim në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të vetëqeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 115/2014, reduktohet deri në 35 për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky reduktim është deri në 30 për qind krahasuar me çmimin e zonës më të afërt.

e) Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, çmimi për metër katror është 70 për qind e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së parë. 

Sa paguhet
Për efekt të llogaritjes së taksës për ndërtesën/njësi pronësore, baza e taksës shumëzohet me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj, sipas kategorive të ndërtesave, si më poshtë:

a) 0,05%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për banim; 
b) 0,2%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike; 
c) 30% e shkallës së taksës përkatëse, për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë, sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Si përcaktohet çmimi për metër katror
1 – Vetëdeklarimi.
2 – Përcaktimi i çmimit të vlerësuar dhe i sipërfaqes së ndërtesës, bazuar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të mbajtur nga zyrat vendore (ZVRPP).
3 – Përcaktimi i çmimit të vlerësuar sipas çmimeve mesatare të shitblerjes së ndërtesave/njësive pronësore.


Sigal