Tabela me çmimet për Tiranën/ Amnistia, 10 ditë afat për shtëpitë dhe pronat

4147
Qytetarët që kërkojnë të rivlerësojnë shtëpitë me taksën 2 për qind kanë edhe 10 ditë afat. Më 31 maj mbyllet afati i rivlerësimit të apartamenteve, shtëpive të legalizuara dhe pronave me ulje të taksës në 2 për qind, nga 15 për qind që ishte më parë. Nga nisja e procesit në muajin shtator deri tani, sipas të dhënave zyrtare të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive së Paluajtshme, kanë kryer rivlerësimin 48 mijë qytetarë me një vlerë totale të pronës prej 3.95 miliardë lekësh.
Për shkak të uljes së taksës nga 15 për qind në 2 për qind, vlerësohet se qytetarët kanë kursyer 250 milionë dollarë. Apartamentet dhe pronat e rivlerësuara tashmë kanë një vlerë të re në referencë me tregun, e cila llogaritet të jetë 1.9 miliardë dollarë. Gazeta boton edhe një herë çmimet fiskale për 11 zonat kadastrale të Tiranës, që qytetarët që do të rivlerësojnë shtëpinë referuar tabelës dhe çmimit të mëparshëm kur është krijuar pasuri, të bëjnë llogaritë për tatimin që do të paguajnë.
Si bëhet rivlerësimi i shtëpisë? Taksa që do të paguajnë qytetarët llogaritet nga diferenca e çmimit të mëparshme të shtëpisë si për rastet kur ajo është privatizuar apo blerë me çmimin aktual i llogaritur sipas çmimeve zyrtare fiskale që janë në fuqi. Për ta konkretizuar nëse një qytetar ka përfituar nga procesi i privatizimit të banesave gjatë viteve 1991 apo 1992, kur çmimi ishte simbolik një shtëpi me sipërfaqe 70 m2 në zonën e ishBllokut, që i përket zonës kadastrale 5/1 dhe çmimi fiskal është 190.000 lekë për metër katrorë, vlera aktuale e apartamentit është 13.300.000 lekë.
Çmimi i mëparshëm llogaritet me vlerën fiskale të 1996, ku për Tiranën ishte 16.664 lekë dhe çmimi i mëparshëm i shtëpisë ishte 1.166.480 lekë. Nga diferenca e çmimeve, tatimi 2% që një qytetar paguan është 242.670 lekë. Në rast se qytetari do ta vlerësojë me një çmim tjetër shtëpisë të tij, por që nuk mund të jetë nën çmimet minimale fiskale që ka miratuar qeveria duhet t’i drejtohet noterit.
Do të jenë zyrat noteriale që do të lidhen me rivlerësuesit privat të licencuar, të cilat do të bëjnë përllogaritjet se sa është vlera aktuale e shtëpisë. Për llogaritjet vlerësuesit privatë do t’u referohen çmimeve të qeverisë, çmimeve të tregut, si dhe vlerësimit që do t’i bëjnë ata shtëpisë. Në përfundim do të përgatitet raporti i vlerësimit që do të dorëzohet në hipoteka për procesin e rivlerësimit. Formulari mund të tërhiqet nga noteri dhe të plotësohet prej tij në emër të qytetarit.
Shembulli i rivleresimit te shtepise
Nëse një qytetar ka përfituar nga procesi i privatizimit të banesave gjatë viteve 1991 apo 1992, kur çmimi ishte simbolik në kushtet e sotme, pra shtëpi që janë privatizuar me vlerë 20 mijë lekë apo 30 mijë lekë, procesi i rivlerësimit parashikon që qytetari do të paguajë 2% të diferencës së çmimit real të sotëm dhe çmimit që ka pasur pasuria në momentin e krijimit të saj, sipas çmimeve fiskale referencë të miratuara në atë kohë.
Konkretisht, për një shtëpi me sipërfaqe 50 m2 në zonën e “Ali Demit” që i përket zonës kadastrale 1/1 dhe çmimi fiskal është 98.000 lekë, vlera aktuale e apartamentit është 5.007.800 lekë. Çmimi i mëparshëm llogaritet me vlerën fiskale të 1996, ku për Tiranën ishte 16.664 lekë dhe çmimi i mëparshëm i shtëpisë ishte 851.530 lekë. Nga diferenca e çmimeve, tatimi 2% që një qytetar paguan është 83.125 lekë
Sigal

cmimet ne tirane