Skandali që implikon Filon dhe Peleshin

52
KORÇË- 28 banesat që ngriheshin përgjatë rrugës “Gjon Buzuku” në qytetin e Korçës, u prishën nga INUK-u më 4 mars të këtij viti. Që nga ajo ditë e deri më sot kanë kaluar kaluar më shumë se dy muaj, por banorët e kësaj rruge ende nuk kanë hequr dorë nga investigimet e tyre, pasi që në fillim të marrjes së lajmit nga ana e bashkisë Korçë, ku kjo e fundit u bënte të ditur se shtëpitë ku jetonin ata do të prisheshin, banorët nuk e pritën mirë. Për më tepër ata ishin dyshues ndaj këtij projekti që bënte fjalë për zgjerimin e kësaj rruge. Dhe kjo është arsyeja që ata as kanë hequr dorë nga investigimet dhe as kanë ndërmend të tërhiqen ndonjëherë nga hedhja dritë mbi dyshimet që kanë, deri sa më në fund të jenë të bindur se çfarë ka ndodhur realisht me shtëpitë e tyre. Për këtë arsye ata çdo ditë ndjekin me mjaft interes realizimin e projektit për restaurimin e rrugës “Gjon Buzuku”, nëse po respektohen parametrat e deklaruara në projekt ose jo, nëse gjithçka po shkon në përputhje me dokumentacionin e miratuar etj, por mbi të gjitha për ta ka rëndësi nëse po anashkalohen momente të veçanta të projektit ose jo. Qëllimi i tyre është denoncimi i mëtejshëm në organet e drejtësisë nëse do të gjejnë shkelje të projektit në fjalë. Madje investiguesit pohojnë se kanë mundur të gjejnë shkelje, të cilat ne do t’i rendisim më poshtë.
Investiguesit
Një prej investiguesve më të vëmendshëm të realizimit të këtij projekti është Agim Tefiku, banor i rrugës së përmendur më sipër; shqiptaro-amerikani Petrit Xhelollari, si dhe banorë të tjerë po kaq të interesuar. Kjo pjesë e banorëve nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kryerja e hetimeve dhe sigurimi i dokumentacionit mbi këtë rrugë, sepse ata që në fillim e kundërshtuan këtë projekt, duke argumentuar se rruga mund të zgjerohej edhe duke u prishur një numër i vogël shtëpish, gjë që nuk u mor parasysh nga drejtuesit e bashkisë dhe kryetari i saj Filo. Veç kësaj, banorët e “Gjon Buzukut”, ishin për ruajtjen e ndërtimeve në këtë zonë, pasi bëhej fjalë për një nga lagjet më të vjetra të myslimanëve të Korçës. Për më tepër akoma, ata ishin të mendimit të hartohej një projekt i tillë që të nxirrte në pah vlerat arkitektonike dhe historike të kësaj lagjeje dhe kurrsesi jo për prishje. Gjithashtu, shumë prej banorëve të kësaj rruge jetonin në trojet apo banesat e gjysh-stërgjyshërve të tyre, ndërsa të tjerët kishin shpenzuar gjithë kursimet e viteve të qëndrimit në emigracion. Për të gjitha këto arsye, rrafshimi i 28 banesave, u përjetua nga këta banorë si një tërmet shkatërrimtar, pasi dëmshpërblimi, (sipas banorëve) ishte qesharak. Me shumën e lekëve të ofruara nga Qeveria jo vetëm që nuk mund të ndërtonin dot më një shtëpi në qendër të qytetit, por as edhe në periferi të tij. Dëmi ekonomik ishte i jashtëzakonshëm, ndaj edhe mos-heqja dorë nga investigimet duket se është i justifikuar.
Hetimet 
Nga hetimet e kryera prej Agim Tefikut, Petrit Xhelollarit e të tjerëve, rezulton se projekti për prishjen e 28 banesave ka qenë i qëllimshëm, sepse, së pari, për rrugën “ Gjon Buzuku” nuk kishte patur ndonjë projekt për zgjerimin e saj; së dyti një projekt i tillë ekzistonte për rrugën “6 dëshmorët” i hartuar nga studioja gjermane dhe i miratuar nga Këshilli i Bashkisë dhe së treti, heqja dorë nga rruga “6 dëshmorët” dhe zhvendosja e këtij projekti te rruga “Gjon Buzuku”, nuk u shpjegua kurrë nga ana e bashkisë. Pra, për çfarë arsyesh po mësyhej papritur rruga “Gjon Buzuku”?! Që të gjitha këto kanë mbetur pika të errta, shprehen banorët.
Fakte të tjera
Megjithatë, sipas investiguesve të përmendur më sipër, ende vijojnë të dalin fakte të reja mbi këtë projekt. Tashmë ata kanë zbuluar se leja e ndërtimit për restuarimin e kësaj rruge është dhënë më 03. 12. 2014, ndërsa procedurat për largimin e banorëve nga banesat e tyre nisën shumë më përpara nga marrja e lejes, në shtator të vitit 2014. Madje jo vetëm kaq, kur ende nuk ishte miratuar leja e ndërtimit, Ministria e Turizmit nisi procedurat e shpronësimit. Gjithçka po kryhej me nxitim. Ndërkohë, ndërsa nga ana e kryetarit të Bashkisë, Filo, ishte pohuar në vazhdimësi se në këtë zonë do të bëheshin vetëm ndërtime të ulta, 2-3 kate, dokumentet më të fundit, të zbuluara nga vetë banorët, tregojnë se në këtë lagje, (në pjesën e sipërme të saj), do të kryhen ndërtime deri në 8 kate. Gjithashtu, nga ana e investiguesve është evidentuar edhe një fakt tjetër: parametrat e restuarimit të rrugës nuk po zbatohen. Projekti parashikonte një rrugë të drejtë, (dhe për këtë gjë u prishën 28 shtëpi), kurse sot kjo rrugë nuk rezulton të jetë më e tillë. Pra është devijuar nga ajo çka ishte parashikuar dhe miratuar. Gjithashtu, Bashkia nuk po u përmbahet më as parametrave të trotuarve, të cilat diku zgjerohen e diku ngushtohen. Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se gjithçka po realizohet duke mos marrë parasysh kërkesat e projektit, që mori miratimin më 7 nëntor 2014. Për të gjitha shkeljet e evidentuara, banorët e interesuar, nëpërmjet një avokati do t’i drejtohen sërish organit të Prokurorisë, madje kur rruga të jetë e përfunduar, me ndihmën e ekspertëve do hartojnë një ekspertizë mbi të gjitha shkeljet, të cilat do t’i vihen në dorë Drejtësisë, pasi ata kanë vendosur të mos heshtin për asnjë çast deri sa të mos kenë më asnjë dyshim mbi projektin e prishjes së 28 banesave, ku kishin jetuar breza pas brezi.