Skandali/ Milva Ekonomi paraqiti sondazhin e OJF-së së saj, si “vlerësime popullore” të bëra në dëgjesat publike

623
Përparim HALILI
Në Asamblenë e PS nuk u analizuan, por u mbuluan problemet e shumta e të rënda social-ekonomike të shqiptarëve
Asambleja e PS, për nga skenari, përmbajtja e punimeve dhe fjalimet e mbajtura prej “byrosë politike” në emër të popullit, ngjasoi me shfaqjet e Ansamblit Kombëtar të Këngëve e Valleve Popullore, ku anëtarët e asamblesë (spektatorët) vetëm duartrokitnin pas çdo fjalimi, deri sa “regjisori” ua ndaloi edhe duartrokitjet! Por nuk e kemi fjalën, se përse shtetarët e “Rilindjes”, që në 4 vitet mandatit të parë punuan për të pasuruar familjet, familjarët, dashnoret, klientët e tenderëve, shërbëtorët dhe klanet e tyre, përsëritën ritualin e “lotëve që derdhin” gjoja për hallet e shumta të shqiptarëve dhe për “lumturinë” e pritshme të tyre! Nuk e kemi fjalën, as për fjalimin “programatik e largpamës” të mbajtur nga kreu i PS, të bazuar në dy parullat demagogjike komuniste të viteve 1950-‘60”: “Pushteti buron nga populli, kontrollohet nga populli e i përket popullit” dhe “Socializmin e ndërtojnë masat, partia i bënë ato të ndërgjegjshme”! Por e kemi fjalën, për një skandal të turpshëm, me bazë mashtrimin e shqiptarëve, të BE dhe të krejt botës që e ka parë me sy, se në çfarë derexheje është katandisur Shqipëria dhe se në çfarë mjerimi shqiptarët, aq sa 30% e familjeve janë punësuar në qendrat dhe kazanët e plehrave! Në njërin prej raporteve të grupeve të punës, u paraqitën të dhëna social-ekonomike, 100% të kundërta me realitetin nivelit të jetesës, investimet dhe shërbimet publike! Skandali qëndron, në raportin e paraqitur nga ish-ministrja “tranzitore” Milva Ekonomi, e cila do mbahet mend, për koncesionin 100-vjeçar që firmosi në shezllon, 1 ditë para ikjes nga detyra, duke i dhuruar klientelës qeveritare, një sipërfaqe prej milionë m2 tokë e truall pa asnjë detyrim ndaj shtetit, për një projekt “sekret” në Spitallë të Durrësit. 

Mirëpo në ikje, Milva Ekonomi paska pasur edhe një detyrë tjetër, që ka lidhje me fshehjen e dështimit ekonomik e social të qeverisë dhe manipulimin e halleve reale të shqiptarëve. Në raportin e lexuar, Milva e dhjetë OJF-ve “hambar milionash” dhe anëtarja më e re e shoqatës “Mjaft”, nuk pasqyroi realitetin, por deklaroi të dhënat e një sondazhi të bërë nga OJF-ja e saj të bërë në muajin qershor 2015 me porosi të “Rilindjes”, për “arritjet e mëdha të qeverisë”! Në asamblenë e PS të datës 27 Korrik 2017, të dhënat e sondazhit të saj social-ekonomik me temë “Vlerësime të shqiptarëve për punët e qeverisjes dhe rritjen e mirëqenies së popullit”, Milva i paraqiti si raport me “vlerësime të popullit”, të mbledhura në takimet që ka bërë kryeministri, ministrat, deputetët dhe udhëheqësit e PS, në “dëgjesat” e bëra nëpër zona! Raporti që lexoi Milva në Asamblenë e PS, përmbante ankesa, kërkesa dhe vlerësime false për shërbimet dhe zgjidhjet komunitare që ka bërë qeveria! 

Sipas shifrave që lexoi Milva thuhet, se – vetëm 3% e popullit kanë ngritur shqetësim për varfërinë! 

Si është e mundur të flitet për parajsë ekonomike, kur me ndihmë ekonomike 15-50 dollarë, trajtohen 12% e familjeve shqiptare ose afro 600 mijë persona e, për më tepër, kur vetë INSTAT-i qeverisë deklaron 42% në nivel varfërie të popullsisë d m th që jeton sa për të marrë frymë dhe 27% në varfëri ekstreme, dmth kur populli ulërin për bukë thatë. 

-Milva tha, se vetëm 6% e popullit kanë bërë prezent papunësinë, kur në Shqipëri janë mbi 1 milionë të papunë! 

-Tha se vetëm 4% e popullit është ankuar për vonesa, mungesa, shpërfillje e korrupsion në zyrat e shtetit dhe shërbimet publike, kur vetë kryeministri e pranoi pas Milvës, se 80% e shqiptarëve vuajnë masakrën e parazitëve dhe grabitqarëve të zyrave të shtetit! 

-Tha, se 90% e shqiptarëve janë të kënaqur me pagat dhe pensionet aktuale, kur dihet që paga minimale është sa një shishe verë që shtetarët e gëlltitin në dreka e darka! 
-Deklaroi, se vetëm 3% e popullit janë të pakënaqur me mungesat dhe shërbimin mjekësor në zonat rurale, kur 80% e fshatrave nuk kanë as infermierë, kur në 97% zonave rurale nuk kanë farmaci, kur në 70% të qendrave të banuara në qytete nuk ka as mjekë specialistë e as autoambulanca urgjence! Përmendi edhe shumë “arritje e kënaqësi” të tjera social-ekonomike që gjoja i kanë shprehur shqiptarët në “dëgjesat” publike, por që realisht janë të dhënat e një sondazhi fiktiv të përgatitur prej saj 2 vite më parë, si “shërbesë” ndaj qeverisë… 
Raporti i Milvës dhe raporti i “EURO-STAT”, ja fuqia blerëse e popullit në Shqipëri
1. Luksemburgu e ka fuqinë blerëse 298 pikë, ose 199 pikë më lartë se mesatarja e BE.
2. Gjermania e ka fuqinë blerëse 281 pikë, ose 181 pikë më të lartë mesatarja e BE.
3. Holanda, ka fuqi blerëse 134 pikë, ose 34 pikë më të lartë se kuota mesatare e BE. 
4. Danimarka, ka fuqinë blerëse 125 pikë, ose 25 pikë më të lartë mesatarja e BE. 
5. Irlanda e ka fuqinë blerëse 124 pikë, ose 24 pikë më të lartë se mesatarja e BE.
6. Austria e ka fuqinë blerëse 122 pikë, ose 22 pikë më të lartë se mesatarja e BE.
7. Italia e ka fuqinë blerëse 107 pikë, 7 pikë më të lartë se mesatarja e BE. 
8. Greqia e ka fuqinë blerëse 98 pikë, pra vetëm 2 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
9. Kroacia e ka fuqinë blerëse 71 pikë, ose 29 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
10. Rumania e ka fuqinë blerëse 55 pikë, ose 45 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
11. Bullgaria e ka fuqinë blerëse 43 pikë, ose 57 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
12. Mali i Zi e ka fuqinë blerëse 60 pikë, ose 40 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
13. Turqia e ka fuqinë blerëse 58 pikë, ose 42 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
14. Serbia e ka fuqinë blerëse 49 pikë, ose 51 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
15. Maqedonia e ka fuqinë blerëse 48 pikë, ose 52 pikë më të ulët se mesatarja e BE.
16. Bosnja e ka fuqinë blerëse 48 pikë, ose 52 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
17. SHQIPËRIA e ka fuqinë blerëse 12 pikë, ose 88 pikë më të vogël se mesatarja e BE dhe 4 herë më të ulët se Bosnja.
Sigal