Shtetarë të lartë përjashtohen nga subjektet e bllokuara

568
Sot po vazhdojmë publikimin e pjesës së dytë të investigimit të bërë prej Gazetës “Telegraf”, referuar edhe informacionit të përgatitur prej portalit hulumtues “Open Data Albania”. Eshtë një listë e gjatë me emra biznesesh, që shkon deri në 13 mijë e 242 subjekte problematikë. Këto biznese prodhimi e shërbimi, janë debitorë si në detyrimet tatimore ndaj shtetit dhe në gjobat e pa paguara, të vendosura si ndëshkim për shkak të mos shlyerjes së detyrimeve tatimore, të fshehjes së të ardhurave e shpenzimeve reale, të mos shlyerjes së sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për aktivitet me dy bilance fiktivë, për aktivitet pa licencë, për mos deklarim real të numrit real të punonjësve, për pagesa fiktive me dy bordero, për transaksione kapitalesh etj. Këtë realitet me “gropë të zezë” financiare të pa arkëtuar si detyrim në buxhetin e shtetit, me afro 300 milionë euro në vit në biznesin e vogël, të mesëm e të madh dhe me afro 1 miliardë euro në biznesin “VIP”, nuk e zbuloi aksioni shtetëror kundër evazionit fiskal që nisi më 1 shtator 2015 dhe që po vazhdon ende, paçka se jo me “vrullin” e ditëve të para 1-15 shtator 2015, por që ka bërë efekt në detyrimin e bizneseve, për të zbatuar ligjin me pagesa reale të detyrimeve fiskale që kanë ndaj shtetit. Por edhe në “aksionin” për bllokimin dhe sekuestron e bizneseve që kanë barrë hipotekore, për shkak të detyrimeve tatimore, ka dyfytyrësi qëndrimi prej shtetit, mbasi jashtë listës së sekuestros dhe bllokimit janë lënë 38 mijë e 964 biznese shtetarësh e familjarësh të tyre, por biznese të njerëzve që janë pjesë e rrjetit shoqëror të shtetarëve. Këto biznese që janë kontigjent i evazionit fiskal e informalitetit, madje edhe të “ilegalitetit”, rezulton se kanë detyrime tatimore dhe gjoba tatimore të papaguara, por nuk janë futur në listën e bizneseve që duhen bllokuar e sekuestruar, duke u lënë të lirë të vazhdojnë aktivitetin informal licencë, pa taksa, pa bilance, pa sigurime shoqërore e shëndetësore, mjedisore etj. Bizneset informale të shtetarëve, kanë qenë dhe janë një pirateri dhe “xhungël” e nisur dhe e mbajtur në veprim prej 23 vitesh ekonomi tregu, si një krim ekonomik, financiar e social që dihej e dihet, që lejohej e lejohet, madje që mbrohej e mbrohet prej vetë segmenteve të shtetit, drejtuesit dhe zyrtarët e të cilave në çdo strukturë e nivel, kanë pasur e kanë këto biznese me veprimtari “në të zezë”. Sot, po vazhdojmë publikimin e pjesës së dytë të listës së subjekteve me pasuri “peng hipotekor” si debitorë ndaj shtetit, listë në të cilën mungojnë bizneset e… shtetarëve!
Sigal