Shqipëria s’ka pse ta ndajë Shelfin e vet Kontinental me fqinjët

809
Prof. Dr. Lirim Hoxha
Këshilltar Gjeologjik
Pjesa e territorit të një shteti, të zgjatur nën ujë, duke filluar nga Vija Bregdetare ose Vija Bazë e tij dhe vijuar drejt detit dhe thellësia e ujërave të tij është, përafërsisht 100 deri 200 metra dhe quhet “Shelf Kontinental”. Në një kuptim më të thjeshtë, Shelfi Kontinental i Shqipërisë është brezi i territorit të Shtetit Shqiptar, i zgjatur nën ujërat e deteve Adriatik dhe Jon. Pra, Shelfi Kontinental është trualli nën ujë, që i shtohet sipërfaqes prej 28748 km2 të Shqipërisë. Përcaktimi i Shelfit Kontinental dhe kriteret mbi të cilat një shtet me bregdet mund të vendosë kufijtë e jashtëm të tij, përcaktohen në Nenin 76 të Konventës së Komisionit mbi Kufijtë e Shelfit Kontinental, të Kombeve të Bashkuara, si dhe në “Deklarata e Mirëkuptimit” të 29 Gushtit 1980 (Annex II to the Final Act of the Conference)

(http://www.un.org/depts/los/clcs_new/continental_shelf_description.htm) Sipas këtij neni, Shelfi Kontinental përfshin pjesën e territorit të një shteti të zgjatur nën ujë, duke filluar nga Vija Bregdetare ose Vija Bazë e tij dhe duke vijuar drejt detit për 200 milje nautike (370.4 km). Kjo gjerësi përfshin Detin Territorial 12 milje nautike (22.224 km), Zonën e Kontrolluar 12 milje nautike (22.224 km) dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive 200 milje nautike (370.4 km). Sipas të Drejtës Ndërkombëtare, te pasqyruar në Konventën për të Drejtën e Detit, në disa raste, nëse plotëson disa kritere, një vend bregdetar mund të ketë një Shelf Kontinental përtej 200 miljeve detare (370.4 km). Në mënyrë specifike, pjesa e Shelfit Kontinental përtej 200 miljeve detare është quajtur “Shelfi Kontinental i Zgjeruar” (SKZ). (Extended Continental Shelf – ECS) (http:/www.state.gov/e/oes/continentalshelf).Mbështetur në këtë të drejtë, Izraeli dhe Qiproja greke e kanë përfituar Shelfin Kontinental të Zgjeruar duke zbuluar naftë dhe gaz edhe në ujëra të thella, përtej Zonës Ekonomike Ekskluzive. Në këtë pikëpamje, mbështetur në Konventën mbi Detin, të Kombeve të Bashkuara, shtetet që kanë det, duhet ta njohin mirë dhe t’u deklarojnë të tjerëve shtrirjen e saktë të Shelfit Kontinental dhe kufijtë e jashtëm të tij. Shelfi Kontinental është një zonë shumë e rëndësishme detare që përmban resurse të ndryshme si gjënë e gjallë që jeton në det ashtu dhe pasuri minerale (naftë & gaz e minerale të ngurta,) nën dyshemenë e detit. Çështja e vendosjes së shtrirjes së Shelfit Kontinental midis shteteve që lagen nga dete ka përbërë dhe përbën, aktualisht problemin më të madh dhe sfidën më të madhe për t’u zgjidhur. Arsyeja është se në shelfet (zonat me thellësi 100-200 m) janë zbuluar rezerva të mëdha nafte dhe gazi si në Detin Mesdhe (Izrael-Liban-Qipro-Greqi-Turqi), Kinë-Kore-Japoni-Tajvan-Vietnam dhe kohët e fundit, edhe në Detin e Zi. Problemi i të drejtës për zbulimin dhe shfrytëzimin e këtyre rezervave të naftës dhe gazit, si artikujt më strategjike, ka çuar në konflikte deri në demonstrim force. Kështu p.sh. janë acaruar shumë marrëdhëniet midis Izraelit dhe Libanit, Qipros Greke dhe Greqisë me Turqinë, Kinës me Japoninë dhe Koren e Veriut. Në Detin e Zi, vetëm për 17 km2, janë acaruar shumë marrëdhëniet midis Rumanisë dhe Bullgarisë. Mbështetur në një botim të specializuar (International Boundaries Research Unit Maritime Briefing Volume 1, Number 8 ,The Maritime Boundaries of the Adriatic Sea, UK, 1996) Shqipëria, me Dekret N0- 4650 te 9 marsit 1970, ka paraqitur pretendimet e saj për Shelfin Kontinental, mbështetur në parimin e OKB, si: “… Fundi i Detit dhe nën/dyshemeja e tij (Detit) të zonave nënujore afër Bregut, por jashtë zonës së Detit Territorial, në një thellësi deri 200 m ose, matanë këtij kufiri, ku thellësia e ujërave lejon të bëhen zbulime të burimeve natyrore të zonave në fjalë. Shqipëria dhe Italia kanë përfunduar një marrëveshje për përcaktimin e zonave respektive të Shelfit Kontinental në Adriatikun e Jugut dhe Kanalin e Otrantos, në 18 Dhjetor 1992 në Tiranë. Preambula e këtij traktati thekson se, “ndarja e kufirit midis dy zonave të Shelfit Kontinental do të përcaktohet mbi bazën e parimit të distancës së barabartë (ekuidistancës) që shprehet në Vijën e Mesme”. Edhe sipas kësaj metode, është ngritur pikëpyetja se, megjithëse Ishulli i Sazanit, është afër me bregun dhe pikë/bazë për sistemin e vijës së drejtë shqiptare ( ai-Sazani) nuk ka shërbyer si pikë/bazë e Bregut shqiptar për këtë ndarje/delemitizim. Në fakt, edhe sipas kësaj marrëveshjeje, pikë/bazë është marrë Bregu i Vlorës dhe jo Ishulli i Sazanit, duke e shtyrë kështu kufirin ndarës të Shelfit Kontinental midis Shqipërisë dhe Italisë më në brendësi të territorit shqiptar

(të barabartë me gjysmën e largësisë midis Bregut të Vlorës dhe Ishullit të Sazanit). Nga kjo marrëveshje është e qartë se, ndarja e Shelfit Kontinental nuk është mbështetur në Nenin 76 të Konventës së Komisionit mbi Kufijtë e Shelfit Kontinental, të Kombeve të Bashkuara, si dhe në “Deklarata e Mirëkuptimit” të 29 Gushtit 1980. Ajo që duhet theksuar këtu është se në këtë marrëveshje nuk janë paraqitur hartat e Shelfit Kontinental të Shqipërisë dhe Italisë. Edhe Greqia me Italinë kanë përfunduar një marrëveshje mbi Shelfin Kontinental për Detin Jon më 24 Maj 1977.

Lidhja e marrëveshjeve Shqipëri-Itali dhe Greqi-Itali në një “trepikësh” të përbashkët, është thënë se do të varej nga bisedimet midis Shqipërisë dhe Greqisë lidhur me kufijtë e tyre të Shelfit Kontinental. Mbas këtij konkluzioni, një marrëveshje e drejtpërdrejtë transparente mund të parashikohej midis tri palëve.

Marrëveshja me Greqinë
Është bërë publike që te “Marrëveshja mbi Detin” të vitit 2009, por që në të vërtetë është marrëveshje mbi Shelfin Kontinental (dhe pasuritë, hidrokarbure dhe botës bimore-shtazore të fundit të detit), Greqia pretendon një sipërfaqe prej 350. 4 km2 nga sipërfaqja e ujërave shqiptare në Detin Jon, që do të thotë, në brendësi të Shelfit Kontinental Shqiptar natyral. Kështu, ndërsa flitet për ndarjen e sipërfaqes së detit, në fakt është ndarë Shelfi Kontinental Shqiptar. Asnjëra palë në këto bisedime nuk ka paraqitur hartat e shtrirjes së Shelfit Kontinental të vendeve respektive, që do të përbënin kushtin themelor për vendosjen e kufirit të Shelfit Kontinental. Nga të gjithë publikimet, Greqia nuk ka deklaruar botërisht hartën e shtrirjes së Shelfit Kontinental grek, dhe objekt ndarjeje në “Marrëveshja mbi Detin” ka qenë Shelfi Kontinental Shqiptar natyral. Për më tepër, Greqia akoma nuk ka deklaruar Zonën Ekonomike Ekskluzive të saj, siç kanë bërë shumica e vendeve të botës, që do të duheshin të miratoheshin nga OKB (Greece a new European oil @ gas zone 3, November, 2013 Petro Petroleum Magazine). Ndërkaq Greqia ka kryer punime gjeologjike-gjeofizike (sizmike-gravimetrike) në Detin Jon. Në hartën e botuar me sipërfaqen e punimeve sizmike të kryera nga Kompania Norvegjeze Petroleum Geo-services (Nordic Explorer, 2012/2013), më 14 nëntor 2012 në Detin Jon, duket se kjo zonë ka mbuluar dhe sipërfaqen e diskutuar prej 350. 4 km2 (e barabartë me sipërfaqen Patos-Marinzë-Kuçovë ku ndodhen vendburimet më të rëndësishme të naftës të Shqipërisë) dhe që priten të gjenden në verilindje të Ishullit të Korfuzit. A ka pasur marrëveshje midis shtetit shqiptar dhe atij grek për të lejuar kryerjen e këtyre punimeve dhe a është autorizuar kompania norvegjeze të punojë brenda Zonës Ekskluzive Ekonomike apo mbi Shelfin Kontinental Shqiptar?!

Sipas revistës Exploration Europe (A Fresh Look at the Oil and Gas Potential of Greece Vol. 10, No. 6 – 2014 – 2014) si dhe artikuj të United Press International, agjencia Reuters etj. të dhënat gjeologo-gjeofizike parashikojnë zbulimin e vendburimeve të naftës si Patos-Marinza (më i madhi në tokë në Kontinentin Evropian) apo ai i Delvinës me gaz kondesat.

A ka shkelur të drejtat ndërkombëtare anija norvegjeze Petroleum Geo-services (Strandveien 50E N-1366, Lysaker NORWAY www.pgs.com) duke kryer kërkime dy vjeçare edhe mbi zonën prej 350. 4 km2 të pretenduar nga Greqia, por që është pjesë integrale e Shelfit Kontinenta shqiptar?!

Padituria e palës shqiptare u ka shërbyer qëllimeve të palëve të tjera. 
Ndaj ,është detyrë e autoriteteve shqiptare të kërkojnë nga kjo kompani Ditarin e kryerjes së punimeve gjeofizike (sizmike dhe gravimetrike) në detin Jon shqiptar dhe hapësirën 350. 4 km2 të pretenduar nga Greqia, për vitet 2012-2013 dhe, nëse janë shkelur hapësirat detare shqiptare, të dhënat e këtyre punimeve duhet t’i dorëzohen shtetit shqiptar. Si përfundim, mund të thuhet se, si në marrëveshjen me Italinë, të 18 Dhjetorit 1992, ashtu dhe në marrëveshjen me Greqinë, të vitit 2009, jo vetëm nga pala shqiptare, por dhe nga ajo italiane dhe greke, shtete këto me institute të specializuara për studimet detare, nuk janë paraqitur hartat e shtrirjes së shelfeve respektive të tyre dhe është marrë vendim për Shelfin Kontinental Shqiptar duke folur në fakt për probleme të sipërfaqes së detit. Është e qartë se këto marrëveshje janë në kundërshtim me Nenin 76 të Konventës së Komisionit mbi Kufijtë e Shelfit Kontinental, të Kombeve të Bashkuara, si dhe në “Deklarata e Mirëkuptimit” të 29 Gushtit 1980 (Annex II to the Final Act of the Conference).

Në të vërtetë, kufijtë e Shelfit Kontinental Shqiptar, jo vetëm në bazë të të drejtave të OKB-së, por dhe në mënyrë të natyrshme, për sa i përket Detit Adriatik, përcaktohen nga Vija e Mesme e Kanalit të Otrantos, dhe në Detin Jon, nga ujërat me thellësi mbi 200 m, në perëndim të bregut jonian shqiptar.

Në Detin Jon, shteti shqiptar, në përputhje me sa më sipër, mund të kërkojë pranë OKB, të drejtat ekskluzive të Shelfit Kontinental të Zgjeruar, matanë thellësive mbi 200 m.


Sigal