Shimonoviç: OKB kërkon hetim ndërkombëtar për Kumanovën

160
Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ivan Shimonoviç, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për konfliktin e Kumanovës, ku mbetën të vrarë 22 persona. Gjatë vizitës së tij dyditore në Maqedoni, Shimonoviç mori pjesë në një konferencë, ku nënvizoi nevojën e ndihmës ndërkombëtare.
“Duhet të bëhet një hetim i menjëhershëm dhe i pavarur për rastin e Kumanovës, si dhe për rastin e përgjimeve. Kam biseduar me prokurorin për rastin e Kumanovës dhe ai më tha se disa prej hetimeve janë në progres. Por mendoj se për këtë do të jetë e nevojshme që të ketë një ndihmë ndërkombëtare. Ky hetim ka dimensionin e tij ligjor por ka edhe dimension politik. Më rëndësi është që rezultatet e hetimit të jenë të besueshme për të gjithë”, theksoi Shimonovic.
Një çështje për të cilën Shimonoviç shprehu interes është edhe afera e skandalit të përgjimeve. Sipas tij, Në Maqedoni janë rrënuar të drejtat e njeriut përmes përgjimeve masive , por edhe në përmbajtjen e regjistrimeve zbulohet mosrespektimi i të drejtave të njeriut. Shimonovic bëri thirrje për tejkalimin e krizës politike dhe inkurajoi bisedimet që po zhvillohen mes faktorëve politikë me ndërmjetësim ndërkombëtar.
“Përshëndes bisedimet e partisë në pushtet dhe opozitës por kjo duhet patjetër të përfshijë edhe sektorin civil, në mënyrë që të kthehet besimi publik. Gëzohem që ka filluar dialogu politik, si dhe faktin që i pranishëm në to ka qenë edhe komisionari Han. Besoj se ka mundësi për zgjidhje të krizës por nëse kjo bëhet në korniza të të drejtave të njeriut. Zgjidhja e krizës me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve përveçse në Strasburg, më së shumti duhet të bëhet brenda në shtet”, theksoi Shimonovic.