Shenjtërimi i kishës, krerët e ortodoksisë në Tiranë. Ceremonia bashkon politikën shqiptare

531
Sigal

Reagon At’ Nikolla Marku: Kur të shenjtëron djalli Anastas Janullatos

Ka nisur mëngjesin e djeshëm mesha për shenjtërimin e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, me pjesëmarrjen e krerëve të ortodoksisë botërore dhe shumë besimtarëve. Ceremonia e shenjtërimit të Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, bashke me krerët e ortodoksisë botërore ka mbledhur edhe krerë të shtetit dhe feve të tjera në vend. Të pranishëm në ceremoni ishin Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani; Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta; Kryeministri, z. Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda, Kryetari i opozitës, njëkohësisht dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha etj. Pjesëmarrës ishin Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, Vartholemeu I, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të Tyre, Patriarkut të Jerusalemit, Theofilit; të Serbisë, Irineut; të Rumanisë, Danielit; të Kryepiskopit të Qipros, Krisostomit; të Athinës, Jeronimit; të Varshavës, Savës, si dhe të Kryepiskopit të Tiranës, Anastasit. Në ceremoni kanë bashkëmeshuar edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve, të Aleksandrisë, të Antiokisë, të Moskës, të Bullgarisë dhe të Gjeorgjisë. Sipas të dhënave, theksohet se, gjatë persekutimit shumëvjeçar e të pareshtur të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1967-1990), regjimi totalitar ateist shkatërroi një numër të madh kishash të shenjta ose i ktheu ato në magazina, kovaçhana, reparte ushtarake e qendra argëtimi. Madje, në vitin 1965, Kisha Katedrale në sheshin qendror të Tiranës u shemb dhe në vend të saj u ndërtua një hotel pesëmbëdhjetëkatësh. Kompleksi i Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në qendër të Tiranës, së bashku me kishëzën “Lindja e Krishtit”, kambanoren dhe Qendrën Sinodike, është simboli i rindërtimit nga themelet në të gjitha fushat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga viti 1991 deri sot”,- theksohet ne njoftim

BOX

Meta shtrëngon duart me Bashën te Kisha Ortodokse, Rama i shmanget

Gjatë meshës së mbajtur ditën e djeshme janë vënë re dhe afrimitete mes politikanëve shqiptarë. Rreth orës 10:00 kanë mbërritur për të ndjekur meshën edhe Kryeministri Edi Rama me bashkëshorten e tij, kreu i Kuvendit Ilir Meta, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, Presidenti Bujar Nishani dhe personalitete të tjerë. Kreu i Opozitës Lulzim Basha dhe kreu i Parlamentit, Ilir Meta janë takuar me njëri-tjetrin, ndërsa Kryeministri Edi Rama e ka shmangur një kontakt të mundshëm me rivalin e tij politik.

BOX

Tiranë, incidente gjatë meshës tek Katedralja, të rinjtë foto me flamurin serb

Shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë nuk ka kaluar pa incidente në pjesën e jashtme të saj. Policia e Tiranës gjatë kësaj ceremonie ka shoqëruar për në komisariat 3 persona, 2 meshkuj dhe një femër. Një tjetër incident u regjistrua nga disa të rinj serbë, të cilët kanë hapur flamurin e tyre ne dalje të katedrales para mediave shqiptare. Ka qenë ora 09:00 e paradites, ku një burrë rreth të 50 filloi të shtonte tonin e zërit gjatë kalimit para katedrales, por menjëherë është shoqëruar për në komisariat. Pak minuta me vonë një femër, e cila qëndronte përballë katedrales mbante në dorë foton e Fan Nolit në shenjë proteste dhe kundërpërgjigje për mbajtjen e meshës në gjuhën greke. Shqiptarja ortodokse Elida Jorgoni kërkon që në krye të ortodoksisë shqiptare të jetë një person me gjak shqiptar dhe jo një grek. “Themeluesi i Autoqefalisë, ai që në 10 mars 1914 mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe dhe është turp që sot pas 100 vitesh gjuha greke mbizotëron në kishën shqiptare”,- kështu deklaroi Elida Jorgoni. Gjë e cila nuk u prit mirë nga shqiptarët e ndodhur aty pranë. Pas shkrepjes se fotos, të rinjtë serbe morën flamurin dhe e futën e në çantën e dorës, duke u larguar të qetë. Kjo gjë u pa si një provokim nga ana e shqiptarëve. Ndërkohë që, Aleanca KuqeZi nuk është lejuar nga policia të protestojë kundër Patriarkut të Serbisë Irinei për qëndrimet e tij kundër shqiptarëve.

BOX

Kur të shenjtëron djalli Anastas Janullatos

Për të përligjur veprimtarinë e tij anti -shqiptare, Janullatos duhet t’u tregojë këtyre personaliteteve të ardhur në Tiranë se çfarë pune bën ai në dëm të Shqipërisë. Si e përdor aktin e shenjtërimit në emër të Zotit tonë në tokë Jezu Krishtit. Gjithë këto delegacione me personalitet shumë të rëndësishëm për ortodoksinë botërore, me përjashtim të disave, si ai serb dhe rus të cilët shquhen për trajtim racist dhe shovinist në dem të kombit shqiptar. Dua të theksoj se, patriarku rus mbështet Kremlinin zyrtar për ngjarjet kundër krahinës. Patriarku serb ka vite të tera që frymëzon qarqe ekstremiste kundër kombit shqiptar në Kosovë dhe sidomos në veri të saj. Shikoni me kujdes mënyrën e të jetuarit të oligarkisë politiko-ekonomike të këtyre njerëzve që jetojnë më mirë se Pons Pilati, guvernatori që dënoi Krishtin me kryqëzim. Porositë, udhëzimet dhe drejtimi i kishës ortodokse, duhet të drejtohet dhe mbështetet mbi jetën e Krishtit dhe jo mbi luksin e atyre që e kryqëzuan. Kjo oligarki aspak fetare në të vërtetë, sot me veprimin e saj do të njollose fuqinë e vërtet të shenjtërimit dhe emrin e Zotit tonë, Jezu Krisht. Le të marrin pak shembull nga jeta personale e Papës Françesku.

 At’ Nikolla Marku           

(Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare)