Shëndetësia falas/ Torturat që ofrojnë Onkologjiku në Tiranë dhe Hemodializa në Elbasan

778
Ndërsa Ministri Ilir Beqja dhe kryeministri flasin për shëndetësi falas, duhet të kuptojmë të kundërtën, mbasi shqiptarët vazhdojnë të përballen me një shërbim mjekësor që quhet “tmerr”, për shkak të mungesës së mjediseve spitalore, ambulatore e urgjencave, për shkak të mungesës së ilaçeve e materialeve ndihmëse, që blihen me lekë në farmacitë e mjekëve dhe shefave të spitaleve, për shkak të pakësimit të shërbimeve mjekësore jetike, për shkak të kapaciteteve të pakta në disa shërbime kryesore, por edhe për shkaqe të tjera që e bëjnë sektorin e shëndetësisë një “vend torture” për pacientët dhe për familjarët e tyre! 
Onkologjiku në Tiranë, pakëson shtretërit, personelin dhe ilaçet
Skandalet me shërbimin mjekësor në spitalet ku përcaktohet fati i jetës së pacientëve të sëmurë rëndë, nuk kanë fund. Një denoncim i ardhur në redaksi prej disa qytetarëve, bënë prezent një shqetësim të madh për pacientët që shtrohen, trajtohen dhe mjekohen në Spitalin Onkologjik të Tiranës. Sipas denoncimit, në këtë spital janë pakësuar shtretërit, jo duke lënë dhomat bosh, por duke i pakësuar këto dhoma. Ky “aksion” ka nisur prej disa ditësh në këtë spital, ku trajtohen pacientë me sëmundje kritike për jetën. Thuhet, se pakësimi i shtretërve është bërë me urdhër të ministrit Ilir Beqja, duke lënë shumë pa trajtim spitalor, por me mjekime e trajtime ditore e disa orëshe nëpër korridore. pakësimi i shtretërve, po pakëson edhe personalin e shërbimit mjekësor. Sipas informacioneve, mësohet se në Spitalin Onkologjik ka nisur “biznesi i prenotimit dhe blerjes së radhës, ditës e orës për shtrim, vizita dhe mjekim, sidomos për ata pacientë që vijnë në rrethet e largëta! Shkurtimi i shtretërve, i shtohet mungesës së ilaçeve dhe mjekimeve të gabuara që janë bërë e vazhdojnë të ndodhin në këtë spital, pa harruar korrupsionin me jetën e kësaj kategorie në rrezik jete! 
——————————-
Denoncon mjekja nga Tirana: 
Kolegët më rrezikuan jetën e familjarit me ilaç të gabuar e vdekjeprurës të blerë në Indi, në Austri ma rikthyen në jetë aktive 
Po bëjmë publik edhe një denoncim tjetër, të bërë në gazetën “Telegraf” prej një mjekeje specialiste në QSU Tiranë, denoncim që tregon se krimi shëndetësor ndaj pacientëve, ka arritur deri në atë lloj “xhungle”, sa bëhet edhe ndaj familjarëve të mjekëve e jo më ndaj qytetarëve të thjeshtë. Mjekja tregon: Një nga familjarët e mi, pas sëmundjes që u shfaq, nisi të kurohej me një ilaç për diagnozë tumorale. Në vijim të mjekimit, mjeku specialist i fushës, rekomandoi të përdorej një flakon për trajtim kimiotrapik. Duke qenë mjeke specialiste brenda sistemit të shëndetësisë dhe brenda qendrës spitalore, dyshova se mjekimi ishte i gabuar, paçka se kushtonte mbi 50 mijë lekë të reja një mjekim, ilaçe që shpesh sipas nivelit të sëmundjes, kushtojnë edhe deri në 100 mijë lekë të reja. Duke konstatuar faktin, që mjekimi nuk po bënte efekt, pra nuk po sillte ndryshim, vendosa ta çoj për kontroll mjekësor në Austri, duke marrë me vete edhe ilaçin që kolegët më kishin dhënë për mjekim, me qëllim që të informoja mjekët në Austri, për llojin e mjekimit. Pas ekzaminimit të bërë, mjekët më thanë: Ilaçi që iu kanë dhënë për mjekim mjekët në Shqipëri është ilaç vdekje-prurës dhe çuditemi se si pacienti nuk ka humbur jetën nga përdorimi i tij. Pas konsultës me mjekët austriak, mësova se ishte ilaç i rrezikshëm, që prodhohej në Indi dhe që futej në mjekësinë shqiptare nëpërmjet blerjeve me tenderët korruptiv që ministria “Beqja” u jep firmave klienteliste të prodhimit dhe tregut të ilaçeve. Sipas denoncimit të mjekes, ilaçi kimioterapik tumoral “Made in India”, që jepet në spitalet shqiptare nuk i shpëton, por i vdes pacientët duke u dhënë vetëm 6 muaj jetë pas përdorimit, ndërsa ilaçi që bleva në Austri, dha këtë efekt për të afërmin tim: prej 3 vitesh që vazhdon kurohet me të, ka 100% ndryshim, madje normalitet në ecje, fjetje, komunikim, ushqim, energji fizike…
———————————-
Hemodializa në Elbasan, 800 seanca me 12 shtretër, vetëm në… 120 metër katrorë!
Faktet skandaloze që denoncohen përditë në gazetën “Telegraf”, lidhur me shërbimin primitiv mjekësor shtetëror shqiptar, tregojnë se ky sektor është kthyer në një tallje, mashtrim, zhvatje, ankth dhe torturë e përditshme për pacientët dhe familjarët e tyre, të cilët përveçse detyrohen të përballen me një shërbim të mangët e skandaloz që u merr jo vetëm financat familjare, por që shpesh u merr edhe jetën e të afërmeve, për shkak të mungesës së ilaçeve jetike, të aparaturave mjekësore, të mjekimeve të gabuara, të vonesave të shërbimit të urgjencës dhe prej shpërfilljes së mjekëve e infermierëve kur nuk u jepen pagesa nën dorë! Sot, po denoncojmë një fakt skandaloz e të turpshëm torturues e me rrezik për jetën e pacientëve, që ofron shëndetësia gjoja falas e propaganduar prej ministrit Ilir Beqja, por që duket qartazi se në spitalet publike shqiptare edhe vuajtja nuk ofrohet falas! Ja skandali që ndodh në Elbasan, në shërbimin e Hemodializës. Pacientët e këtij qarku, bëjnë kilometra pa fund për të arritur deri në spitalin shtetëror. Ngjiten e zbresin nëpër shkallë pa fund për të shkuar në pavijon e për t’u larguar prej andej. Detyrohen të presin shumë orë, për të marrë shërbimin e Hemodializës. Detyrohen të presin në radhë pa fund, mbasi shërbimi kryhet me pak pajisje e me pak shtretër. Kjo është “balada” e të sëmurëve që marrin shërbimin e Hemodializës në spitalin shtetëror të Elbasanit, shërbim ky thuhet se u dhe me koncesion dhe gjoja ofron shërbim me standarde europiane! Bëhet fjalë për 70 pacientë nga Korça, Pogradeci, Peqini, Belshi dhe zona tjera përreth Elbasanit, të cilët 3 herë në javë detyrohen t’i drejtohen këtij spitali për shërbimin e Hemodializës. Kalvari i vuajtjeve të tyre është i madh. Mundimeve u shtohet edhe mungesa e mjekëve, kostot tepër të larta të udhëtimit dhe “pagesa të tjera”, po kështu rreziku për jetën, nëse nuk arrijnë t’i kryejnë këto shërbime në kohën e duhur! Shefi i pavijonit të Hemodializës, mjeku Everest Hoxha, thotë se shërbimi jepet në 4 turne. Drejtorja e Qendrës Spitalore, Desantila Tahiraj, deklaron se edhe në Elbasan, shërbimi i Hemodializës do të kaloj me koncesion, duke u vendosur në ambiente të reja për kontraktorin privat. Ndërkohë, pacientët vazhdojnë mundin e tyre të përditshëm në hapësirën e ngushtë, shkallët e lodhshme, personelin e paktë dhe orët e vona të shërbimit, ku ndesh këtë skandal: Bëhen 800 seanca hemodialize vetëm me 12 shtretër dhe vetëm në… 120 metër katrorë hapësirë, ose sa 60% e zyrës së ministrit Ilir Beqja.
Përparim HALILI
Sigal