Selam Selimi: Problemet në HEC-in Bistrica, zbardhet takimi i sindikalistëve me KURUM

636
Sigal

DELVINË/ Flet për “Telegraf”, kreu i sindikatës së këtij HEC-i, Selam Selimi: “Presim vendimin që merret të premten”

E publikuar në gazetën “Telegraf” javën e kaluar, tubimi i punonjësve të larguar nga puna në HEC-et e Bistricës së pas ditës së martë, po të javës që kaloi, në mos marrjen e përgjigjes pozitive nga firma KURUM dhe ky afat ka kaluar, kreu i sindikatës së HEC-it Bistricë, Selam Selimi, ka kontaktuar përsëri me “Telegraf” për të sjellë të rejat dhe detajet e zhvillimeve. Në bisedë z.Selami shprehet për takimin që u zhvillua në Tiranë, jo ditën e martë siç ishte parashikuar, por ditën e premte për të premtuar një tjetër të premte (atë të kësaj jave) me konkretizime të minimizuara të kërkesave të punonjësve të larguar nga puna. Në këtë mënyrë KURUM do të hedhë disa hapa zgjidhjeje (kjo sipas premtimeve), por jo të gjithë do të përfitojnë pasi nuk bëhet fjalë për zbatim të kontratës kolektive të kësaj firme me shtetin dhe sindikatën. E themi këtë se vijnë detaje ironizuese nga takimi sindikalist me drejtuesit e KURUM, kur flitet se nuk e kanë ditur se, HEC-Bistrica paska pasur sindikatë. Por le të japim në detaje bisedën me kreun sindikalist të HEC-Bistrica, Selam Selimi, pjesëmarrës në takimin e Tiranës dhe bisedë ekskluzive për “Telegraf”.

-Z.Selam, ka kaluar afati i përcaktuar nga sindikalistët e HEC-it të Bistricës, ku u tha se, pas të martës së javës së kaluar, po nuk u gjet zgjidhje pozitive për kërkesat sindikaliste ndaj punonjësve të larguar nga puna, do të ngujoheshit para portës së HEC. Horizontalisht nuk ka ndodhur, mos vallë problemi ka gjetur zgjidhje? Çfarë ka ndodhur?

Falënderime për shkrimin e parë, ku pamë mbrojtje dinjitoze nga media juaj! Kemi patur takim, jo ditën e martë siç u vendos, por ditën e premte (gjithmonë të javës së kaluar). Në takim me përfaqësuesit e KURUM si kryeadministratorja dhe shefja e burimeve njerëzore, isha unë me një përfaqësi sindikale nga HEC si dhe kreu i sindikatës së industrisë, Taf Koleci. Ne ishim përfaqësia e kryesisë së sindikatës së HEC-it.

-Çfarë u tha në takim?

U ra dakord që pjesa më e madhe e punonjësve të kthehen në punë, kjo fillimisht se filloi me zbutje shifrash, pra 8-10 punonjës nga 25 të larguar (po të larguarit si i thonë nga selektimi i dytë). Kjo u la që rikthimi të zbatohet ditën e premte të kësaj jave që jemi, pasi u justifikua me mbledhjen e bordit drejtues të KURUM, e cila qe paracaktuar ditën e premte dhe është organi që merr vendime për rikthim në punë, ndërsa pjesa tjetër e të larguarve do të rikthehen gradualisht në zëvendësim të personave që do të dalin në pension apo do të largohen për arsye të ndryshme nga puna.

– Më duket sikur është shmangie nga detyrimi i kontratës kolektive kjo zgjidhje e ofruar nga firma KURUM. Ju folët gjë për zbatim të kësaj kontrate të firmosur nga kjo firmë?

Po, folëm, si nuk folëm. E kërkuam, ndaj vajtëm në takim. Administratorja e KURUM për HEC-et, zonja Teuta (mbiemrin nuk ja mbaj mend se e ka turk), na dëgjoi me vëmendje dhe premtimet qenë të shumta, por nuk thashë që në takim qe edhe drejtori i HEC-it Bistricë, Julian Zoto, që erdhi me ne dhe kërkoi që të zgjidhen kërkesat tona në takimin e së premtes që bëhet fjalë. Pra zonja Teuta, pasi u njoh me kërkesat tona, tha se shkurtimet janë bërë, pasi nuk ishin në dijeni që ekzistonte një sindikatë në Bistricë…

Po kur e mori vesh se ka sindikatë, çfarë tha?

Tha se, do të bëjë rishikimin në bordin drejtues të sigurimit teknik.

– Ju si e pritët këtë?

Thashë si e prita se, vinin gjërat me zbutje, por do them si e konsiderova. E konsideroj se shkurtimi i vendeve të punës në sallën e komandës, nuk është i drejtë, pasi nuk mund të bëhen manovrimet në thikat e 110 KV, ose vajtja në drasella po për manovrime, kërkon një numër të caktuar personeli, ai që ishte. Se dua të them që këtu abuzohet me emërtimin “panel” që ka ngelur nga e kaluara, por kjo nuk është panel, por elektricist. Dhe tjetra që nuk del në dritë, pra mbetet enigmë, a është marrë mendimi i bazës për këto lëvizje si nga dega teknike apo ajo e shfrytëzimit, apo është e kombinuar. Kjo nuk deklarohet. Por na u kërkua lista e personave që mund të kthehen në punë. Sindikata kërkon të drejtat e të gjithëve.

-Po, e qartë! Po mua më duket se kjo e fundit që të kërkojnë lista të rikthimit, mos do quhet mendimi i bazës dhe nuk do mbajnë fjalën e premtimeve të takimit. Çfarë do veproni po ndodhi kjo?

-Atëherë përshkallëzimi i kërkesës në atë që deklaruam në tubimin e parë: Ngujim në portën e HEC-it Bistrica!